Hedhja e bombës atomike mbi Hiroshima dhe Nagasaki ishte sulmi nuklear nga ana e ShBA, me në krye presidentin Harry S. Truman kundra Japonisë Imperialiste gjatë luftës së dytë botërore. Më 6 gusht, bombarduesi B-29 Superfortress, i emëruar “Enola Gay”, do të hidhte bombën atomike “Little Boy” (Djali i vogël) mbi Hiroshima me pasoja shkatërrimin e qytetit nga impakti i bombës. Hedhja e bombës atomike mbi Hiroshima, do të pasohej me hedhjen e një tjetër bombe atomike në Nagasaki, më 9 gusht të po atij viti.
Bomba atomike do të shkaktonte vdekjen e shumë personave (kryesisht civilë). Është pak e vështirë të jepet një shifër e saktë për viktimat e Hiroshimës duke marrë në shqyrtim të vdekurit nga impakti dhe të vdekurit nga rrezatimi. Sipas disa shënimeve zyrtare, rezultojnë 140 000 të vdekur në Hiroshima (gjatë dhe pas impaktit). Ndërsa për Nagasakin numërohen rreth 74 000 viktima. Nga të dy qytetet me një numër vdekjesh prej 210 000 jetësh, popullsia civile do të ishte ajo që do të vuante më shumë shpërthimet e dy bombave atomike.
Sot hedhja e bombës atomike në Hiroshima si edhe në Nagasaki, debatohet gjerë nga të dy palët në fjalë (ShBA dhe Japonia) dhe ndonjëherë debatohet edhe nga palët e tjera. Ky lloj sulmi ishte sulmi i parë nuklear në botë dhe shpërthimi i kësaj bombe do të përshpejtonte dorëzimin e Japonisë Imperialiste, duke i dhënë fund luftës. Japonia do të dorëzohej zyrtarisht më 2 shtator 1945, duke i dhënë fund luftimeve në glob. Por ndërkohë që njëra palë e shikon këtë gjest (hedhjen e një bombe atomike) si të domosdoshme për kohën (pikëpamja e ShBA), pala tjetër (pikëpamja e Japonisë) e shikon si një krim të shëmtuar kundrejt njerëzimit.
Por kush është Harry Truman, presidenti që japonezët urrejnë kaq shumë…
Harry S Truman lindi më 8 maj 1884 në Lamar, Missouri, ShBA; vdiq më 26 dhjetor 1972 në Kansas City. Ishte i 33-ti. President të ShBA(1945-1953).
Jeta e hershme
Harry S. Truman ishte i pari i tre fëmijëve të lindur nga John Anderson Truman, dhe Martha Ellen Truman.
Truman u rrit në fermën e familjes në Independence, Misuri, dhe nuk shkoi në kolegj. Ai bëri punë të ndryshme pas shkollës së mesme, fillimisht për një kompani të ndërtimit të hekurudhave dhe më pas si nëpunës dhe një llogaritar në dy banka të ndara në Kansas City. Pas pesë vjetësh, ai u bashkua me Gardën Kombëtare.
Karriera ushtarake
Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, Truman u bë vullnetar. Megjithëse ai ishte 33 vjeç, ai ndihmoi në organizimin e regjimentit të Gardës së tij Kombëtare, i cili u thirr në fund të fundit në shërbim në artilerinë e 129-të. Megjithë temperamentin përgjithësisht të turpshëm dhe modest, Truman fitoi respektin dhe admirimin e njerëzve.
Përfshirja e hershme në politikë
Pas luftës, Truman u kthye në shtëpi dhe u martua me të dashurën e tij të fëmijërisë, Elizabeth “Bess” Wallace në vitin 1919, me të cilën pati një vajzë, Mary Margaret. Në të njëjtin vit, ai krijoi një dyqan me kapele në Kansas City. Por biznesi dështoi në 1922. Me mbylljen e biznesit, Truman iu detyrohej 20,000 dollarëve kreditorëve. Ai refuzoi të pranonte falimentimin dhe këmbënguli të paguante të gjitha paratë që kishte huazuar.
Rreth kësaj kohe, ai u kontaktua nga shefi demokrat Thomas Pendergast, që e emëroi Truman në një pozitë si mbikëqyrës të autostradave dhe pas një viti e zgjodhi atë për të kandiduar për një nga tre pozicionet e gjyqtarëve në qarkun Jackson. Ai u zgjodh gjyqtar, i cili ishte një pozicion administrativ dhe jo gjyqësor.
