MENU

Sa pak dimë për gruan e rrallë

Andronika, princesha e denjë arbërore

28.02.2019 - 11:52

Familja Kastrioti me të drejtë ka zënë një vend të gjerësishëm në historinë shqiptare, duke përcjellë dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme të kohës, për shkak të luftës epike që princi i Kastriotëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu bëri kundër perandorisë më të madhe të kohës, duke e ekspozuar Shqipërinë dhe personazhin e tij ndaj konsideratës më të lartë të Evropës Perëndimore, që kishte një makth të natyrshëm, duke u rrezikuar prej pushtimit otoman, synim i shpallur që herët prej perandorisë në fjalë.

Në këtë vlerësim të vëmendshëm dhe të rëndësishëm për Skënderbeun, siç dihet për princin shqiptar, janë shkruar me mijëra libra të natyrave të ndryshme; shumë personazhe të tjerë afër Skënderbeut, pjesëtarë dhe bashkudhëtarë të afërt të tij janë hijezuar apo janë anashkaluar pa qëllim. Një nga këto personazhe historike, ndoshta më emblematiket dhe më të nevojshmet për ta njohur, është figura e Andronika Arianitit (Donika Kastriotit), bashkëshortes së Skënderbeut, e cila vinte nga një familje me ndikim të madh brenda dhe jashtë vendit, një familje në të cilën kishte një taban të fortë dhe të qëndrueshëm për të kuptuar zhvillimet e kohës, një familje e cila e kishte krijuar dimensionin e saj në rrjedhat dhe zhvillimet historike të Arbërisë së kohës, në marrëdhëniet brenda dhe jashtë vendit.

 

Familja Arianiti ishte një referencë e rëndësishme në kancelaritë e kohës, veçmas ato përtej detit, deri në hierarkinë e papatit të Romës. Duke qenë kaq e lidhur me zhvillimet e kohës, Andronika Kastrioti – Arianiti (Donika Kastrioti), dhe para se të ishte gruaja e Skënderbeut ishte një nga princeshat e Arbërisë së kohës, duke qenë dhe e bija e princit të njohur Gjergj Arianiti, e cila njihej me statusin e dukeshës. Gjergj Arianiti ishte martuar dy herë. Me Marie Muzakën (gruan e parë), Gjergj Arianiti pati gjashtë vajza, Andronika ishte e para, ndërsa me gruan e dytë (Pietrina Frankonesin) pati tetë fëmijë, pesë vajza dhe tre djem, ku shquan Konstandini, për të cilin do të flitet më gjersisht. Andronika ka lindur në Kaninë në vitin 1428.

Familja Arianiti vjen nga anale të hershme historiografike, duke pasur lidhje të forta me perandoritë e kohës, për shkak të fuqisë që Komnenët zotëronin, si dhe pozitës gjeopolitike dhe gjeostrategjike që kishte dhe ka gjithmonë Shqipëria në gadishullin ballkanik. Në veprimtarinë luftarake dhe diplomatike të Gjergj Ariantit bie në sy një lidhje e fortë me fatet e vendit, të familjes dhe më gjerësisht. Në rrethana të shtrënguara luftërash dhe përballjesh me perandorinë otomane, Gjergj Arianiti qe i shtrënguar të bënte aleanca dhe miqësi, të cilat “perimetronin” interesa të rëndësishme atdhetare dhe familjare.

Gjergj Arianiti ishte një prijës luftëtar i shquar i kohës, ku shquan në luftën për të ruajtur zotërimet e tij në viset malore të Shqipërisë Qendrore dhe Shqipërisë Juglindore dhe në zonat gjatë luginës së Shkumbinit, brenda vendit, por dhe në drejtim të Maqedonisë, në kuadër të luftërave të popujve të Ballkanit kundër pushtimit osman. Ai kishte bashkëpunim me ekspeditat antiosmane hungareze të vitit 1443. Pas Lidhjes së Lezhës (1444), Gjergj Arianiti, pasi mori pjesë në Kuvendin e Lezhës, u lidh ngushtë me luftën e udhëhequr nga Skënderbeu, duke marrë pjesë në të gjithë betejat kundër-osmane deri në vitin 1450. Duke qenë dhe vjehrri i Skënderbeut, Gjergj Arianiti luftoi për të qenë i pavarur, zotërues i zotërimeve të tij, të cilën e vërtetojnë dhe shumë marrëveshje që ai i ka bërë i pavarur nga askush tjetër me shtetet të tjera.

