MENU
klinika

Almanak

Çfarë ka ndodhur më 24 shkurt?

24.02.2019 - 08:10

19 pes – Në Jeruzalem, mbreti Herod përkushton tempullin e restauruar, por ofendon hebrenjtë duke vendosur një shqiponjë perandorake romake mbi hyrjen kryesore.

1208 – Shën Françesku i Asizit vendos t’ia përkushtojë jetën të varfërve. Ati i tij, Pietro, tepër i indinjuar, u përpoq për t’ia ndryshuar mendjen, së pari me kërcënime dhe pastaj me rrahje. Për këtë, Françesku e hedh babanë në gjyq; përmes procedurave ligjore para ipeshkvit të Asizit, ai mohon prindin dhe heq dorë nga pasuria (i ati i Françeskut ishte tregtar i pasur).

1387 – Mbreti Charles III i Napolit dhe i Hungarisë vritet në Buda. “Buda” dhe “Pest” bëjnë “Budapest” – qytet i bashkuar prej vitit 1873. Për herë të parë emri i kombinuar ” Buda-Pest ” dëshmohet në vitin 1831 në librin “Vilag” (“Bota” / “Drita”), nga Istvan Szechenyi. Origjina e fjalëve “Buda” dhe “Pest” nuk është e qartë; “Buda” vjen nga emri i themeluesit të saj, Bleda, vëllai i Atilas. Një shpjegim tjetër; “Buda” nga sllavishtja “voda” (ujë), përkthim nga latinishtja “Aquincum”, vendbanim kryesor romak në rajon. Edhe mbi origjinën e emrit “Pest” ka disa teori; Ptolemeu përmend “Pession” “shpellë” por edhe vend për të “pjekur” “furrë” (gëlqereje) nga gjermanishtja e vjetër.

1409 – Vdiq Dimitër Jonima, nga familja Jonima që zotëronte territore të gjera midis lumenjve Drin dhe Mat. Së bashku me fisnikët e tjerë shqiptarë ai përmendet si pjesëmarrës në Betejën e Fushë Kosovës më 1389. Pas 4 vjetësh, Jonima pësoi një tjetër humbje kur forcat osmane morën Shkodrën. Në vitin 1402, bashkë me fisnikë të tjerë shqiptarë vasalë osmanë, si Gjon Kastrioti (i ati Skënderbeut), Koja Zaharia e Tanush Dukagjini, Dimitër Jonima luftoi përkrah forcave të sulltan Bajazitit në betejën e Ankarasë ose Angoras kundër forcave Turko-Mongole të Timurit. Sulltan Bajaziti humbi. Timuri vdes pas dy vjetësh, dhe perandoria osmane e rimerr veten.

Princ Jonima behet vasal i Venedikut. Pas vdekjes, zotërimet e Jonimas u bënë pjesë e Principatës së Kastriotit. Anëtarë të tjerë të familjes Jonima janë përmendur më vonë në rajonin e Shkodrës, por ata kurrë nuk arritën famën e Dimitrit. Edhe shumë kohë pas vdekjes së tij, në vitin 1431, pas disfatës së Gjon Kastriotit nga forcat osmane, tokat e marra prej Gjon Kastriotit dhe që dikur i përkisnin familjes Jonima, u regjistruan nga osmanët si “vilajeti i Dhimitër Jonimas”. Emri i fshatit Gjonëm afër Laçit thuhet se e ka prejardhjen nga famija Jonima (Gonoma, Guonimi, Ghionoma, Gjonëmi).

1510 – Papa Julius II çkishëron republikën e Venedikut. Papa Julius II njihet për angazhimin e Michelangelos për të pikturuar tavanin e Kapellës Sistine dhe për themelimin e Gardës zvicerane për mbrojtjen e tij personale. Papa Julius ishte i vendosur për të rimarrë kontrollin mbi të gjithë territoret nga shtete rivale të tilla si Republika e Venedikut. Duke shpallur synimin e tij për ta zvogëluar Venecian në statusin e një fshati peshkimi, Papa Julius krijoi aleancë me Louis XIII të Francës, me perandorin romak Maximilian, dhe mbretin Ferdinand II të Aragonës, dhe deklaroi me dekret çkishërim e Republikës e Venedikut.

