MENU
klinika

Apeli i Presidentit

Meta-politikanëve: Tregoni kujdes me vendimet

25.02.2019 - 19:10

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot në ceremoninë e Bekimit të Gurit të Themelit të Spitalit “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti u shpreh se ndërtimi i këtij spitali përmbush edhe një amanet të Nënë Terezës.

“Ndërtimi i këtij spitali mjaft të rëndësishëm përmbush edhe një amanet të Nënë Terezës. Ky çast është dëshmi e respektit, nderimit dhe frymëzimit të veprës së Shenjtores Nënë Tereza, pasi ai u shërbeu të gjithë atyre që vuanin, u dha shpresë të pashpresëve, fuqi të lodhurve, dritë të verbërve, shërim të sëmurëve dhe u fali dashuri, respekt e dinjitet të dëshpëruarve.

Ngjarja e sotme është dëshmi e vëmendjes, mbështetjes dhe e vlerësimit të vazhdueshëm të Selisë së Shenjtë për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët treguan kurajë dhe vetëmohim duke u ringritur nga kalvari i errësirës ateiste drejt transformimeve të mëdha politike dhe shpirtërore”, deklaroi Meta.

Në lidhje me situatën politike ku ndodhet vendi, Meta u bëri apel edhe politikanëve shqiptarë që të tregohen të përgjegjshëm për vendimet që marrin, pasi, sipas tij, ato lidhen drejpërdrejt me të ardhmen europiane të vendit.

“Mesazhet dhe lutjet për paqe dhe vëllazërim, për qetësi dhe bashkëjetesë janë sot aktuale për shoqërinë tonë, për politikën dhe politikanët, për përgjegjësinë e madhe dhe historike që ata duhet të tregojnë në çdo vendim që marrin në interes së të ardhmes europiane”, u shpreh presidenti.