MENU
klinika

Abuzimet me tenderat

Vendimi/ Ish-kryesekretarja e Mininistrisë së Drejtësisë në arrest shtëpie

10.02.2019 - 12:36

Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha.

Javën që kaloi, Prokuroria e Tiranës ngriti akuza dhe lëshoi urdhër-arreste për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera për sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha, drejtorin Aurel Lamçe dhe specialistët e IT-së, Arlind Alikaj dhe Lysien Ali. Gjykata vendosi masën e “arrestit shtëpiak” për tre zyrtarët, ndërkohë që Ali është shpallur në kërkim.

Tetë nëpunës të tjerë, pjesë e grupeve të punës apo komisioneve të vlerësimit të ofertave janë gjithashtu në hetim. Në dy vite, 2016-2017, prokuroria ka zbuluar abuzime dhe shkelje me 5 tendera duke shkaktuar një dëm të llogaritur në miliona euro.

Nga materialet e referuara nga Prokuroria rezulton se në funksion të hetimeve të kryera për procedurat e tenderimit në Ministrisë së Drejtësisë për periudhën kohore 2016-2017, ka marrë në hetim 12 persona të dyshuar për veprat penale të Shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe Shkelje e barazisë së pjesmarrësve në tendera, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Hetimet kanë nxjerrë në pah shkeljet e evidentuara të shoqëruara me pasoja të mëdha për buxhetin e shtetit. Disa nga sistemet objekt të këtyre procedurave të prokurimit në një pjesë të madhe nuk janë funksionale.

Nga organi i akuzës mësohet se hetimet janë shtrirë në 5 tendera, konkretisht:

1.Mirëmbajtja dhe mbikqyrja e sistemit ICMIS në 7 Gjykatat Administrative

2. Përmirësimi i sistemit të mbikqyrjes elektronike në fushën penale

3.Përmirësimi, Zhvillimi dhe Mirëmbajtja e Regjistrit Noterial Shqiptar

4.Sistemi i Monitorimit me kamera për burgun e Lezhës dhe Fushë Krujës

5.Përmirësimi dhe mirëmbajtja e sistemit elektronik të çështjeve të përmbarimit.