MENU
klinika

Detyrimet tatimore

DPT bën njoftimin e rëndësishëm për tatimpaguesit

19.02.2019 - 14:09

Administrata Tatimore do të ndërpresë masat shtrënguese për sigurimin e pagimit të detyrimit tatimor, në rastet kur: tatimpaguesi e ka paguar të gjithë detyrimin e tij tatimor, kur tatimet janë falur me ligj nga ana e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe kur sipas përcaktimit në ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, është vendosur dhe shpallur detyrimi tatimor i pa mbledhshëm.

Deklarimi i detyrimeve tatimore si të pambledhshme, është procesi i cili kryhet vetëm në raste ekstreme dhe nuk është arritur të mblidhet dhe të arkëtohet detyrimi tatimor.

Detyrimi tatimor mund të deklarohet i pa mbledhshëm vetëm në rastet e mëposhtme: Kur megjithëse është bërë shitja e investimeve likuide dhe aktiveve të tjera, nuk është bërë i mundur arkëtimi i detyrimit, kur tatimpaguesi në bashkërendim me Administratën Tatimore provojnë me evidencë të saktë se tatimpaguesi nuk disponon asnjë lloj pasurie apo të ardhure, që do të mund të përdorej për shlyerjen qoftë edhe me këste të detyrimit tatimor të papaguar dhe kur pas analizës së situatës financiare dhe pasurore të subjektit tatimpagues, Administrata Tatimore arrin në përfundimin se shitja e pasurisë së tatimpaguesit, ndaj të cilit do të fillonte një procedure likuidimi apo falimentimi, nuk do të shlyente shumën e detyrimit tatimor.

DPT ka kërkuar që tatimpaguesit të jenë të kujdesshëm sepse që detyrimi tatimor të deklarohet i pa mbledhshëm, duhet që të tria arsyet më lart të plotësohen në mënyrë të njëkohshme.

Për sa i përket fillimit të procedurave të falimentimit, bëhet në gjykatë nga ana Administratës Tatimore në përputhje me ligjin nr.110/2016 “Për Falimentimin”. Administrata Tatimore në të cilën është regjistruar tatimpaguesi, ose në juridiksionin e të cilës ushtrohet veprimtaria ekonomike e tatimpaguesit, ka detyrimin të kërkojë në gjykatën kompetente, fillimin e procedurave të falimentimit.

DPT thotë se për të gjithë ata tatimpagues, ndaj të cilëve Administrata Tatimore ka kërkuar fillimin e një procedure falimentimi, publikohen informacionet përkatëse në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.