Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka folur për “RaiNews” ku ka shpjeguar arsyet pse opozita shqiptare vendosi të djegë mandatet e deputetëve.
Kryemadhi shprehet se vetëm rënia e qeverisë që përfaqëson krimin e organizuar në Shqipëri, do të mund të sjellë stabilitet në Europë dhe në rajon.
“Institucionet janë totalisht të shkatërruara dhe është normale që ai të ndihet paksa si mbreti i Shqipërisë, duke menduar se ka mbështetjen e të gjitha institucioneve, por ky është një problem. Sjellja e tij është vërtetë një problem serioz, nëse ai nuk arrin të kuptojë se çfarë po ndodh, është problem i tij dhe jo problem i popullit shqiptar apo opozitës.
Protesta jonë do të vazhdojë. E gjithë axhenda jonë varet nga qeveria, nga vendimi i mazhorancës dhe populli do të jetë me ne, sepse ne jemi opozita, ne do ti mbrojmë dhe nuk do ti lëmë të provokohen nga forca të tjera, si forcat e sigurisë të qeverisë. Axhenda e opozitës është shumë mirë e organizuar dhe kjo axhendë do të shkojë para për ta kthyer Shqipërinë në rrugën e duhur, në një vend demokratik që synon të anëtarësohet në Europë përmes demokracisë”, shprehet kryetarja e LSI.
Kryemadhi gjithashtu tregon edhe mendimin e Metës në lidhje me mandatet, ku shprehet se ajo dhe Presidenti janë komplet persona të ndryshëm.
“Është shumë e vështirë, sepse ne jemi dy persona komplet të ndryshëm nga ana e karakterit, por gjithsesi në familje kemi gjithsecili rolin e tij. Unë jam nëna që kujdeset për fëmijët dhe ai është babai i shtëpisë, sigurisht ai mendon se aktiviteti ynë është pak i çuditshëm, pak si tepër agresiv nga pikëpamja e vendimeve që marrin (djegia e mandateve), por kjo është e vetmja mënyrë që ne të ndezim shpresën te populli se diçka po ndryshon në Shqipëri”, deklaroi Kryemadhi.