Banorët e fshatit Lumas në bashkinë e Kuçovës, janë të detyruar të përballen me vështirësitë e mungesës të një ure ndarëse mes fshatit të tyre dhe kësaj bashkie.
Ndërtimi i saj ka qenë premtim i çdo fushate, por siç shprehen banorët, premtimi është bërë vetëm për marrjen e votës, pasi situata është e njëjtë.
Ky përrua ndan në mes fshatin Lumas në Bashkinë e Kuçovës. Në kohë të mirë, njerëzit dhe makinat kalojnë përmes tij për aktivitetet e përditshme. Por gjatë muajve me reshje, ai bëhet i rrezishëm dhe gjysma e fshatit izolohet për shkak të mungesës së një ure.
Lëvizja gjatë kohës së keqe është pikërisht shqetësimi më i madh për këta banorë.
“Kur vjen lumi këtu nuk ka shans të kalojë asnjeri. Se vdes robi, se sëmuret, nuk do t’ia dijë njeri në botë”
“Është lënë pas dore këtu e 30 vjet demokraci, nuk është vënë dorë fare. Asnjeri nuk më ka puthur aq sa më puthin ata kur vinë për vota”. shprehen disa nga banorët.
Zona është e njohur për prodhimin e ullirit, por banorët thonë se nuk e kanë ndierë kurrë dorën e shtetit.
“Është zonë turistike por nuk vë njeri dorë”. theksojnë ata
Mungesa e investimeve ndër vite është lidhur me mungesën e fondeve nga ish- komuna, ndërkohë që me të njëjtin problem po haset sot dhe Bashkia e Kuçovës.