Një apartament në katin e shtatë të një pallati në Durrës është djegur plotësisht gjatë natës duke sjellë panik tek të gjithë banorët e tij.
Zjarri i përmasave të mëdha është vënë re rreth orës 23:30 ndërsa për ta vënë në kontroll u është dashur disa orë pune 5 makinave zjarrfikëse dhe personelit të këtij shërbimi.
Mësohet se rreth 15 persona janë asfiksuar.
Burimet nga spitali rajonal bënë me dije se banorët e pallatit kanë qëndruar derisa u janë bërë kontrollet mjekësore dhe ju është dhënë ndihma e parë atyre me asfiksi.
Fillimisht janë shpëtuar prindërit me fëmijë të vegjël. Energjia elektrike u stakua pas flakëve të zjarrit duke bërë që ashensori i pallatit të dalë jashtë funksioni.
Katet e sipërm u bllokuan nga tymi duke bërë që banorët të kërkonin ndihmë për evakuim pasi edhe kalimi nga shkallët u bë i pamundur. Banorët e kateve të sipërm janë shpëtuar nga një autoshkallë e cila i transportonte nga një ballkon i katit të tetë në tokë banorët.
Moti ka qenë në disfavor ndërsa shiu i rrëmbyeshëm vështirësoi operacionin e zjarrfikësve për të shpëtuar banorët e pallatit në lagjen 1 .
Midis të evakuuarve ishte një e moshuar e paralizuar.
Katër autoambulanca u vunë në dispozicion për të dërguar në spital çdo banor të shpëtuar ndërsa operacioni zgjati deri në mëngjes. Zjarrfikësit pa frikë mund të quhen heronjtë e heshtur të natës të cilët në kushte shumë të vështira shpëtuan banorët.
Njoftimi i policisë
“Menjëhërë në vendngjarje shkuan forcat e Policisë dhe të Zjarrëfikses, të cilët gjatë përpjekjes për te evakuuar banorët, nga tymi janë asfiksuar 10 banorë, 4 punonjës Policisë dhe një punonjës i Zjarrëfikses, të cilët u dërguan në Spital dhe pas marrjes së ndihmës mjeksore janë larguar në banesat e tyre pa probleme për jetën” informoi policia e Durrësit.
Nga hetimet paraprake mësohet se zjarri ka rënë si pasojë e një shkëndije në një dyshek elektrik.