Gjergj Arianiti trashëgonte një histori të hershme familjare dhe me zotërime të shumta. Kjo e bënte atë dhe familjen e tij të ishte i lidhur mjaft me zhvillimet që ndodhnin brenda vendit dhe jashtë vendit. Në vitet 1430-1440 zgjedha otomane u bë e padurueshme, kështu Gjergj Arianiti u vu në qendër të kryengritjeve kundër osmanëve në Himarë, Lumin e Vlorës, Kurvelesh, Tepelenë, Skrapar, Mallakastër, Berat, Çermenikë e gjetkë.

Në vitin 1432 Gjergj Arianiti, që u vu në krye të kryengritjeve fshatare, u përkrah gjithashtu në Durrës dhe Tiranë nga Andrea Topia dhe në Veri nga Nikollë Dukagjini. Në këto kushte Porta e Lartë kërcënohej nga rreziku që kishte të bënte me kryengritjet e përmasave të mëdha. Duke iu përgjigjur me ushtri dhe përforcime të shumta, Danja e Dukagjinëve ra, po ashtu dhe zotërimet e Topiajve u kthyen në gjendje të mëparshme, ndërsa Gjergj Arianitin ushtritë turke nuk arritën ta thyejnë. Gjergj Arianti e zgjeroi mjaft objektin e kryengritjes, duke e shndërruar atë në një forcë të madhe, ku bie në sy refuzimi në Kurvelesh që iu bë perandorisë dhe beteja e vitit 1432-1433, kur ushtria e Ali bej Evrezonit, e cila e gjendur në ngushticat e vargmaleve të luginës së Shkumbinit (Bërzeshta), pësoi një humbje tragjike. Gjergj Arianiti fiton emër të madh në këtë kohë, duke u përgëzuar edhe nga fuqitë evropiane.

Pas luftërave të njohura, emri i Gjergj Arianitit arrin te Papa Eugjen IV, Mbreti Alfons V i Napolit, perandori gjerman Sigizmund, Republika e Raguzës etj. Gjergj Arianiti përballoi me forcë dhe me luftë të ashpër edhe betejën e tretë të vitit 1434, që kishte në plan të pushtonte Vlorën, ndërsa në vitet 1443-1444 ai me forcat e veta depërtoi deri në thellësi të Maqedonisë, në një aleancë luftarake me forcat hungaro-polake-rumune të strategut hungarez, Vladislavit.

Kur Kruja sulmohej me topa e ç’mundej nga ushtria venedikase, Gjergj Arianiti ishte 67 vjeçar, por ai dërgon të birin Konstandinin bashkë me 3000 luftëtarë, duke iu bashkuar fushatës çlirimtare antivenedikase. Veprimet luftarake të Konstandinit ndihmuan në marrjen e Durrësit, Danjës dhe qyteteve kështjella bregdetare, që ishin nën protektoratin venedikas deri në Shkodër. Po ashtu, i vënë në krye të një ushtrie me 4000 luftëtarë, Gjergj Ariantiti i moshuar, me një sasi të konsiderueshme argjendi, ai mbështeti idenë e rimarrjes së kështjellës së Sfetigradit, betejë gjatë të cilës iu vra i vëllai.

Gjergj Arianiti pati dy kryeqendra të njohura të tij, në bregdet Kaninën dhe në malësitë lindore Sopotin. Në kushtet e luftërave të shumta me pushtuesin Arianitët krijuan lidhje me familjet dhe fiset feudale si Buat, Zenevistët, Sgurët, Topiajt, Muzakët, Dukagjinët, Gropajt, Balshët, Kastriotët, Spanët e të tjerë, me të cilët ndanin fate të përbashkëta. Ai është një nga figurat më të rëndësishme të Kuvendit të Lezhës (1444), rëndësia e të cilës është e njohur. Përveç Gjergj Arianiti në kuvend morën pjesë princër si, Andrea Topia me djemtë, Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Teodor Muzaka me disa familjarë, Lek Zaharia, Pjetër Spani me djemtë dhe Lekë Dushmani. Në kuvend mori pjesë edhe Stefan Cërnojeviç.

Gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë familjare dhe personale si luftëtar, i kudogjendur, në Sopot a në Kaninë, në Lezhë apo në Krujë, Arianiti mbeti një figurë komplekse dhe me ndikim atdhetar, qoftë brenda Arbërisë, por dhe më gjerë. Gjergj Arianiti dhe familja e tij krijoi lidhje të forta gjatë kohës, për shkak të zhvillimeve dhe zotërimeve të mëdha që ai kishte dhe që i rrezikoheshin herë pas here. Andronika, siç duket ka marrë shumë në personalitetin e saj nga klima dhe ndikimi i familjes së saj në lidhjet e shumta që pati dhe krijoi kohë pas kohe dhe rast pas rasti. Arianiti krijoi krushqi të forta dhe me ndikim për kohën. Kështu vajzën Gojsavën e pati martuar me Gjon Crojeviçin e Zetës (Mali i Zi), pastaj vajzat Ana, Helena dhe Dhespina ishin martuar me vëllezërit Dukagjini (Nikolla I, Gjergji III dhe Tanushi IV që ishin fëmijët e Gjergjit I. Ndërsa, vajza e fundit Komita Arianiti qe martuar me Gojka Balshën (djali i Stefan Maramonte dhe Vlajkës, motër e Skënderbeut), zot i Misias, një krahinë midis Krujës dhe Lezhës. Angjelina Arianiti, për të cilën nuk dihet mirë nëse ishte me gruan e parë apo të dytën të Gjergj Arianitit, u martua me Stefan Brankoviçin, djalin e despotit të Serbisë me të cilin pati dy fëmijë, Gjonin që u bë dhespot i Serbisë dhe Marian, e cila u martua me Markezin e Monferratës, trashëgimtari i fundit i Paleologëve.

Sipas regjistrave Apostolikë, në vitet 1479-1484, Angjelina hyri në shërbim të Papës; më pas ajo u vendos në kështjellën e Kupinovës, pranë lumit Sava, në manastirin ku shërbente për pelegrinazhet e besimtarëve ortodoksë. Murgesha Angjelinë, me të birin prift, Gjergjin, (Maksim) bashkëpunoi ngushtë edhe me Patrikun e Kostandinopojës, Niton, me origjinë shqiptare. Angjelina jetoi shumë vite në Manastirin e Krushodolit, ku vdiq në vitin 1516. Ky manastir u ndërtua nga Angjelina dhe i biri, Gjergji. Ndër pikturat murale të këtij manastiri edhe sot të shfaqen portretet e Angjelinës dhe dy djemve, si dhe skena e familjes së saj. Për historinë e Shën Angjelinës, të bijës së Gjergj Arianitit, kanë shkruar mjaft autorë të shquar europianë.

Interesante janë dhe martesat e vajzave që Gjergj Arianiti pati me Pietrina Frankonesin (Maria, Teodora dhe Katerina), martesat e të cilave janë: Maria me Bartolomeo Xhupo, me lidhje të njohura me papën Sisto IV (1414-1484), Teodora qe e pafat në martesën e saj me një shqiptar, banues në Venedik (ajo u martua tri herë) dhe Katerina, e cila pati tre burra: Andre Spani (një feudal nga Drishti), burri i dytë Nikol Bokali (duka i Moreas) dhe burri i tretë Mërkur Bue Shpata (dhespot i Eiprit).

Gjergj Arianiti pati dhe tre djem përveç njëmbëdhjetë vajzave, Thomai, i cili gjatë viteve 1484 shënohet se ka qenë sekretar i kancelarisë së Vatikanit, për të cilin mendohet se ka qenë mjaft i zoti për komandë, Konstantini dhe Arianiti. Konstandin Arianiti është një personazh dhe një pinjoll emblematik i derës së Arianitëve. Ka lindur rreth vitit 1456 në Durrës, i biri i Gjegj Arianitit, një nga shqiptarët e njohur për luftëra, politikë dhe diplomaci me gruan e tij të dytë Pjetrina Frankone (nga Pulja). Burimet venedikase shpjegojnë se në këtë kohë Gjergj Arianiti (1456) ishte në Durrës, i cili në fundin e jetës së tij ishte nën mbrojtjen e Republikës së Venedikut. Pas vdekjes së Gjergj Arianitit, Pietrina, e veja e tij (gruaja e dytë) braktisi Durrësin dhe u kthye në Lecce, që pavarësisht pasurive që kishte atje, ajo u transferua në Romë, ku Vatikani e lejoi që të merrte ndihma për veten dhe fëmijët e saj.

