MENU
klinika

Shifrat

“Fitim” me bankat?/ Të ardhurat financiare të biznesit për 2017

25.02.2019 - 14:53

Gjatë vitit 2017, sipërmarrja shqiptare pati një bilanc pozitiv në zërin e të ardhurave dhe shpenzimeve financiare.

Të ardhurat e këtij zëri vijnë kryesisht nga interesat që biznesi merr nga investimet financiare, përfshi paratë e mbajtura në banka, ndërsa shpenzimet financiare konsistojnë në interesat dhe komisionet e paguara për bankat.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për herë të parë në pesë vitet e fundit, ky bilanc ishte pozitiv dhe biznesi arkëtoi 4.2 miliardë lekë të ardhura financiare.

Në vitet e mëparshme, ky zë i bilancit kishte qenë negativ për disa dhjetëra miliardë lekë. Për shembull, në vitin 2016 zëri i të ardhurave dhe shpenzimeve financiare ishte negativ për gati 23 miliardë lekë.

Përmbysja e këtij raporti në vitin 2017 përbën një zhvillim të pazakontë dhe që mund të ketë disa shpjegime.

Së pari, të dhënat mbështeten në anketimin e ndërmarrjeve dhe jo në pasqyra të mirëfillta financiare, çka mund të nënkuptojë edhe një shkallë më të madhe pasaktësie.

Megjithatë, duke marrë si të mirëqena shifrat, shpjegimi më i mundshëm është ai që bizneset kanë marrë më pak kredi dhe, rrjedhimisht, kanë paguar më pak interesa.

Në fakt, rënia e kredisë për biznesin në vitet e fundit konfirmohet edhe nga statistikat financiare. Nga kjo mund të arrijmë në përfundimin se bizneset kanë shfrytëzuar më shumë fondet e veta për nevoja likuiditeti dhe për investime.

Veç rënies së kredisë, një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar është edhe ulja e mëtejshme e normave të interesit.

Në teori, rezultati financiar për këtë zë mund të ketë pasur ndryshime edhe në krahun tjetër, atë të të ardhurave. Bizneset mund të kenë kërkuar investime në instrumente më fitimprurëse se depozitat bankare.

Por, duke pasur parasysh nivelin e ulët të zhvillimit të tregut financiar, nuk duket shumë e ngjashme që faktori më përcaktues të ketë qenë ndryshimi i strukturës së investimeve.