MENU
klinika

Kufijtë

Intervista e Rugovës që demanton Thaçin: Serbinë e njohim veç si…

27.02.2019 - 11:58

Ideja e korrigjimit të kufijve po del të jetë barrë e rëndë për Presidentin e vendit Hashim Thaçi. Aq e rëndë, sa i njëjti po mundohet që këtë ide t`ia “mveshë” Presidentit historik, tashmë të ndjerë dr. Ibrahim Rugova.

Gazeta “Bota sot”, ka pubikuar një intervistë të presidentit Rugova, dhënë të përditshmes gjermane “Der Sipegel”, më 10 gusht të vitit 1999.

Në këtë intervistë, Presidenti Rugova, fliste për situatën politike të atyre ditëve dhe të ardhmen e Kosovës si shtet i pavarur me ushtri e polici të veten.

Presidenti Rugova thoshte që Serbinë Kosova do ta pranonte vetëm si shtet fqinj, derisa për bashkimin me Shqipërinë sipas tij, duhet më vonë vetë populli i Kosovës të vendosë me anë të një referendumi.

Më poshtë ju sjellim intervistën e plotë:

Serbët pas kësaj lufte dhe masakrave të kryera nga policia speciale dhe njësit paramilitare nuk kanë asnjë të drejtë më në Kosovë. Asnjë ushtar jugosllav nuk do të shkelë më Kosovën. Edhe në policinë e ardhshme të Kosovës do të integrohen vetëm serbët lokalë. Ne do të akceptojm një Serbi demokratike fundi i fundit vetëm si një shtet fqinj.

Spigel: Zoti Rugova, Kosova tashmë është ndër një protektorat ndërkombëtar për një fazë kalimtare. Çka pason më andej?

Rugova: Kjo është shkalla e parë drejt pavarësisë. Më së voni pas tri vjetëve ne do të mbajmë një referendum. Pastaj serbët vetëm mund ta pranojnë pavarësinë tonë.

Spiegel: Opozita serbe dëshiron që të bindë popullin se me rrëzimin e Milloshoviqit Kosova do të mbetet sërish e Serbisë.

Rugova: Nuk ka shans. Serbët, pas kësaj lufte dhe masakrave të kryera nga policia speciale dhe njësitë paramilitare, nuk kanë asnjë të drejtë më në Kosovë. Asnjë ushtar jugosllav nuk do të shkelë më Kosovën. Edhe në policinë e ardhshme të Kosovës do të integrohen vetëm serbë lokalë. Ne do të akceptojmë një Serbi demokratike fundi i fundit vetëm si një shtet fqinj. Po ta kisha nënshkruar Milloshoviqi marrëveshjen e Rambujesë, situate për Beogradin do të kishte qenë më me përparësi.

Spiegel: Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) kundërshton edhe më andej demilitarizimin dhe shlyerjen e saj.

Rugova: UÇK-ja vetë e ka nënshkruar marrëveshjen për demilitarizim. Pra ajo duhet t’i përmbahet asaj marrëveshje. Por, disa nga udhëheqësit e saj siç duket kanë ambicie edhe politike edhe ushtarake. Lufta ka mbaruar, euforitë tash duhet të ftohen dalë nga dalë. Populli ynë deri tash ka kërkuar lirinë, tashmë bëhet fjalë vetëm për të ardhmen.

Spiegel: A mund të hiqni dorë nga ushtria në një plan afatgjatë?

Rugova: Në asnjë mënyrë. Megjithatë kësaj ushtrie duhet t’i bashkëngjiten, përveç luftëtarëve të UÇK-së, edhe të tjerë djelmosha kosovarë, të cilët derisa të tërhiqen forcat paqësore ndërkombëtare, duhet të ushtrohen nga KFOR-i. Deri atëherë NATO-ja n ka siguruar se do të jetë forca jonë mbrojtëse.

Spiegel:Ju nuk e njihni Kryeministrin dhe udhëheqësin e UÇK-së të favorizuar nga SHhBA-të z. Hashim Thaçi. E shihni ju atë si rival për postin e presidentit?

