MENU
klinika

Ankohen banorët

Hajdutët grabisin kosheret nëpër fshatrat e Elbasanit

07.02.2019 - 16:55

Vetëm për vitin 2018 në rrethin e Elbasanit janë vjedhur 250 koshere bletësh. Engjëllush Spaho, sekretar i Shoqatës së Bletërritësve të Elbasanit, thotë se pavarësisht denoncimeve që janë bërë në komisariat, fajtori nuk është kapur. Keqbërësit janë shfaqur përsëri në muajin janar të këtij viti në qytetin e Cërrikut. Deri më tani ata kanë arritur të vjedhin 50 koshere.

“Këto 3 vitet e fundit janë shtuar shumë vjedhjet e bletëve, tani hajdutët marrin nga 40 koshere”, thotë një bletërritës.

“Unë me zor i bëra 50 koshore, ata 11 m’i vodhën tani në janar. Shteti nuk vendos dorë fare”, shprehet një tjetër.

“Hajdutët më morën 40 familje bletësh, bëra dhe kallzim në polici dhe askush nuk reagon apo mban përgjegjësi. Kemi frikë pasi vjedhje të tilla po ndodhin çdo ditë, asnjë nuk na mbron”, deklaron një tjetër bletërritës.

Hajdutët e kanë të lehtë të kryejnë aktin kriminal pasi bleta është në gjumë dimëror. Për të fshehur më mirë gjurmët, hajdutët shfaqen në orët e vona.

Çmimi i një koshereje është 20 mijë lekë të reja. Fati i koshereve pasi vidhen është tregu i zi.