MENU
klinika

Ankohen studentët

Bojkoti ‘djeg’ bursat e studentëve

20.02.2019 - 16:13

Pas rikthimit në auditore, studentët kanë hasur pasojat e para të bojkotit të tejzgjatur.

Studentët të cilët janë përfitues të bursës së shkollimit nga qeveria, ankohen se prej dy muajsh në llogarinë e tyre nuk është hedhur asnjë lek.

Denoncimi vjen nga studentë të fakulteteve të Universitetit të Tiranës. Ata shprehen se prej dy muajsh nuk kanë përfituar asgjë të premtuar nga qeveria.

“U bë kohë që kemi dorëzuar të gjitha dokumentet që na u kërkuan nga sekretaria mësimore, qoftë për bursën mujore të shkollimit, qoftë për përjashtimin nga tarifa. Për këtë të fundit nuk kemi asnjë lajm nëse jemi pranuar, ndërsa për të parën, që është e verifikueshme, nuk ka ende asgjë në bankë”, shprehet një studente e Fakultetit të Shkencave Sociale.

Ndërkaq, përballë një situate të njëjtë gjenden edhe studentët në Fakultetin e Drejtësisë dhe ata të Histori-Filologjisë. Administratorja e fakultetit, Parashqevi Pogace, shprehet se është në pritje të një sqarimi specifik nga ana juridike nga Ministria e Arsimit dhe administratori i Universitetit të Tiranës.

Administratorë të fakulteteve të tjera pohojnë se ky problem është krijuar për shkak të mosfrekuentimit të mësimit përgjatë muajit dhjetor dhe janar.