MENU
klinika

Emri

Greqi, zbulohet autori shqiptar i vrasjes së biznesmenit grek

14.02.2019 - 08:44

Të tjera detaje dalin nga vrasja e Aleksandro Stamatiadhi, biznesmenit grek të ekzekutuar një vit më parë gjatë një grabitjeje me armë në banesën e tij.

Policia greke ka deklaruar se ka shkatërruar një organizatë të madhe të trafikut të lëndëve narkotike, ku përpos trafikut të drogës, anëtarët e saj kishin kryer edhe grabitje të armatosura, madje akuzohen edhe për ekzekutimin e biznesmenit grek.

Mbrëmjen e së mërkurës, burime policore publikuan në mediet greke detaje të operacionit, të cilat çuan në arrestimin e njërit prej autorëve të dyshuar të vrasjes së biznesmenit.

Bëhet fjalë për shtetasin shqiptar, Genci Pepa, nga Lushnja, banor në Athinë, i cili u arrestua në Belgjikë me një kartë identiteti greke të falsifikuar.

Policia greke thotë se Pepa ka kuptuar që autoritetet greke e kishin identifikuar dhe e kishin vënë në vëzhgim, ndaj mundi të largohej në Belgjikë, me destinacion final Britaninë e Madhe, vend në të cilin kanë gjetur strehë shumë prej anëtarëve shqiptarë të botës së krimit.

Autoritetet thonë se Pepa ka qenë në banesën e viktimës në kohën që ai është qëlluar, madje sipas bashkëshotes së viktimës ka qenë ai, që shtiu 3 herë me çifte mbi viktimën.

Burimet policore thanë se mundën të identifikojnë automjetin e përdorur prej grabitësve për t’u larguar nga vendngjarja, si dhe gjetën në të njolla gjaku, të cilat pasi verifikimit rezultuan të ishin pika gjaku të një derri të egër.

Menjëherë autoritetet greke nisën kërkimet në rrjetet sociale dhe gjetën që i dyshuari Genc Pepa kishte publikuar foto me derra të egër të gjuajtur prej tij. Në vazhdim mundën të gjejnë armën dhe prej ekspertizës balistike rezultoi se ishte pikërisht ajo arma e krimit.

Me metoda të tjera shkencore u bë e mundur edhe konfirmimi se autori Pepa, së bashku me 3 shtetas të tjerë shqiptarë, tashmë të identifikuar dhe të strehuar në Shqipëri, janë autorët e dyshuar të vrasjes së biznesmenit grek dhe grabitjeve në zonën rezidenciale të Athinës, “Politia”.

Vlen të theksohet se i dyshuari Genc Pepa përdorte një biznesin e tij të zyrës artistike, me të cilën organizonte koncerte në zona të ndryshme të Greqisë për të pastruar paratë e aktivitetit kriminal të shitjes së drogës dhe grabitjeve të dhunshme.

Ai ishte dënuar më parë për trafik klandestinësh dhe ishte prej kohësh nën mbikëqyrjen e autoriteteve greke për aktivitete të paligjshme. Ai pritet të ekstradohet gjatë muajit të ardhshëm në Greqi, ku do të përballet me akuza tepër të rënda.