Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë do të vizitojë Shqipërinë, me qëllim promovimin e vendit e forcimin e miqësisë dhe marrëdhënieve midis dy vendeve.
Presidenti i Republikës Ilir Meta ishte i ftuar në një takim nga Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë dhe me këtë rast, i ftoi ata të vizitojnë vendin tonë.
Presidenti i këtij Këshilli, Ambasadori Timothy Chorba dhe Ambasadorë të tjerë të pranishëm u njohën gjatë këtij takimi me zhvillimet në Shqipëri dhe veçanërisht me proceset më të fundit në rajonin e Ballkanit.
Presidenti Meta falënderoi Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë për mbështetjen dhe bashkëpunimin me Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë duke vlerësuar aktivitetin e tyre dhe ndihmesën profesionale dhe këshillimore që ata japin për çështje të rendësishme të politikës së jashtme.
Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë është një organizatë me influencë në SHBA, që shprehet në mënyrë të vazhdueshme për politikën e jashtme dhe bashkëpunon me Komitetin e Politikës të Jashtme në Senatin dhe Kongresin Amerikan.