Truman në krye të Amerikës
Lufta e Dytë Botërore përfundoi me dorëzimin e Japonisë më 19 gusht të vitit 1945. Amerikanët prisnin nga presidenti i tyre i ri, Harry Truman, që t’i udhëhiqte ata në një kohë të re paqeje. Truman ishte nënpresident deri sa Presidenti Franklin Roosevelt vdiq papritmas në muajt e fundit të luftës. Gati askush nuk priste që Presidenti Truman të ishte një udhëheqës i fuqishëm siç kishte qënë presidenti Roosevelt. Dhe fillimisht, amerikanët ishin korrekt. Truman përjetoi probleme të njëpasnjëshme gjatë muajve të parë në Shtëpinë e Bardhë.
Problemi i tij i parë i madh ishte ekonomia. Gati 2 milion amerikanë humbën punën pasi fabrikat i dhanë fund prodhimit të artikujve të luftës. Amerikanët kudo shqetësoheshin për të ardhmen. Vetëm pak vite më parë, vendi kishte përjetuar krizën më të rëndë ekonomike në historinë e tij. Askush nuk donte kthimin në atë gjendje, me banka të mbyllura, fëmijë të urritur dhe kujtime të trishtueshme të depresionit të madh.
Deri diku, ekonomia e pas luftës ishte në gjendje më të mirë se sa kishin parashikuar shumë ekspertë. Shumë amerikanë kishin para nga kursimet e tyre gjatë luftës, madje Kongresi miratoi një ligj, që synonte të ndihmonte njerzit të mbanin punën që kishin. Gjendja mund të kishte qënë edhe më keq se sa faktikisht. Por ekonomia mund të kishte qënë edhe shumë më mirë. Thuajse menjëherë, çmimet e çdo artikulli filluan të ngrihen.
Presidenti Truman u përpoq të ndalonte këto ngritje çmimesh nëpërmjet një agjencie të posaçme për kontrollin e çmimeve, që ishte krijuar gjatë luftës, por mijëra afaristë refuzuan të zbatonin rregullat qeveritare për kontrollin e çmimeve, përkundrazi ata vendosën çmimet e tyre për artikuj të ndryshëm.
Presidenti Truman kishte qënë gjithnjë mik i sindikatave, por gjatë muajve të parë të administratës së tij, ai u përfshi në një betejë të ashpër me minatorët e qymyrgurit dhe punonjësit e hekurudhave.
Nga fundi i vitit 1946, shumica e amerikanëve besonin se personi në Shtëpinë e Bardhë nuk dinte se ç’bënte, ndërkohë që Trumani dukej i dobët dhe i paaftë të kontrollonte rrjedhën e ngjarrjeve.
Trumani donte të rindërtonte Gjermaninë si dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore të shkatërruara nga lufta. Administrata e tij punoi nga afër me udhëheqësit e vendeve të Evropës Perëndimore për të shpëtuar ekonomitë e tyre nëpërmjet Planit Marshall.
Por sovjetikët nuk donin të shikonin rindërtimin e Gjermanisë, të paktën jo kaq shpejt. Së pari, ata e përmbytën Gjermaninë me një sasi të madhe monedhe gjermane në përpjekje për të shkatërruar vlerën e saj. Ata u larguan nga konferenca ekonomike dhe më në fund, në fillim të vitit 1948, sovjetikët bllokuan të gjitha rrugët që të çonin në Berlinin Perëndimor. Berlini Perëndimor ishte pjesë e territorit të Gjermanisë Lindore komuniste, por jo nën kontrollin e komunistëve, siç ishte Berlini Lindor.
Pas luftës, vendet aleate e kishin ndarë Gjermaninë për gjysëm. Gjermania Perëndimore kishte një qeveri demokratike. Gjermania Lindore ishte komuniste, nën kontrollin e Bashkimit Sovjetik.
Kriza në Berlin ndryshoi mënyrën se si shumë amerikanë e shikonin presidentin e tyre. Harry Truman nuk dukej më i dobët dhe i pasigurtë, përkundrazi ai po vepronte si një udhëheqës, që mund të merrte pjesë aktive në çështjet botërore.
Popullariteti i Trumanit u rrit, megjithatë shumica e amerikanëve nuk prisnin që ai të fitonte zgjedhjet e vitit 1948. Thuajse të gjithë mendonin se kandidati republikan, guvernatori i New Yorkut Thomas Dewey, do të fitonte Shtëpinë e Bardhë.
Fushata elektorale e atij viti u shoqërua me të papritura dhe lajme të kënaqshme, veçanërisht në politikën e jashtme, dhe përfundoi me rizgjedhjet e Harry Trumanit edhe për 4 vjet të tjerë në Shtëpinë e Bardhë.