MENU
klinika

Almanak

Çfarë ka ndodhur më 28 shkurt?

28.02.2019 - 08:15

1533 – Lindi Michel Eyquem de Montaner – Montaigne – (vd. 1592) shkrimtar më me ndikim i rilindjes franceze. Ai njihet për popullarizimin e eseve si zhanër letrar, dhe cilësohet si ati i skepticizmit modern. Montaigne u bë i njohur për aftësinë për të ndërthurur mendimin serioz intelektual me anekdota të zakonshme nga jeta e tij personale – libri i tij voluminoz “Essais” (përsiatje ose gjykime) përmban, edhe sot, disa nga esetë më me ndikim të shkruara ndonjëherë. Montaigne influencoi drejtpërdrejt shkrimtarë e filozofë në të gjithë botën, përfshi Deskartes, Paskal, Shakespeare, Ruso, Emerson, Nietzsche, Zweig, etj.

1646 – Puritanë e krishterë në koloninë Masaçusest nxjerrin në gjyq besimtarin Roger Skott nën akuzat se e kishte zënë gjumi gjatë një shërbese kishtare.

1692 – Fillon “gjuetia e shtrigave” – histeria që përfshiu fshatin Salem, Masaçusets, ishte mbjellë në janar, kur një grup vajzash të reja filluan të shfaqnin sjellje të çuditshme; konvulzione, qeshje pa shkak, ulërima blasfemuese dhe ekstazë. Mjekët që u thirrën për të ekzaminuar vajzat nuk mundën të shpjegonin se ç’po ndodhte. Në shkurt, të gjithë banorët e fshatit filluan të luteshin dhe agjëronin për të shpëtuar nga ndikimi i djallit. Vajzave iu bë presion të tregonin; njëra pranoi se e kishte parë djallin herë si derr dhe herë si qen të madh; por më shqetësuesja që ajo tregoi ishte mbi një konspiracion magjistaresh ose shtrigash në Salem. Kështu filloi “gjuetia e shtrigave” gjatë së cilës shumë gra u akuzuan, u hetuan, u gjykuan dhe u dënuan me vdekje. Në pak muaj (shkurt – shtator) 19 vajza u varën, njëra vdiq nën peshën e gurëve, 4 vdiqën në pritje të gjykimit. Në fund të vitit, me urdhër të guvernatorit kolonial, gjykata u shpërnda dhe gjyqet u ndërprenë.

1704 – Elias Neau, francez, hapi shkollën e parë për zezakët në qytetin e Nju-Jorkut. I lindur në Francë nga prindër kalvinistë, Neau iku në Indiet Perëndimore së bashku me protestantë të tjerë francezë në vitin 1679 për t’i shpëtuar persekutimit fetar Kalendari i Kishës Episkopale përmban një ditë feste (7 shtator) për Elias Neaun. Kisha Trinity Wall Street e shënon këtë festë me një shërbim të veçantë për të nderuar njeriun që luajti rol të madh në fillim të historisë së qytetit të Nju Jorkut.

1759 – Papa Klementi XIII lejon që Bibla të përkthehet në gjuhë të ndryshme.

1835 – Dr Elias Lonnrot publikon poemën epike finlandeze “Kalevala”, e cila luajti rol të rëndësishëm në zhvillimin e identitetit kombëtar finn, dhe në forcimin e ndjenjës së shtetësisë që përfundimisht çoi në pavarësinë e Finlandës nga Rusia në vitin 1917. Lonnrot botoi versionin e parë të quajtur “Kalevala e Vjetër”. Versioni i njohur sot u botua në vitin 1849 dhe përbëhet nga 22.795 vargje, i ndarë në 50 këngë. Titulli mund të interpretohet si “Vendi i Kalevas”.

1870 – Peshkopata bullgare themelohet me dekret të Sulltan Abd-ul-Aziz të Perandorisë Osmane. Ky ishte rezultat i drejtpërdrejtë i përpjekjeve të bullgarëve ortodoksë kundër dominimit të Patriarkanës greke të Kostandinopojës në vitet 1850 dhe 1860.

1879 – “Eksodi e vitit 1879” – zezakët jugorë i ikin shfrytëzimit politik dhe ekonomik. Kjo valë migrimi ishte e papritur për shumë amerikanë të bardhë. Në kohën e Eksodit në Kansas, ethet e verdha prekën rëndë shumë qytete përgjatë lumenjve Misisipi. Kjo shkaktoi alarm në qytete të mëdha që vendosën masa kuarantine për të shkurajuar emigrantët e ardhshëm. Exodi nuk u prit mire edhe nga disa afrikanë amerikanë. Frederick Douglass (1818 – 1895), reformator shoqëror afrikano-amerikan, orator, shkrimtar, burrë shteti, i arratisur nga skllavëria, ishte një kritik i kësaj lëvizjeje; Ai mendonte se lëvizja ishte i papërshtatshme për kohën dhe e organizuar keq.

1917 – “The Associated Press” njofton se Meksika dhe Japonia do të bëheshin aleatë me Gjermaninë nëse Shtetet e Bashkuara hynin në Luftën I Botërore

1961 – Presidenti John Kenedi emëron Henry Kissingerin si këshilltar të posaçëm.

1997 – Duhanpirësit duhet të provojnë se janë mbi 18 vjeç për të blerë cigare në SHBA.

1998 – Lufta e Kosovës: Policia serbe fillon ofensivën kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Lufta e Kosovës ishte konflikt i armatosur në Kosovë, që zgjati nga 28 shkurt 1998 deri më 11 qershor 1999. Ajo u luftua nga forcat e Republikës Federale të Jugosllavisë dhe grupi kryengritës i armatosur i shqiptarëve të Kosovës, i njohur si UÇK, me mbështetje ajrore nga NATO. Lufta përfundoi me Traktatin e Kumanovës, ku forcat jugosllave ranë dakord të tërhiqen nga Kosova për t’i hapur rrugën një pranie ndërkombëtare.