MENU
klinika

Reagimi

Djegia e mandateve/ Basha-Ramës: I bindemi vetëm popullit

18.02.2019 - 16:54

Kryetari i PD, Lulzim Basha i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, pas deklaratës të këtij të fundit se nëse opozita do e kishte seriozisht djegien e mandatave, duhet ta kishte bërë që sot.

Basha e konsideroi si budallallëk deklaratën e Ramës, pasi sipas tij opozita ka marrë vendim për t’ju bindur urdhrit të qytetarëve.

“Mos humbisni kohë me budallaqet e një njeriu të çekuilibruar. E gjithë opozita po i bindet urdhrit të sovranit. Të tjerat janë budallaqe për të evituar të vërteten, Rama nuk është më kryeministër i Shqipërisë dhe parlamenti nuk është legjitimin.

Është ekonomia, kriza sociale, emigracioni që po zbras Shqipërinë dhe Edi Rama nuk mund të japë këto zgjidhje sepse është i kapur nga krimi dhe oligarkët. Asgjë nuk e shpjegon se si mund të zhvendoset Lumi i Lanës për të mbrojtur pronat e një trafikanti droge.

Ndaj ju them se do ketë një të ardhme për shqiptarët dhe ne do prijmë betejën për të ardhmen. Pasi u kap duke vjedhur 30 mln euro tek ‘Unaza’ me një kompani që nuk ekziston, nuk shkoi askush në burg. Ky është shteti i kapur nga krimi.

Ky nuk është shteti që shqiptarët duan dhe meritojnë dhe këtë shqiptarët e treguan me protestën më të madhe me Shqipërinë më të rrudhur demografikisht në 28 vite. Ndaj, mbajeni vëmendjen tek ky moment kyç i historisë tonë, që është një moment bashkimi, vetëdijësimi dhe qëndrese. Do të ketë një të ardhme për shqiptarët. Ne jemi të vendosur t’i prijmë betejës”– deklaroi Basha.