MENU
klinika

Korrigjimi i kufijve

Haradinaj: Armik i Kosovës, kush flet për ndryshim kufijsh

11.02.2019 - 21:05

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dhënë mesazhe të ashpra kundër ndryshimit të kufijve, gjatë një takimi me familjet e dëshmorëve në komunën e Deçanit.

Ai i ka cilësuar si armiq të Kosovës, të gjithë ata që flasin për ndryshimin e kufijve të vendit.

Haradinaj ka thënë se hapja e temës së kufijve i shkon për shtati presidentit rus, Vladimir Putin.

“Cilido prej nesh, qytetar, mësues, polic, ushtar, deputet apo president, me Kushtetutë janë të obliguar me mbrojt Kosovën e 17 shkuritt.

Kushdo tjetër që e cenon 17 Shkurtin, a ke djalë dëshmori, a luftëtar i dalluar, është armik i kombit tonë. Nëse dikush i vendit tonë e cenon, e hap temën e kufijve tonë, është armik i Kosovës, i kombit të vet”, ka thënë Haradinaj.

haradinaj-konica.al

Shefi i qeverisë kosovare, tha më tej se ata që flasin për kufijtë, hyjnë në agjendat ruse. Haradinaj insistoi se i ka rrugët e ndara me ata që dëshirojnë t’i ndërrojnë kufijtë e Kosovës së 17 Shkurtit.

“Edhe nëse është i jashtëm, e është mik, kush është ai mik që ka të drejtë të flas për tokën e vendit tim. Nuk është mik ai që e hap kufirin. Tema e hapjes së kufijve i përshtatet vetëm Vladimir Putinit. Kushdo i joni që bjen në këtë agjendë, është i rusit. Me ata që e prekin këtë Kosovë sa e kemi mbërri, i kam rrugët e ndara me ta, nuk e bëj asnjë hap me ta”, tha më tej Haradinaj.

Duke folur për taksën ndaj produkteve të Serbisë, i pari i ekzekutivit deklaroi se ky vendim do të ndikojë që Serbia të ngutet për arritjen e marrëveshjes finale. Sipas tij, pasi Serbia ka miliona euro humbje pas vendosjes së taksës.

“A e dini që taksa ka me i gut me ardh te marrëveshja. Deri tash koha i ka konvenuar Serbisë, na ka dobësuar neve gradualisht. Por ka ndryshuar tash Kosova. Sot e ka Ushtrinë, Ligjin e Trepçës dhe Kosova ka vendos taksë. Atyre tash iu ngutet me hy në dialog, nuk është si deri tash që vetëm Kosova humb”, tha kryeministri i vendit.

Haradinaj foli edhe për deklaratat nga Amerika që po bëjnë thirrje për tërheqjen e këtij vendimi. Ai tha se SHBA-ja ka të drejtë t’i “bërtasë” Kosovës, por që, sipas tij “na e ka plasur barkun kojshia”, duke aluduar në shtetin serb.

“Amerika ka me na bërtit, dhe e bën me të drejtë. Por, këta knej, na kanë plas barkun kojshia. As nuk ka kërku falje dhe vendos kushte për dialogun. Taksa është me rëndësi për neve si Kosovë, si shqiptarë. Taksa nuk hiqet deri në njohje”, përfundoi Haradinaj. Ndryshe, liderët shtetëror sot zhvilluan një takim ku u spekulua se është folur edhe për taksën.