Një nga figurat emblematike të familjes Arianit është Konstandini, emri i të cilit përmendet jo pak në burme të ndryshme romane, franceze dhe të tjera. Jetëshkrimi i tij është me ulje – ngritje të shumta, që nga momenti kur ai hyri në shërbimin e kryepriftërisë, në vendin e sekretarit të parë apostolikë dhe në vitin 1483 i konfirmohet privilegji i fisnikërisë së Venetit. Pozitat e Konstandinit ndryshonin sa herë që kishte ndryshime apo vdekje të njerëzve të rëndësishëm në Vatikan, siç ishte vdekja e Sistos IV pas vdekjes së Bonifacit (pasi ishte martuar me të bijën e tij Franceska, prindërit e të cilës, Bonifaci vdiq në vitin 1494 dhe e ëma e saj Maria vdiq në vitin 1495), me pëlqimin e fisnikërisë së Monferatit, mori detyrën e guvernatorit të markezatit dhe të tutorit të dy fëmijëve të vegjël të çiftit Guliem Xhovani dhe Xhorxho Sebastiano, shkak që u kërcënua nga sulmet e Karlit të VIII-të, ku dhe njëherë Konstandini shpalosi zotësi diplomatike me francezët.

Ndërkohë burimet arkivore të Vjenës tregojnë për lidhje të ngushta të Konstandinit me oborrin perandorak, ku njoftohet, se perandori Maksimiliano I i konformoi atij edhe lidhje gjaku, titull që rridhte nga emërtimi i detyrave të larta kalorësiake, por dhe si rezultat i martesës së mbesës Lukrecia me Paolo Sforca, i afërm i gruas së perandorit. Lidhjet me perandorin Maksimiliano u forcuan sa ky i fundit propozoi si mëkëmbësin e tij të përgjithshëm në gjithë pjesët që kishte ai nën zotërim në të gjithë Italinë. Ndërsa Filipi de Komynes kishte planifikuar ta emëronte Konstandinin si mbret të Maqedonisë. Me vdekjen e mbretit, Konstandini humbi mbështetjen e nga oborri i Francës, ai u hoq nga guvernator i Monferatit nga pasardhësi i Karlit VIII (Luigji i XII), syrgjynohet në kështjellën e Novarës dhe pasi iku nga andej, shkon në Pizza dhe i drejtohet Romës për t’i afruar papatit shërbimet e tij.

Duke mos gjetur mbështetjen e duhur në Senatin e Venedikut, në vitin 1501 kapërcen Alpet e Italisë dhe shkon në Vjenë. Maksimiliani i e emëron ambasadorin e tij në Vatikan, për shkak të njohjeve dhe lidhjeve të shumta që kishte zhvilloi një aktivitet të dendur diplomatik. Pastaj ai kaloi në shërbimin e Xhulios II kryesisht në çështjet aventureske në Republikën e Venedikut. Për shërbimin e tij, Xhulio II e emëroi Kanstandinin kapiten të ushtrisë së Këshillit, në Letarno (1512-1517), por Montefiore mbeti shtëpia e banimit të tij. U varros në bazilikatën e Shën Apostolit. Konstandini pati gjashtë vajza dhe një djalë të quajtur Arianit, për të cilin thuhet se ka qenë princ i Maqedonisë, me një aktivitet të dendur diplomatik dhe ushtarak. Historiografia disponon nga burime të shumta martesat e fëmijëve të Konstandinit të cilat janë të sërës së lartë të kohës, duke vijuar traditën familjare, me lidhje të shumta të karakterit politik dhe diplomatik.

