Bashkë-raportuesit e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE), Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly kanë reaguar me shqetësim për dorëheqjen e deputetëve të opozitës nga mandatet parlamentare.
“Në një shoqëri demokratike, parlamenti është qendra e debatit politik, dialogut dhe diskutimit. Parlamentarët i përkasin parlamentit! “, thuhet në deklaratë. Duke përshëndetur faktin se protestat e fundjavës së kaluar u zhvilluan në mënyrë paqësore, ata i bënë thirrje deputetëve të opozitës të rishikojnë vendimin e tyre për dorëheqje nga mandatit dhe të rinisin punën në parlament.
Në të njëjtën kohë, ata i bënë thirrje shumicës në pushtet që të sigurojnë një hapësirë të përshtatshme për opozitën për të funksionuar dhe për t’u angazhuar në një dialog të sinqertë dhe domethënës mbi reformat kyçe dhe qeverisjen e vendit. “Të dyja palët duhet të përdorin parlamentin për t’u angazhuar, në mirëbesim, në një dialog të tillë në mënyrë që të kapërcehet stuhia aktuale politike. Nëse kërkohet, ne jemi të gatshëm për të ndihmuar kolegët tanë nga të dyja palët në këtë përpjekje,”-përfundon deklarata e bashkëraportuesve për Shqipërinë.