1582 – Papa Gregori XIII njoftoi shpalljen e një kalendari të ri, i cili përdoret edhe sot. Kalendari u quajt Gregorian, dhe zevendësoi Kalendarin Julian i shpallur nga Jul Çezari që në vitin 45 P.E.S.

1786 – Lindi shkrimtari gjerman Wilhelm Grimm, më i riu i vëllezërve Grimm, të njohur për përmbledhjet e tyre më përralla për fëmijë. Thuhet se gjatë gjithë jetës, dy vëllezërit Wilhelm dhe Jakob Grimm qënë thuajse të pandashëm; shtëpi e përbashkët, dhomë e përbashkët, tryezë pune e përbashkët, bibliotekë e përbashkët; edhe librat me autorësi të përbashkët.

1852 – Shkrimtari rus Nikolai Gogol, i ndikuar nga prifti fanatik Konstandivoski, djeg dorëshkrimin e vëllimit të dytë të romanit “Shpirtra të Vdekur”. Gogol vdiq 10 ditë më pas.

1895 – Në Baire, një qytet afër Santiagos në Kubë, shpërthen revolucioni, duke nisur Luftën Kubane të Pavarësisë , që përfundoi me Luftën Spanjolle-Amerikane më 1898.

1917 – Britania publikon “Letrën e Zimermanit”, një mesazh i shifruar, dërguar nga Gjermania për ambasadorin e saj në Meksikë, ku flitej për një aleancë të mundshme Gjermani – Meksikë nëse SHBA-ja hynte në Luftën e Parë Botërore. Publikimi i mesazhit, e ktheu opinionin publik amerikan kundër Gjermanisë, dhe futi SHBA-në në luftë.

1917– Në Rusi nis Revolucioni Demokratik i Shkurtit, që detyroi abdikimin e Carit. Revolucioni i Shkurtit, ishte i pari i dy revolucioneve që ndodhën në Rusi më 1917-ën. Ngjarjet kryesore të revolucionit u zhvilluan në Petrograd (Shën Petersburgu i sotëm), kryeqyteti i atëhershëm i perandorisë ruse, ku masat popullore shpërthyen në revoltë kundër monarkisë, pas vendimit të nje ditë më parë për racionimin e ushqimit.

Aktiviteti revolucionar zgjati rreth 8 ditë, dhe përfshiu demonstrata masive dhe përleshje të dhunshme me policinë dhe xhandarët, forcat e fundit besnike të monarkisë ruse.

Më 27 shkurt, ushtria iu bashkua revolucionarëve. Tre ditë më vonë, Car Nikolla II abdikoi nga froni, duke i dhënë fund sundimit dinastik të Romanovëve dhe Rusisë perandorake.

Një qeveri e përkohshme ruse nën princin Georgi Lvov, zëvendësoi qeverinë e vjetër monarkike. Revolucioni nuk pati ndonjë udhëheqje të vërtetë apo një planifikim formal.

Rusia kishte vuajtur nga një sërë problemesh ekonomike dhe sociale, të cilat u përzjenë pas fillimit të Luftës së Parë Botërore në vitin 1914.

Në tërësi, mbi 1.300 njerëz u vranë gjatë protestave të shkurtit 1917. Qeveria e Lvov, u zevendësua shumë shpejt nga një qeverim e drejtuar kryesisht nga socialdemokratët (menshevikët) në drejtimin e politikanit me prirje liberale Aleksandër Kerenski. Megjithë dëshirën e dëshmuar nga ky i fundit për të ndërmarrë reforma dhe nxjerrë vendin nga prapambetja e theksuar, kaosi ishte mbizotërues.

Situatën e shfrytëzuan më së miri bolshevikët, që 9 muaj më vonë organizuan një tjetër kryengritje revolucionare, duke rrëzuar qeverinë e Kerenskit dhe marrë marrë pushtetin. Shumë historianë dhe studiues, argumentojnë se nëse Rusia do të kishte patur sukses në kalimin gradual nga autokracia e Carit drejt një shteti demokratik, siaps stilit perëndimor, komunizimi nuk do të kishte triumfuar në Rusi, dhe për pasojë as në mbi një të tretën e vendeve të botës.

