MENU
klinika

Muzika si urë dashurie

Ermal Meta: Artistët s’kanë atdhe

25.02.2019 - 14:16

Ermal Meta, kantautori i njohur shqiptar dhe shumë i suksesshëm në Itali, ishtei ftuari special në “Domenica In”, programi shumë popullor në televizionin publik italian, Rai1.

I pyetur nga prezantuesja e njohur Mara Venier, Ermali ka treguar për publikun italian, se nuk e ka ndier asnjëherë diskriminimin.

Për këtë, ai ndihet shumë mirënjohës. “Kam qenë 13 vjeç kur kam mbërritur në Puglia. Më kujtohet se bëra shumë shokë menjëherë – tha ai. Fëmijët nuk i njohin kufijtë që caktojnë të rriturit, ata e shohin botën me sytë e tyre”.

Që i vogël – rrëfen kantautori – kam pasur bindjen se, kur të rritesha do të isha muzikant. Vetëm këtë gjë kam dashur të bëj në jetë,- vazhdon ai. Kam qenë një fëmijë shumë i vendosur dhe i disiplinuar. Nëse i vija një qëllim vetes, do të zbatoja edhe rrugën për ta arritur atë me shumë rreptësi. E kisha shumë të qartë brenda vetes, se për t’u bërë një muzikant i suksseshëm dhe për të kultivuar këtë pasion, duhet një punë këmbëngulëse dhe e vazhdueshme”.

Në të njëjtën kohë, ai nuk e mohon se për të arritur këtu ku është sot, nuk është e lehtë. Rruga e suksesit është shumë e vështirë dhe jo me pak pengesa, sidomos kur bëhet fjalë për artin.

Mes të tjerash, Meta kujtoi edhe lidhjen me fansin e tij të vogël 8-vjeçar, me emrin Xhuzepe, i cili kishte pushtuar rrjetet sociale duke kënduar këngën e tij, fituese në Sanremo 2018, “Nuk më keni bërë asgjë”, duet i Ermal Metës dhe këngëtarit italian, Fabrizio Moro.

Kantautori i famshëm shqiptar, pohoi se është në një turne koncertesh ‘live’ në të gjithë Italinë. Por, ai ka veçuar datën 20 prill, kur do të mbajë koncertin në Asiago, për të festuar bashkë me fansat edhe ditëlindjen e tij.

Pas 20 prillit, kantautori shqiptar ka deklaruar se do të ketë një periudhë pushimi, prej një viti e gjysmë.