Rugova: Thaçi ka themeluar qeverinë pa lejen tonë. Kjo ishte paraparë vetëm për rastin nëse marrëveshja e Rambujesë nënshkruhet. Deri në zgjedhjet e reja ne e mbështesim-pra Lidhja Demokratike- Qeverinë e Bukoshit. Megjithatë të dy qeveritë si dhe një spektër i gjerë i të gjitha partive do të bashkëpunojnë me Administratën Ndërkombëtare. Unë jam edhe më andej President i Kosovës dhe ngul këmbë për një zgjedhje direkte para ose pas zgjedhjeve. Unë refuzoj një emërim përmes parlamentit.

Spiegel: Deri në zgjedhjet e reja, siç pritet në pranverë, pushtetin vendimtar do ta ketë vetë Administrata Ndërkombëtare Civile. Ç’do të ndodhë pastaj?

Rugova: Pastaj kompetencat do t’i kalojnë Qeverisë së zgjedhur të Kosovës. Ne atëherë do të kemi ligjet, juridikaturën tonë, do të kemi Kushtetutën dhe politikën e jashtme tonën-krejtësisht të pavarur nga Beogradi. Kufijtë me Maqedoninë dhe Shqipërinë do të kontrollohen edhe më andej nga KFOR-i, dhe jo nga ushtria jugosllave.

Spiegel: Me këtë atëherë asgjë nuk do ta pengonte bashkimin me Shqipërinë?

Rugova: Për këtë duhet më vonë vetë populli në një referendum të vendosë. Por ne shpejt do të kishim pranuar një union ekonomik ose doganor me shtetet tjera, natyrisht duke u konsultuar me Bashkësinë Ndërkombëtare.
Ne menjëherë do t’i kishim vënë në punë projektet e mëdha si Minierën e Trepçës, industrinë elektrike dhe industrinë e hekurit dhe nikelit dhe me këtë do t’i kishim treguar botës se edhe një shtet i vogël, ne mund vetë të tregojmë dhe të ekzistojmë.

Spiegel: Ju, ju premtoni serbëve të Kosovës mbrojtje, nëse shqiptarët vetë do të administronin Kosovën. Kurse tash serbët po dëbohen në mënyrë brutale, banesat e tyre po plaçkiten dhe shkatërrohen. Si do t’i pengoni ju këto sulme.

Rugova: këto janë aksione hakmarrëse të disa individëve ose bandave, të cilat e shfrytëzojnë shansin e situatës së patejdukshme. Por unë po ju garantoj se askush nuk do t’ua marrë serbëve banesat ose shtëpitë. Posa të qetësohet gjendja dhe policia ndërkombëtare të marrë kontrollin ne do të sqarojmë problemet e pasurisë. Emigrimi duhet ndaluar. Të gjithë serbët mund të kthehen dhe ne do t’i mbrojmë ata. Ne bile as nuk kemi gjë kundër nëse ata e japin edhe zëvendës-presidentin ose zëvendës-kryeministrin. Por, natyrisht që më parë gjyqet do të vërtetojnë se kush ka marrë dhe kush nuk ka marrë pjesë në krime ndaj shqiptarëve.

Spiegel: Milloshoviqi tashmë është akuzuar si kriminel lufte. A e shihni edhe ju atë si përgjegjës kryesor për masakrat dhe dëbimet në Kosovë?

Rugova: Urdhërat janë dhënë nga Qendra. Qëllimi kryesor ishte dëbimi përfundimtar I shqiptarëve. Këtë kishte mundësi ta ndërpriste vetëm intervenimi i NATO-s. Megjithatë, unë kam frikë se rrëzimi i Milloshiviqit nuk është punë edhe aq e lehtë.

PËR BASHKIMIN ME SHQIPËRINË-ME REFERENDUM

Për këtë (për bashkimin me Shqipërinë,(v.j) duhet më vonë vetë populli në një referendum të vendosë.

Por ne shpejt do të kishim pranuar një union ekonomik ose doganor me shtetet tjera, natyrisht duke u konsultuar me Bashkësinë ndërkombëtare.