Bashkia e Prrenjasit është në prag të mbylljes së dyerve të institucionit, e jo vetëm.
Mosmiratimi i buxhetit të vitit 2019 ka paralizuar të gjitha shërbimet në këtë bashki, e sipas saj, problemi më i madh është mirëfunksionimi i kopshteve dhe çerdheve.
Nga sot, fëmijët e këtyre kopshteve dhe çerdheve kanë mbetur pa ushqim. Sipas kryetares së Bashkisë së Prrenjasit, znj. Miranda Rira, mosmiratimi i buxhetit është sulm dhe bllokim politik nga ana e PS-së.
Bashkia e Prrenjasit ka thirrur dy herë Këshillin Bashkiak për të miratuar buxhetin e vitit 2019, e në të dyja rastet këshilltarët nuk e kanë miratuar atë.
Nga ana e saj, PS pretendon se buxheti ka qenë i jashtëligjshëm dhe për këtë është bllokuar, e jo vetëm nga këshilltarët e majtë. Kujtojmë se Këshilli Bashkiak i Prrenjasit ka vetëm 4 këshilltarë të PS-së nga 21 gjithsej.
Edhe Prefektura e Elbasanit i ka sugjeruar Bashkisë së Prrenjasit që pasi të ketë plotësuar mangësitë në hartimin e projektbuxhetit, të thërrasë Komisionin e Ekonomisë dhe Financave dhe më pas të rishqyrtojë materialin për buxhetin e vitit 2019.