MENU
klinika

Riedukimi përmes vuajtjes

Ishte koha kur hakmarrja politike të jepte emrin “Armik i Popullit”

13.02.2019 - 21:49

Fundi i luftës (1944) përkoi edhe në Shqipëri me periudhën e hakmarrjeve politike, që më pas u transformuan nga regjimi komunist në një sistem të vërtetë qeverisjeje bazuar në arrestimin dhe persekutimin e kundërshtarëve politikë duke filluar me ish-krerët, intelektualët, tregtarët dhe pronarët e tokave.

Burgjet që ishin në dispozicion në vitin 1944 ishin tërësisht të pamjaftueshme për të përmbushur kërkesat e reja, kështu qeveria e re e drejtuar nga Enver Hoxha filloi duke përdorur shtëpitë private dhe institucionet publike, si qendra paraburgimi dhe torture.

Në vitet 1944 – 1946 burgjet politike vareshin nga Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, struktura operative e Ministrisë së Mbrojtjes. Në vitin 1947 të gjitha burgjet kaluan nën kontrollin e Ministrisë së Brendshme, që ishte përgjegjëse për sigurinë e brendshme. Tetë burgje ekzistuese në Shqipëri iu rezervuan të burgosurve politikë të cilët përcaktoheshin si “armiq të popullit”, shtatë të burgosurve normal të përcaktuar si “ordinerë” dhe tre burgje ishin të përziera. Me kalimin e viteve regjimi hapi burgje të reja në të gjitha qendrat kryesore, duke i specifikuar ato për të burgosurit politikë dhe burgjet e destinuara për të burgosurit ordinerë.

burgjet e komunizmit-konica.al

Qëllimi zyrtar i paraburgimit që i rezervohej të burgosurve politikë ishte “riedukimi dhe rehabilitimi” nëpërmjet vuajties dhe punës.

Kështu, përveç burgjeve (që ishin të izoluara e të rrethuara me tela me gjemba dhe me ushtarë, brenda të cilave të burgosurit vuanin dënimin e tyre pa punuar) regjimi filloi ndërtimin e kampeve të punës. Kampet e punës ishin vende ku dënimi kryhej duke bërë punë të detyruar si bonifikim, ndertime veprash publike, nxjerrje mineralesh apo bujqësi. Kampet e punës ndërtoheshin posaçërisht pranë vendit ku të burgosurit duhet të punonin. Kampet e tilla, në shumicën e rasteve, kanë qenë të përkohshme (të ndërtuara me çadra apo baraka, të rrethuar nga tela me gjemba dhe ushtarë të armatosur), ndërsa në disa raste ishin të vendosura në formë të përhershme sidomos afër minierave. Pothuajse të gjithë të burgosurit që ishin në gjendje të punonin caktoheshin në këto kampe dhe me kalimin e viteve numri i kampeve të punës tejkaloi atë të burgjeve.

Punimet publike më të mëdha në Shqipëri, gjatë viteve të komunizmit, janë realizuar nëpërmjet punës së detyruar të të burgosurve (si të burgosur politikë ashtu dhe ordinerë) dhe të të internuarve, të cilët ishin të detyruar të punonin mbi këto vepra edhe për të siguruar jetesën.

Ndër burgjet e destinuara për “armiqtë e popullit” më famëkeqi ishte ai i Burrelit, konsiderohej si një super burg nga i cili ishte e pamundur të arratiseshe dhe në të cilin të burgosurit politikë jetonin në kushte çnjerëzore.

Nga viti 1946 deri 1950 kampet e punës ishin 20, por në periudhën e viteve 1950-1990 u ndërtuan edhe 90 të tjerë: ato mbeten të hapur për kohën e nevojshme që duhej për të përfunduar punën e besuar të burgosurve. Më i madhi dhe më famëkeqi ishte ai i Spaçit, i cili mbeti i hapur nga viti 1968 deri në vitin 1990 për shfrytëzimin e një miniere bakri dhe piri. Jeta në burgjet komuniste, ashtu si dhe në kampet e punës ishte shumë e ashpër: të burgosurit politikë, shpesh të akuzuar mbi baza dëshmish të rreme, ose mbi dëshmi të nxjerra përmes torturave nga Sigurimi, nëse nuk dënoheshin me vdekje, shpesh vdisnin për shkak sëmundjesh, urie ose kushtesh të vështira pune. Në çdo burg e kamp pune. Sigurimi kishte infiltruar bashkëpunëtorët e vet mes të burgosurve që për të marrë një copë buke më shumë, apo edhe një copë sapun, ishin të gatshëm të denonconin shokët e qelisë edhe duke gënjyer.

burgu-burrelit-konica.al

Në arkivin e Ministrisë së Brendshme deri në vitin 1990 rezultojnë të dënuar 25 mijë të burgosurit politikë, por duke qënë se mungojnë statistikat e të dënuarve të periudhës nga 1945 në 1946 dhe të dënuarve me dënime të vogla, besohet se të burgosurit politikë në Shqipëri kanë qenë mes 30.000 dhe 34.000. Sipas një raporti të publikuar në 2016 nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) në Shqipëri, të burgosurit politikë ishin 26.768 burra dhe 7.367 gra, të burgosurit e vdekur në burg për shkak të kushteve të burgjeve ishin 984, dhe 308 të tjerët humbën aftësinë e tyre mendore. Sipas të njëjtit burim 5.577 burra dhe 450 gra u dënuan me vdekje dhe u vranë.

Trupat e të burgosurve që ekzekutoheshin ose vdisnin në burg gjatë punës së detyruar apo nga sëmundje, nuk iu ktheheshin të afërmve.

Një nga të arrestuarat e kësaj periudhe ishte dhe Margarita Gjeloshi.

Gjeloshi lindi më 1902, në Shkodër.

Arrestimi i saj ndodhi më 2 shkurt 1945, me akuzën se “ka penguar Lëvizjen në shkollën femërore Donika Kastrioti, si dhe në Tiranë, ku ishte drejtoreshë e Institutit (Femëror)”.

Më 1 shtator 1945, Gjykata Ushtarake e Shkodrës e dënoi si “armik i popullit”, me dy vjet burg dhe punë të rëndë.

margarita gjeloshi-konica.al