MENU
klinika

Nga Petrit F. Zeneli

Francezët në Korçë/ Si ranë në luftë tre luanët e Panaritit?

11.02.2019 - 18:10

Ua! Po ç’deshën francezët deri në Shtyllë të Korçës?! – u habitën fëmijët e mi, ndërsa u tregoja se si ranë në luftë tre Luanët e Panaritit, Riza, Qazim e Qamil Panariti.

Kaq u desh që t’u përshkruaj atyre momentet e vrasjes, por dhe t’i çoj në Varrezat e Dëshmorëve Korçë, për të nderuar veprën e tyre, përcjellë këtu me një grup fotosh. Qazim Panariti është vëllai i gjyshit tim. Sa dhimbje e trishtim ndjeva në shpirt që në krah të Rizait e Qazimit nuk ishte dhe varri i Qamil Panaritit! Sa detyrime kemi për t’u mësuar historinë brezit të ri, që nuk e imagjinojnë dot se sa gjak është derdhur dje për këtë vend.

VRASJA E RIZA PANARITIT. Në mbrëmjen e 5 tetorit 1916, çetat patriotike të Sali Butkës, Qazim Panaritit, Hysen Nikolicës dhe Zenel Braçes nga Shëmbërdhenji i Sulovës, hynë në Backë të Skraparit dhe u bashkuan me çetat e Xake Panaritit, Gano Dipes e Shefit Krastës. Sali Butka e kishte njoftuar me një letër kryesinë e fshatit Panarit për mbërritjen e tyre dhe për qëllimin e mirë që kishin. Në mëngjesin e 6 tetorit 1916, filluan të hyjnë në Panarit pa gjetur ndonjë pengesë. Penxheret e shtëpive dukeshin të mbyllura e të puthitura mirë.

Asnjeri nuk doli t’i presë. – Nejse, – tha me vete Qazimi, – njerëzit do të dalin nga shtëpitë si t’u ketë ikur frika, dhe eci përpara drejt kishës së fshatit. Penxheret e kishës ishin të hapura. Ajo pritje e ftohtë e turpëronte vendlindjen e tij, megjithatë shpresonte… Por …sakaq, nga penxheret u përgjigjën njerëz në greqisht dhe me breshëri plumbash, nga të cilat para këmbëve të tij mbeti i vrarë Nebi Kuçi, nga Tomorrica. Reagimi i Qazimit qe i menjëhershëm. Në ndihmë nga krahët i vjen Hysen Nikolica, i cili bëri rrethimin e kishës. Përpjekja u ndez e ashpër, por, si e ndjenë veten të mundur, andartët ngritën në kishë flamurin e bardhë dhe filluan të dalin një nga një, me duart lart. Brenda në kishë u gjetën mjaft të vrarë.

Andartët e zënë robër po i merrte në dorëzim Xake Abdyl Panariti, ndërkohë, dikush qëlloi dhe Xakja mbeti i vrarë në vend. Të nesërmen, më 7 tetor 1916, të tre çetat u mblodhën në lagjen Pinderas, ku me lot në sy u dhanë lamtumirën e fundit dy dëshmorëve të lirisë, Xake Panaritit dhe Nebi Kuçit. Mbi varrin e tyre, Qazimi me shokë bënë betimin e prerë se do t’ua merrnin hakun sa më parë.

VRASJA E QAZIM PANARITIT. Më 19 shkurt 1918, Qazimi me çetën e tij, zuri pozicionet tek varret e krushqëve, në Gurët e Bardhë, mbi Shtyllë. Francezët, që e ndienin veten të përkohshëm në Shqipëri, pas rënies së Republikës Autonome të Korçës, kishin bërë marrëveshje të fshehtë me grekët që gjithë tokat që ajo mbante të pushtuara nën kontroll, pas largimit të saj, do t’i kalonin në zotërim Greqisë. Kufiri i tyre arrinte deri në atë zonë. Në shkurt 1918, ushtria franceze sulmon gjoja kundër ushtrisë austriake në frontin mbi Shtyllë, por në fakt goditjen kryesore e dha tek çetat shqiptare.

