MENU
klinika

Deklarata

Mandatet e djegura/ Gjylameti: Duan pushtet në tavolinë

23.02.2019 - 12:58

Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, e konsideroi dorëzimin e mandateve të opozitës si një situatë të paprecedentë ndonjëherë në historinë e demokracisë.

Në një intervistë televizive, Gjylameti theksoi se alternativa që ofrojnë kolegët e opozitës është ajo e një politike qorraze dhe në fund të ditës një tentim për të marrë pushtetin në tavolinë. Sipas saj, për sa kohë që zgjedhjet u njohën gjerësisht nga të dy palët, nga mazhoranca dhe opozita, dhe po ashtu institucionet ndërkombëtare, alternativa , nuk mund të jetë ajo që kanë bërë, por do të ishte tjetër gjë.

Në lidhje me menaxhimin e kësaj situate, Gjylameti tha se fillimisht, duhet të kuptojmë arsyet që çuan në këtë zgjidhje që mendoj se është ekstreme dhe e paprecedent.

“Mjafton të shikojmë historinë, historinë me alternativa qeverisëse dhe sa herë PD vjen në pushtet. Mendoj tentuan sërish të krijojnë kaos, tentuan të krijojnë me dhunë marrjen e pushtetit, por arritën të marrin një ‘jo’ dhe një menaxhim shumë profesional nga ana e Policisë së Shtetit për çfarë donin të krijonin. Në 2017 e mbajnë mend të gjithë tendën në bulevardin kryesor që nuk jepte alternativë, por vetëm bllokonte.

U ulëm në tavolinën e negocimit dhe arritëm të lëshojmë ministritë që menaxhonin procesin zgjedhor. Në fund të ditës dolën nga zgjedhjet, pranuan rezultatin të dy palët, përshëndetën standardin e zgjedhjeve dhe pas 6 muajve bojkot të parlamentit vijnë një ditë, pasi tentojnë të bëjnë pis të vetmen protestë, ku të gjithëve na bëri të reflektojmë, si ajo e studentëve, të cilët i thanë ‘jo’ politikës.

Por, vijoi deputetja socialiste, ajo që i tremb më shumë mendoj se nuk ka të bëjë me atë që bën PS në krye të pushtetit apo mazhorancës, si mazhorancë e konsoliduar, por ka të bëjë me atë që duhet të fillonin institucionet e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Dje duhet të votonim strukturat e dy institucioneve KLGJ dhe KLP si dhe skadimi i afatit për aplikimet për SPAK. Nëse duhet të diskutojmë për korrupsionin, të vijmë së bashku të ngrejmë ato institucione, t’i bëjmë funksionale dhe më pas të presim rezultatet”, – deklaroi Gjylameti.