1920 – Në Gjermani, themelohet Partia Naziste.

1924 – Parlamenti grek e shpall vendin Republikë.

1945 – Kryeministri i Egjiptit, Ahmad Mahir Pasha, vritet me armë zjarri në një atentat në parlament, menjëherë pas leximit të një dekreti.

1946 – Juan Peron zgjidhet president i Argjentinës. Peron një ushtarak dhe politikan kontradiktor, zgjidhet kreu i shtetit argjentinas. Më 1943-in, Peron, asokohe oficer i ushtrisë, iu bashkua një grushti shteti ushtarak kundër qeverisë civile joefektive të Argjentinës. I emëruar në postin e Ministrit të Punës, ndikimi i tij u rrit ndjeshëm, dhe më 1944 ai u bë zv.kryeminisrtër dhe Ministër i Luftës.

Në tetorin e vitit 1945, Peron u hoq nga postet që mbante pas një grushti shtet të organizuar nga civilë dhe ushtarakë bashkë, dhe u burgos. Por thirrjet nga klasa punëtore dhe parnerja e tij karizmatike, Eva Duarte, detyruan lirimin e tij të shpejtë.

Natën e lirimit të tij, më 17 tetor, ai iu drejtua nje turme prej rreth 300 mijë njerëzish nga ballkoni i pallatit presidencial, dhe premtoi të udhëheqë njerëzit drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Katër ditë më vonë, Peron, u martua me Eva Duarten, ose “Evita”, sikurse thirrej nga populli.

Si president, Peron ndërtoi një qeverisje populiste, dhe vizioni i tij i vetë-mjaftueshmërisë për Argjentinën i siguroi atij mbështetje të gjerë. Megjithatë, ai u bë gjithnjë e më autoritar, duke burgosur kundërshtarët politikë dhe duke kufizuar lirinë e shtypit.

Më vitin 1952, burimi i tij më i madh politik, Evita, vdiq dhe mbështetja për të u venit. Tre

vjet më vonë, ai u rrëzua sërish nga pushteti në një grusht shteti ushtarak. Më 1973, pas 18 vitesh në mërgim, ai u rikthye në Argjentinë dhe u zgjodh sërish president. Gruaja e tij e tretë, Isabel de Martinez Peron, u zgjodh si zv.presidente, dhe në vitin 1974 e pasoi atë pas vdekjes së tij.

1991 – Lufta e Gjirit Persik, forcat e koalicionit ndërkombëtar hyjnë në Irak. Menjëherë pas sulmit me raketat SCUD, që shkaktuan vdekjen e 28 trupave amerikane në Dhahran të Arabinë Saudite, trupat e ushtrisë së shtatë të SHBA-së, nisën një sulm në shkallë të gjerë ndaj Irakut nga pjesa perëndimore e Kuvajtit, duke i zënë në befasi forcat irakiane të Sadam Huseinit.

Aleatët depërtuan me shpejtësi në thellësi të territorit irakian, dhe më pas u kthyen në drejtim të lindjes, duke nisur një sulm anësor kundër Gardës Republikane Irakiane, përpara se kjo e fundit të mund të largohej. Ndërsa tanket amerikane iu afruan hyrjes së Gardës Republikane, një tank qëlloi dhe shkatërroi një tank iraken. Pak çaste më vonë, tanke të tjera hapën zjarr. Beteja zgjati vetëm disa orë. Automjetet e blinduara të Irakut u shkatërruan, me shumë pak humbje në rradhët e amerikanëve.

2008 – Fidel Kastro del në pension pas gati 50 vjetësh si president i Kubës. Vendin e tij e zë Raul Kastro, vëllai i Fidelit.

“Luna Park”, me Adriana Matoshi dhe Nik Xhelilaj

Drama shqiptare, në Festivalin e Filmit në Selanik

“Ç’janë këto veshje, këto bizhuteri, këto këngë?!”

Refleksionet e shkrimtarit të njohur, për festivalin e 11-të

Mundësi për të aplikuar në Guinness

Për Darkën e Lamës përgatitet flija 2-metërshe

“Janë 5 valixhe të mëdha me objekte personale”

Ku do ekspozohet trashëgimia etnokulturore e Musine Kokalarit?