Djali tjetër i Gjergj Arianit Komnenit, Arianiti në fillim ka qenë në shërbim të Venedikut, por më pas u kthye në mysliman me emrin Mehmet. Qe mytesarif i Himarës (1485), më pas sanxhakbej i Vlorës dhe u vra nga himarjotët e Vlorës, pse kishte braktisur fenë ortodokse. Familja e Komnenëve është një nga familjet e njohura shqiptare, për historinë e të cilës ka shumë burime në disa vende evropiane dhe për të cilën janë bërë mjaft interpretime, që në disa raste ka keq- interpretime, pasaktësi dhe gabime të qarta. Familja Arianiti, veçmas Gjergj Arianit është një nga personalitetet e shquara të kësaj familjeje i cili u shqua për diplomaci, për politikë dhe për luftëtarë të shquar kundër pushtuesit osman në veçanti, linja mashkullore e të cilit u shua kryesisht në Itali

Ky është dhe domeni i gjerë i familjes së Donika Kastriotit, e cila në martesën me princin e arbërit, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, do të marrë një rol të rëndësishëm në historinë e Arbërisë së kohës, pavarësisht lidhjeve të shumta që Gjergj Arianiti kishte krijuar, jo vetëm me princër, mbretër dhe guvernatorë të huaj në Ballkan apo në Itali, por dhe në dinastitë e kohës si Dukagjinët dhe Kastriotët, duke shpaluar një histori interesante dhe mjaft të mirëpërdorur politikisht nga Gjergj Arianiti, që ai i përdori për t’iu kundërvënë armikut të shqiptarëve, otomanëve, por dhe për të mbrojtur zotërimet e tij të shumta gjatë gjithë luginës së lumit Shkumbin deri në bregdet, ku ai kishte një nga selitë e tij.

Martesa e Andronika (Donika) Komnenit (Arianitit) ka qenë një martesë politike për kohën, por ajo u kthye në një model të shkëlqyer të raportit të saj me bashkëshortin, i cili mori mbi shpinë një emision madhorë para historisë dhe atdheut, por dhe si një zonjë që reflektoi madhështinë e familjes së Arianitëve dhe të Kastriotëve. Pra ajo, qe një bashkëpërkuese komplekse e bashkëshortes dhe e kohës. Duke qenë vajza e prijësit të famshëm të luftës kundër osmanëve, Gjergj Arianitit, ndërkohë ajo ishte dhe një dukeshë e njohur, atribut që rridhte nga hierarkia familjare.

Andronika (Donika) Kastrioti ka lindur në Kaninë në vitin 1428. Martesa e saj me Gjergj Kastriotin ishte një nga martesat më të rëndësishme të kohës, e cila i bëri një shërbim të jashtëzakonshëm gjithë shtetit të Arbërit. Sipas Marin Barletit, në veprën e tij “Historia e Skënderbeut” prijësi ynë nuk e kishte mendjen për martesë, por me këmbënguljen e të afërmve, Vojsavës dhe farefisit, ai vendosi, duke dërguar Gjin Muzakën, për të kërkuar dorën e vajzës së Gjergj Arianitit. Donika ishte 23 vjeçe kur u martua me Skënderbeun, ndërsa bashkëshorti i saj ishte 46-vjeçar. Martesa e tyre shënohet me datën 23 prill të vitit 1451, një dasmë që zgjati tri ditë. Dasma e Donika dhe Gjergj Kastriotit është një nga dasmat më të mëdha dhe më të shënuara të kohës. Ajo u përjetësua në kujtesën popullore, në këngë dhe në valle të shumta me një shkëlqim të pazakontë në kalanë e Kaninës, ku u bë dhe shkëmbimi i unazave, sipas kronikave të kohës. Në Qishbardhë (Kisha e Bardhë), afër Kaninës, çifti Kastrioti mori bekimin ungjillor, për të vazhduar ceremonia martesore në Manastirin e Ardenicës, ku rezultojnë dhe shënimet kishtare për këtë ditë të shënuar.

Në traditën folkloristike të Labërisë, ende ndihen gjurmët e kësaj e dasme madhështore në vargjet poetike është derdhur një tablo e gjerë: “Ç’dasmë që bë Arianiti,/ Atë natë kalaja ndriti,/ kënga dhe vallja buçiti,/çelën llamba, ndezën pisha,/plot tryeza me të gjitha,/mish dashi – Labërie,/verë Parge – Çamërie,/Kanina ndezur në flakë,/ çdo portë e lyer me mjaltë…”. Edhe poeti ynë kombëtar Naim Frashëri, këtë moment të mrekullueshëm të jetës së Donikës me Skënderbeun e ka pikturuar në vargjet e tij: “Dhëndri si dielli ndriste,/edhe nusja që prunë, porsi hëna vetëtinte,/dritënë në dritë e shpunë…”.

Ceremonia e martesës së Donika dhe Gjergj Kastriotit u përsërit dhe në kalanë e Beratit. Donika Kastrioti ishte një grua me një personalitet të pazakontë, të cilin e demonstroi me urtësi, me qartësi dhe me një raport të theksuar njerëzor, duke qenë nga njëra anë një dukeshë e njohur prej rrënjës familjare dhe një princeshë e parë nga martesa me Skënderbeun. Lidhur me njohjen racionale dhe të plotë të Donika Kastriotit nga historiografia shqiptare ka shumë mangësi, madje dhe për portretin e saj fizik. Ajo shkëlqeu si bashkëshorte dhe si nënë.

Dëshmi fragmentare për Donika Kastriotin vijnë përmes veprave letrare të kohës, në të cilat ajo spikat epërsinë e një gruaje të fortë, e cila arrin të përballojë ngarkesën e madhe që ajo kishte, gjendjen e vështirë në kushte lufte që bashkëshorti i saj Skënderbeu kishte përballë njërin nga armiqtë më të egër të kohës, përballë një mjedisi, në shumë raste i pleksur me pabesi dhe tradhti, në të cilat personaliteti, maturia dhe raporti i Donika Kastriotit shkëlqen mbi të gjithë. Ajo ka qenë dhe ka mbetur një nga ekuilibrat, një nga shtyllat e forta në të cilat u mbështet dhe qe i suksesshëm princi i shqiptarëve – Skënderbeu.

Pas vdekjes së Skënderbeut, Donika Kastrioti, bashkë me të birin Gjon Kastriotin, u largua nga atdheu, pasi kuptohet se e priste një fat i keq, me pushtimin e vendit nga otomanët. Republika e Venedikut e pati shpallur të birin e Skënderbeut,- Gjonin, “Qytetar Nderi” dhe i kishin siguruar atij një shtëpi banimi në ishullin Korcola. Donika Kastrioti ishte një grua e zgjuar dhe ekuilibruar. Ajo në këtë rast zgjodhi të jetonte në Mbretërinë e Napolit, ku familja e saj gëzonte dhe dy feude, porse dhe sepse, Mbretëria e Napolit, ndryshe Republikës së Venedikut nuk bënte kompromise të befasishme dhe të papritura me turqit. Kështu Gjon Kastrioti, i biri i Skënderbeut dhe Donika Kastrioti, e ëma e tij, jetonin në pronat që i trashëgonin nga Skënderbeu.

Gjatë qëndrimit të Gjonit në Itali, bie në sy edukimi i tij si një luftëtarë në gjurmët e të atit të tij dhe të traditës së familjes së nënës së tij Donika Komneni. Siç kuptohet, dhe pse i larguar në moshën 13-14-vjeçare nga Arbëria, e ëma, Donika, e kishte edukuar dhe rritur të birin me ndjenjën e atdheut dhe të luftëtarit. Kështu, ai u përfshi në luftën e Otrantos kundër osmanëve dhe me këtë rast, luftëtarë shqiptarë në këtë luftë i kërkuan atij të kthehej në Shqipëri, kërkesë që ai e pranoi pa hezitim. Duke pasur dhe mbështetjen e mbretit Ferdinant, bashkë me Konstandin Muzakën zbritën në Durrës, ndërkohë në jug (Himarë) ishte një front i nxehtë lufte, në Shqipërinë e Epërme vepronin forcat e Nikollë e Lekë Dukagjinit. Gjon Kastrioti u mirëprit nga banorët e Shqipërisë së Mesme dhe të Himarës, si një trashëgimtar i ligjshëm i vendit.

Përballja e parë me osmanët, kryesisht me ushtrinë e Sulejman pashë Eunukut, i cili në rrethinat e Vlorës po e përgatiste ushtrinë për të shkuar në Itali, Gjon Kastrioti e humbi, duke humbur dhe besimin e tij. Në këto rrethana mendoi të kthehet përsëri në Itali, por rreth tij, banorë kryesisht të zotërimeve të Kastriotëve u afruan rreth tij (7 mijë të tillë), dhe në vitin 1481 i sulmuan dhe i shpartalluar ushtritë osmane. Me këtë rast u liruan nga luftëtarët e Gjon Kastriotët të gjithë robërit e zënë kohë më parë. Ndërkohë në Jugun e Shqipërisë Konstandin Muzaka dhe Korkodil Klladha sulmuan kështjellën e Himarës dhe të Sopotit (Borshit), duke e detyruar Sulejman Pasha të nisej në ndihmë të forcave osmane, të cilat u shpartalluan nga forcat shqiptare me shumë të vrarë, me robër, njëri prej të cilëve ishte vetë Sulejman Pasha.

