MENU
klinika

Almanak

Çfarë ka ndodhur më 27 shkurt?

27.02.2019 - 08:19

1563 – William Byrd emërohet organist në katedralen Linkoln, Angli. Byrd (1543 – 1623), kompozitor anglez i Rilindjes, kompozoi shumë forma muzike, përfshi lloje të ndryshme të polifonisë kishtare dhe laike. Kompozimet e tij u përdorën gjeresisht në shërbimet e kishës anglikane, edhe pse ai vetë u kthye në fenë katolike romane më vonë në jetë.

1854 – Kompozitori Robert Schumann shpëtohet nga një përpjekje për t’u mbytur në lumin Rin. Schumann (1810 – 1856) konsiderohet gjerësisht si një nga kompozitorët më të mëdhenj të epokës romantike. Biografët thonë se Schumann nuk ishte vetëm gjeni në muzikë por edhe si kritik dhe mendimtar, me një stil të shkruari aq të mprehtë sa edhe në muzikë; ai ndihmonte kompozitorët e rinj duke nxitur talentin e tyre, veçanërisht Brahms, dhe ndihmoi reputacionin e të tjerëve si Shopen e Mozart.

Schumann vuajti nga një çrregullim depresiv gjatë gjithë jetës. Pas tentativës për vetëvrasje më 1854, ai u shtrua në një spital psikiatrik pranë Bonit, ku u diagnostikua me “melankoli psikotik”. Schumann vdiq dy vjet më vonë, thuhet se refuzoi të hante – vuante nga mania se njerëzit përpiqeshin ta helmonin.

1922 – SHBA, Gjykata e Lartë mbështet njëzëri amendamentin e 19-të për të drejtën e grave për të votuar.

1933 – Ndërtesa e parlamentit gjerman, Reichstag, shkatërrohet nga zjarri. Hitleri menjëherë akuzoi komunistët dhe masa të ashpra u morën kundër partisë Komuniste, ndërsa deputetët e saj nuk u lejuan në parlament. Kjo bëri të mundur që më 23 mars të miratohej akti që i dha qeverisë, dmth, Hitlerit, kompetenca diktatoriale.

Në gjyqin e bujshëm mbi djegien e Reichstagut, një holandez i quajtur Marinus van der Lubbe u akuzua për zjarr-vënie si pjesë e një komploti komunist. Disa udhëheqës komunistë, duke përfshirë Georgi Dimitrovin, u akuzuan për bashkëpunim. Van der Lubbe u dënua me vdekje, të tjerët u shpallën të pafajshëm.

Për shumë vite ishte supozuar se zjarri në Reichstag ishte vënë nga vetë nazistët si manovër propagandistike për të siguruar humbjen e komunistëve dhe partive të tjera të majta në zgjedhje. Megjithatë, të dhënat më vonë treguan se Van der Lubbe ishte zjarr-vënësi, dhe se Hitleri thjesht e përdoruri atë si pretekst për të nisur një fushatë kundër komunistëve.

1938 – Britania dhe Franca njohin qeverinë e Frankos në Spanjë.

1939 – SHBA, Gjykata e Lartë shpall të paligjshme grevat me qëndrim ulur.

1949 – Chaim Weizmann bëhet presidenti i parë i Izraelit. dhe qëndroi në këtë post deri sa vdiq më 1952. Ai arriti ta bindë qeverinë e Shteteve të Bashkuara që të njihte shtetin e sapo formuar izraelit. Weizmann, lindur në Bjellorusi më 1874, në moshë të re shkoi në Gjermani ku studioi për biokimi. Weizmann njihet edhe për zhvillimin e procesit të prodhimit të acetonit nëpërmjet fermentimit bakterial. Ai themeloi Institutin e Shkencave Weizmann në Rehovot, Izrael.

1957 – Udhëheqësi kinez Mao Tse-tung mban fjalimin “Për trajtimin korrekt të kontradiktave mes njerëzve”: “Kontradiktat midis nesh dhe armikut janë antagoniste; mes punëtorëve ato janë jo-antagoniste, ndërsa kontradiktat midis të shfrytëzuarve dhe klasës shfrytëzuese kanë edhe një aspekt jo- antagonist përveç atij antagonist”.

1964 – Qeveria e Italisë kërkon ndihmë për të parandaluar rënien e Kullës së Pizës e cila po bëhej gjithnjë e më e pjerrët. Një grup pune shumëkombësh i përbërë nga inxhinierë, matematicienë, dhe historianë u mblodhën në ishujt Azore për të diskutuar metodat e stabilizimit të kullës.

Nga përllogaritjet ata thanë se animi i Kullës së Pizës ishte rezultat i fundosjes së themeleve në njërën anë dhe propozuan shumë metoda për të stabilizuar kullën, duke përfshirë shtimin e një kundërpeshe metali plumbi prej 800 tonësh. Kulla e Pizës sot është stabilizuar për të paktën edhe për 200 vjet të tjera. Është thënë se Galileo Galilei hodhi nga kulla dy gjyle topi me madhësi të ndryshme për të treguar se shpejtësia e rënies ishte e pavarur nga përmasa.

Megjithatë, ngjarja nuk është vërtetuar se ka ndodhur, pasi burimi i lajmit ishte vetëm sekretari i Galileos. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, aleatët zbuluan se gjermanët ishin duke e përdorur kullën si pikë vrojtimi. Një oficeri i ushtrisë amerikane u dërgua për të konfirmuar praninë e trupave gjermane në kullë dheu impresionua aq shumë nga bukuria e katedrales sa që anuloi urdhrin për sulm me artileri, duke shmangur shkatërrimin e mundshëm të kullës. Në vitin 1987 kulla u shpall nga UNESKO si pjesë e Trashëgimisë së kulturës botërore.

2003 – Ish-presidentja serbe e Boshnjes, Biljana Plavshiç dënohet nga gjykata e OKB në Hagë, Holandë, me 11 vjet burg. Ajo ishte duke vuajtur dënimin në Stokholm të Suedisë, dhe në bazë të ligjit vendas u lirua në tetor 2009, pas kishte kryer dy të tretat e dënimit.

2012 – Wikileaks fillon zbulimin e 5 milionë mesazheve të postës elektronike të grumbulluar gjatë viteve 2004 – 2011, nga kompania private e zbulimit, Stratfor.