Khabib Nurmagomedov është rikthyer, natyrisht jo për një duel, pasi është i pezulluar, por me një deklaratë në rrjetet sociale, që ka trzuar jo pak UFC-në.
Legjenda Georges St-Pierre deklaroi se do të tërhiqet përfundimisht nga sporti i arteve marciale mikse, pasi nuk arriti një marrëveshje me UFC-në për të dueluar me Khabib Nurmagomedov.
Por ka ardhur reagimi i kampionit rus. Përmes një postimi, Khabib ka thënë se fton në duel kampionin kanadez, të cilin shprehet se e ka idhull.
“Eja të përballemi në nëntor. Pas këtij dueli tërhiqu. Unë jam rritur duke parë duelet e tua dhe ndjej vetëm respekt karshi figurës tënde dhe mendoj se këtë gjë e kam treguar kur ishte këtu, në Moskë”, shkruan Khabib.
Nurmagomedov ka vendosur edhe një foto të tij me St-Pierre. Ai ka bërë me dije se do të rikthehet në kafaz në nëntor, edhe pse pezullimi 9-mujor i mbaron në qershor.
“Për mua do të ishte një nder të ndaja kafazin me një prej luftëtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Eja ta bëjmë këtë duel në cilëndo peshë që t’i dëshiron.
Nëse nuk arrin të kapësh peshën jam gati të dueloj sërish me ty edhe nëse peshon mbi normën. Le të përballemi ku të duash ti: Montreal, Nju Jork, Moskë, Abu Dhabi. Më tregon vendndodhjen miku im” – ishte deklarata e Khabib.