Gjon Kastriotit në këtë rast, himarjotët ia dërguan trofe robin Sulejman Pasha, të cilin Gjoni ia dërgoi mbretit të Napolit si trofe belejbeun e Rumelisë. Pas luftimeve të suksesshme, çlirimin e kështjellës së Himarës, asaj të Sopotit, shpartallimi i ushtrisë së Sulejman Pashës, çlirimi nga ushtria e Napolit dhe kështjellës së Otrantos, Gjon Kastrioti me ushtrinë e tij i drejtohet Krujës, duke ndërmarrë luftime për çlirimin e saj. Gjatë një kohe rekord, deri në vitin 1481 shqiptarët çliruan një pjesë të madhe të zotërimeve të Kastriotëve, përfshirë edhe kështjellën e Stelushit.

Në vitin 1483 u bë marrëveshja e paqes me Perandorisë Osmane dhe Mbretërisë së Napolit, me këtë rast ushtritë osmane filluan luftimet për të ripushtuar zotërimet e Kastriotëve, që Gjon Kastrioti i pati fituar me luftë. Një vit më vonë, 1484, Gjon Kastrioti me ushtrinë e tij shpartalloi ushtrinë osmane pranë lumit Erzen, që konsiderohet dhe beteja e fundit fituese prej tij, pasi ushtria osmane u fuqizua shumë dhe filloi të rifitonte terrenin e humbur, në vitin 1484 ajo mori kështjellën e Himarës dhe të tjera. Në këtë rrethana Gjon Kastrioti dhe shumë sundimtarë të tjerë shqiptarë u larguan nga vendi. Gjon Kastrioti vdiq në Itali, pas vitit 1502 dhe la pas vetes pesë fëmijë.

Ndërsa Donika Kastrioti, pas Napolit u largua në Spanjë, ku dhe varroset në një kishë të Valencias në vitin 1506. Burimet historiografike tregojnë se Donika Kastrioti në Itali e kudo shkoi, jetoi me një krenari të veçantë, me mençuri, jo vetëm gjatë kohës që ishte në Shqipëri, por dhe pas largimit të saj nga atdheu në vitin 1468. Në Spanjë, Andronika Kastrioti mendohet se ka ikur në vitin 1501, duke qenë në moshën 73-vjeçare. Pa mundur të rikthehet në Napoli, ajo mund të ketë vdekur mes viteve 1505-1506, varroset në kishën e Trinisë së Shenjtë në Valencie të Spanjës, sipas testamentit të Giovanna-ës III. Një prej burimeve të hershme dokumentare, vepra e G. A. Summonte “Del Istoria della citta e Regno di Napoli IV” botuar në Napoli 1675, shënon se: “Gruaja e Skënderbeut është varrosur në Kishën e Shën Trinisë së shenjtë në Valencia, në vitin 1506”.

Andronika (Donika) Kastrioti ishte dhe mbeti një princeshë e Arbërisë së kohës. Vepra e saj njerëzore plekset fort me origjinë familjare të saj dhe me kurorëzimin në martesë me Skënderbeun, e më pas në rritjen, edukimin e Gjon Kastriotit, të birit, i cili ndoqi trashëgiminë luftarake të të atit (Skënderbeut) dhe të familjes së ëmës, Arianitëve. Hulumtimet dhe gërmimet në arkivat e perëndimit kanë ende shumë të panjohura për këtë grua të fortë të Arbërisë, për të cilën nuk është shkruar sa duhet. Ajo duhet vlerësuar dhe parë dhe si një personazh apo personalitet më vete, si një princeshë me peshë në historinë shqiptare.

 

Nga: Bardhosh Gaçe

 

Në gjuhën e të vërtetës historike

Epiri dhe Thesprotia shqiptare

"Vetmia kolektive"

Fotografi zhduk celularët!

Drejtimi shpirtëror i kombit

“Nga t’ia mbajë shqiptari?”

Kosova pret artistët

Festivali Ballkanik i Folklorit