MENU
klinika

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

Hapen aplikimet për fonde, afati i fundit

19.02.2019 - 14:39

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) iu bën thirrje të gjitha ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të aplikojnë për fondet e vitit 2019. Aktualisht, qeveria shqiptare në mbështetje të këtyre ndërmarrjeve ka vënë në dispozicion 3 skema financiare që menaxhohen nga AIDA.

Më konkretisht:

Fondi i Ekonomisë Kreative (Artizanatit) – Synon të nxisë zhvillimin e sektorit të artizanatit dhe zejtarisë në vend. Buxheti i vënë në dispozicion për vitin 2019 është 10 milionë lekë.

Fondi në mbështetje të sipërmarrjeve të reja ‘Start Up’– Përmes kësaj skeme synohet mbështetja e bizneseve të sapo krijuara ‘Start Up’ në Shqipëri përmes subvencionimit financiar të drejtpërdrejtë për këtë kategori biznesi.

Fondi jep grante deri në 500 mijë lekë për projekt, por mbulon vetëm 70% të kostove të angazhuara. Ndërkohë, edhe për këtë skemë, fondi i miratuar nga qeveria kap vlerën e 10 milionë lekëve dhe mbështet kryesisht ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitetin në sektorët prodhues e të shërbimit, industrisë së lehtë, turizmit, agropërpunimit, etj.

Fondi i Inovacionit u jep ndihmë në formë granti të drejtpërdrejtë ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Granti financon një pjesë të kostove, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga përfituesi i tij.

Shuma maksimale që mund të përfitojë një ndërmarrje është 400 mijë lekë, ndërsa për ndërmarrjet që aplikoje për ‘blerje pajisjes teknologjike’ financimi që jepet nuk tejkalon shumë 600 mijë lekë.

Skema mbulon 50% të kostove brenda limitit të përmendur më sipër dhe pagesa e fondit bëhet gjysma në fillim të projektit dhe pjesa e mbetur në fund të tij.

Në një vit, mund të asistohet 1 projekt për çdo ndërmarrje dhe fondi mund të mbulojë kostot për auditim të kapacitetit inovativ dhe teknologjik, ndërkombëtarizimin e teknologjisë, pjesëmarrjen në panaire inovacioni e teknologjie si dhe licencat apo patentat për software ose hardware.

Sa i takon afatit të fundit të aplikimeve, është përcaktuar data 1 nëntor 2019.