MENU
klinika

Të dhënat për janarin

Bien eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës, arsyeja

20.02.2019 - 14:43

Tarifa e Kosovës prej 100% ndaj produkteve serbe të importit, nuk ka nxitur aspak një rritje të eksporteve shqiptare drejt vendit. Shqipëria nuk ka ditur të zërë një pjesë të vendit të lënë bosh nga Serbia në tregun kosovar.

Këtë gjë e treguan edhe shifrat e muajit Dhjetor sa i përket tregtisë së jashtme, por tanimë e vulosin shifrat e muajit Janar.

Të dhënat e tregtisë së jashtme të Instat tregojnë qartë se gjatë Janarit, eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës jo vetëm që nuk janë rritur, por madje kanë rënë, dhe ndjeshëm.

Gjatë janarit u eksportuan drejt Kosovës vetëm 1.08 miliardë lekë mallra, nga 2.14 miliardë lekë të muajit paraardhës, pra në rënie me 98.1% në terma mujorë. Por për ta zhveshur shifrën nga efektet sezonale, krahasimi më i saktë do të ishte në terma vjetorë, pra Janari i vitit aktual me Janarin e vitit të kaluar.

Por, edhe këtu kemi të bëjmë me rënie, në 1.08 miliardë lekë, nga 1.35 miliardë lekë të janarit të vitit 2018. Në terma vjetorë, rënia fiksohet kështu në 25%.

Të dhënat tregojnë qartë se, eksportuesit dhe sidomos prodhuesit vendas nuk kanë potencial për më shumë. Vendosja e taksës prej 100% në fund të Nëntorit të vitit të kaluar, fillimisht u komentua gjerësisht si një mundësi e artë për Shqipërinë që të rrisë eksportet por edhe si një shans për Kosovën që të konsumojë prodhime shqiptare.