MENU
klinika

Deklarata ekskluzive

‘I forti’ i Shijakut përgënjeshtron Berishën: Jam familjar, ja e vërteta e ‘dajakut’

04.02.2019 - 17:39

Ngjarja se një biznesmen ishte dhunuar në mes të qytetit të Shijakut, bëri jo pak zhurmë në media gjatë pasdites së sotme.

Ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili në profilin e tij në facebook, ka denoncuar dhunimin e një biznesmeni në qendër të Shijakut.

Sipas ish-kryeministrit, biznesmeni është rrahur nga një ‘i fortë’, i cili e ka gjobitur pesë herë atë, por policia e ka lënë të lirë.

Po personi në fjalë, në një deklaratë ekskluzive për Konica.al e përgënjeshtron totalisht ngjarjen.

Ai thotë se nuk ka pasur një përplasje të tillë, dhe e gjithë ngjarja ka nisur nga mos zhvendosja e makinës.  Personi në fjalë për të cilin ai thotë se quhet Artur Xheka i ka zënë rrugën me makinë dhe e ka kërcënuar duke i thënë “do të fus plumbin”.

Sipas Ndriçim Arapit, e gjithë kjo situatë ka ndodhur pasi Xhekës pak ditë më para i kishte shkuar fleta nga gjykata për padinë që Arapi ka ngritur ndaj tij për mos pagimin e borxheve.

Arapi deklaron se personi në fjalë ka më shumë se 1 vit që ka marrë me qira lokalin e tij dhe se prej 6 muajsh tani ai nuk paguan qiranë.

Ai thotë se Xheka i detyrohet atij një shumë prej 10 milionë lekësh. Dhe se prej tre mujash tashmë ai është në proces gjyqësor me të.

Sa i përket denoncimit të Berishës, ai thotë se “Unë nuk jam i forti i Shijakut, por jam klasë punëtore që nga 97-ta. Ia kam lënë gjithë çështjes drejtësisë, jam bërë pre e provokimeve. Unë nuk jam i fortë, jam njeri familjar, baba i katër fëmijëve. Unë nuk jam hakmarrës, ai njeri punon vetëm 100 metra larg punës time dhe unë nuk e kam ngacmuar njëherë.”

Ai shton se policia ngjarjen e ka mbyllur me një gjobë 30 mijë lekëshe, që sipas tij është qesharake. Ai thotë se mbetet i hapur për çdo vërtetim të akuzave ndaj tij.

Më herët Berisha ka shkruar se:

Rrihet shtazërisht nga i forti në qendër të Shijakut biznesmeni!

Miq, në narkoshtetin e Kakistokracisë ligjin e bëjnë bandat.

Shikoni videon se si të fortit në Shijak, rrahin biznesmenin në qendër të qytetit.

I forti e ka gjobitur pesë herë atë por narkopolicia ka ndarë paratë e gjobave me të dhe gjithnjë e ka lënë të lire. Kjo është klima e biznesit në Narkoshtetin e Kakistokracisë! sb

Zoti Berisha! Ju uroj të jeni mirë dhe të na ndihmoni sa më shumë dhe pse në opozitë.

Para dy vjetësh në një vizitë pune në Itali, takova një zotëri që merrej me zanatin tim, bujqësi dhe kishte pasur problemet e mia. Shteti dhe policia atje e kishin ndihmuar kundër mafies së zonës së Puglias dhe e kishin dekoruar për qëndresën që kishte pasur karshi tyre. Në të njëjtën situatë ndodhem unë prej 7 muajsh.

Të fortë të zonës së Shijakut, me vënë gjoba, kërcënojnë dhe dhunojnë fizikisht. Forca e shtetit =0. Me gjithë 5 denoncime karshi personit në fjalë, personi në fjalë vazhdon i lirë me kërcënimet shantazhet dhe gjobat karshi meje dhe punonjësve të mi. Kam 7 muaj që paguaj taksa, rroga dhe nuk punoj dot. Arsyeja e lirimit të tij, është sepse unë nuk kam pasur akoma dëmtime aq të rënda sa të arrestohet ai njeri. Ai quhet Ndriçim Arapi dhe mesa duket është ai kryekomisari i policisë së Shijakut.

Unë zoti Berisha, e filloj ditën e punës në 5 të mëngjesit dhe e mbyll në 10-11 të darkës, për të arritur të paguaj kreditë rrogat dhe qiratë e gjithçka bëj. Jo vetëm që ky shtet s’po më ndihmon sado pak të më lehtësojë barrën, por të paktën të na sigurojë qetësinë sepse mbahet me taksat tona.

Unë nuk pres që të dekorohem për qëndresën time ndaj kryekriminelit të Shijakut, por të paktën, të me sigurohet garancia për jetën dhe vazhdimësinë e punës që të mos i ngelem njeriu borxh.

5 herë e kam denoncuar për kërcënimet dhe gjobvëniet e tij dhe asnjëherë nuk e kanë arrestuar. Del dhe fillon përsëri të njëjtat situata. Është mik me policët e zonës. Më parë ka pasur një lokal të tijin ku mbante policët me dreka dhe me të pira, prandaj ata e mbështesin gjithmonë. Në 2018-ën ndërtoi pa leje pranë stallës së tij dhe askush si tha asgjë. Nuk di emër konkret se kush e mbështet, por më bën përshtypje fakti që dhe pas 5 denoncimesh, ai lirohet përsëri. Kjo herët a vonë do çojë në vetëgjyqësi. Më mban vetëm fakti që dua të çoj përpara punën që kam për të mos e lënë familjen me borxhe.

Kur them lirohet, kam parasysh as dy-tre orë, thjesht marrje në pyetje. Nuk jam unë i vetmi që kërcënohem dhe intimidohem prej tij. Por unë kam gjithë jetën për të humbur, nuk mundem dhe nuk dua të tërhiqem.

Unë jam fermer dhe e kam zgjedhur ketë profesion për pasion. Jetoj në Tiranë dhe ushtroj aktivitetin në Shijak, familjarisht. Kam ndoshta të vetmen serë organike në Shqipëri ku prodhoj një larmishmëri perimesh bio. Gjithashtu, merrem dhe me agropërpunimin në një punishte të vogël që ka hapur ime shoqe.

Punët na kanë shkuar mirë, deri në momentin kur zotëria në fjalë, filloi me të gjitha mënyrat të na shantazhojë dhe kërcënojë me qëllim që të na shkatërrojë, besoj se në një shtet normal, dikush duhet të na marrë në mbrojtje, që të mos detyrohemi të mbrohemi vetë.