MENU
klinika

Njoftimi

DPT paralajmëron tatimpaguesit: Paguani në kohë, ose…

05.02.2019 - 12:58

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka lëshuar një paralajmërim të fortë për të gjithë tatimpaguesit.

DPT paralajmëron se të gjithë tatimpaguesve të cilët nuk paguajnë detyrimet tatimore brenda afateve kohore do tu bllokohen llogaritë bankare.

Përveçse llogarive bankare, do të nisin procedurat edhe për mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore.

Gjithashtu në njoftimin zyrtar, DPT njofton se sekuestrimi i të gjitha pasurive të luajtshme e të paluajtshme të tatimpaguesit debitor do të ekzekutohet 37 ditë pas datës së nxjerrjes së njoftimit.

“Kur konstatohet se nga ana e tatimpaguesit nuk është paguar detyrimi brenda këtij afati kohor, Administrata tatimore përveç bllokimit të llogarive bankare të tatimpaguesit, nxjerr njoftimin për fillimin e procedurave të mbledhjes me forcë të detyrimit tatimor, si dhe merr masat për sigurimin e pasurisë së tij, duke vendosur mbi sendet në pronësi të tatimpaguesit, barrë siguruese apo hipotekë.

Nëse shumat që kalojnë në llogari të Administratës Tatimore pas urdhërbllokimit të llogarive, nuk plotësojnë detyrimin tatimor të papaguar të tatimpaguesit, AT sekuestron dhe më pas konfiskon, në favor të saj, të gjitha sendet e luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të tatimpaguesit, ndaj të cilave ajo ka vendosur më parë barrën siguruese apo hipotekën.

Çdo veprim i kryer për tjetërsim të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të të tretëve nga data e nxjerrjes së njoftim vlerësimit tatimor prej tatimpaguesit do të konsiderohet nga Administrata Tatimore si i pavlefshëm dhe detyrimi për arkëtimin e këtij detyrimi tatimor do të shtrihet edhe tek personat në emër dhe për llogari të të cilëve ka kaluar kjo pasuri”, shkruhet në njoftimin zyrtar.