Në Shkëmbin e Shkozës në Gjergjevicë, Dërsnik e deri në Vithkuq, francezët megjithëse bombarduan me artileri pozicionet e më pas sulmuan me këmbësori, jo vetëm nuk i thyen dot çetat shqiptare, por u thyen keq vetë, duke u tërhequr e kundërsulmuar disa herë ditën e natën. Goditjen tjetër francezët e dhanë të nesërmen mbasdite, duke u përgatitur për t’u përballur me një kundërshtar të fortë. Kështu, një fuqi e madhe e ushtrisë franceze, e ardhur nga Vithkuqi e Shtylla, sulmoi Gurin e Bardhë, ku kishte zënë pozicion Qazim Panariti me çetën e tij.
Lufta zhvillohej e rreptë. Qazimi jep urdhëra, porosit shokët të ruhen, sokëllin si një dragua për t’u dhënë kurajo dhe i kujton të ruajnë pozicionet e të kursejnë municionet. Luftonte në këmbë, sa në një pozicion në tjetrin, por pikërisht në këtë moment, predhat armike e plagosin keq. Edhe në gjendje të rëndë s’tërhiqet, megjithëse po humbiste shumë gjak.


Shokët e rrëmbejnë në krahë dhe e zhvendosin nga fronti i betejës, por…., rrugës, Qazimi mbylli sytë përjetë. Çeta u tërhoq, kurse shokët e armëve e çojnë dhe e varrosin komandantin e tyre legjendar në Kapinovë të Skraparit. S’mbeti njeri pa qarë, kur morën vesh lajmin e kobshëm. Sali Butka shkuli flokët dhe e vajtoi me vargje. Pas Riza Panaritit, kjo qe humbja e dytë e madhe për këtë vend trimash. Më 8 shtator 1971, me inisiativën e Myftar Grabockës, eshtrat e Qazim dhe Riza Panaritit, u tërhoqën nga Kapinova e Pinderasi dhe u rivarrosën me nderime të mëdha në varrezat e dëshmorëve të qytetit të Korçës.

VRASJA E QAMIL PANARITIT. Në nëntor 1917, “Syreteja franceze” arrestoi udhëheqësin e lëvizjes patriotike dhe figurën numur nji të Republikës Vetëqeverisëse të Korçës, Themistokli Gërmenjin, ku në bazë të akuzës fallse si filo austriak, e pushkatoi më 9 nëntor 1917. Kurse në fillim të qershorit 1918, gjithashtu po Syreteja franceze arreston Qamil Panaritin, numrin dy të kësaj Republike, krahun e djathtë të Themistokliut, drejtorin e policisë së Republikës Korçare, duke e degdisur në burgjet e Selanikut.

Gjyqi i Vedenës (Greqi) e dënoi me vdekje, në bazë të akuzës pa baza, si filo austriak, sikurse Themistoklinë. Më pas, nga Selaniku u dërgua në Marok, dhe së fundi në Guajanën e largët franceze (Amerika e Jugut), në xhunglën tropikale, i dënuar me 20 vjet burg. Shqipëria dhe e ëma e Qamilit, Havaja, kërkuan lirimin me çdo kusht të këtij patrioti të madh. Gazeta “Dielli” datë 29.4.1919 shkruante se “Qamil Panariti është gjallë”, pasi të gjithë e dinin të vdekur

“Përpjekjet e mëdha të miqve filoshqiptarë dhe më shumë të z. Justin Godard (un avocat et homme politique français, maire de Lyon, député et sénateur du Rhône), mundnë që të lehtësojnë dënimin deri me pesë vjet, ku në fund të muajit maj 1923, pritej të kthehej në shtëpi. Por, “ ishte për të mos i qeshur buza Shqipërisë, shkruan Gazeta “Koha” datë 12 maj 1923. Mjerisht, dhe për fat të keq, ishte e shkrojtur që ai të humbas prej një gjakpirësi, i quajtur Rakip Ibrahim Alarupi, i cili, i paguar, e qëlloi nga prapa me thikë dhe e la pa shpirt“ (Gazeta “Koha“ e Mihal Gramenos, Korçë, e shtunë 12 maj 1923, fq.1).

Dhe që nga ajo ditë e deri sot, eshtrat e tij prehen atje në tokën e largët, e askush nuk denjon të bëjë detyrimin më të vogël ndaj atij që jetën e shkriu për këtë vend.

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët