MENU
klinika

Jetëshkrimi

Mihail Bulgakov – gjeniu i dyzuar mes mjekësisë dhe letërsisë

23.02.2019 - 10:57

I lindur më 15 maj 1891 në Kiev, nën Perandorinë Ruse, shkrimtari, gazetari dhe dramaturgu Mihail Bulgakov shërbeu si mjek lufte gjatë Luftës së Parë Botërore, Revolucionit Rus dhe Luftës Civile, përvojë që e frymëzoi t’i ofrojë lexuesit promemorien artistike për të parë lodhjen, rropatjen, emocionin, tensionimin, për të gjithë atë punë të mundimshme e rraskapitëse që i duhet një profesioni human: “Shënimet e një doktori të ri”, në vitin 1920.

Hoqi dorë nga sfilitja e përhershme dhe e vazhdueshme, një heroizëm i përditshëm, që kërkonte impenjim maksimal të forcave shpirtërore e fizike, për t’iu përkushtuar të shkruarit, çka shënoi fillimin e karrierës letrare nën zgjedhën e diktaturës dhe censurës staliniste. Në vitin 1921, ai u zhvendos në Moskë ku vazhdoi të punonte në teatër, shoqata dhe gazeta, duke botuar krijimet e tij letrare në revista të tilla si “Rossia” dhe “Nakanounie”.

Përmes mjeshtërisë artistike në esetë e shumta del në pah figura e një njeriu të dyzuar midis mjekësisë dhe letërsisë. Veprat përçojnë në fragmente të veçanta trishtimin e sinqertë që ngrihet deri në shkallën e protestës, ku dhembshurit trajton sëmundjet personale dhe problemet shëndetësore, të cilat përshkruhen me saktësi mjekësore, për shembull, varësia nga morfina. Esetë e Bulgakovit janë plot metaforë dhe referenca për situatën politike të Rusisë Sovjetike. Shpirti i artistit e krahason situatën e vendit me sëmundjen e rrezikshme të sifilizit, një infeksion i pabesë, një shkatërrim i ngadaltë dhe skllavërim i një organizmi shoqëror. Synimi i artit të madh mbetet kurdoherë fisnik dhe sublim. Ai e ruan pastërtinë shpirtërore edhe kundrejt rrethanave dhe kushteve torturuese dhe tjetërsuese, duke qëndruar i papërkulur tek forca e mendimit. Një dozë humori e këndshme buron nga rrëfimi i sinqertë.

Kryevepra e autorit “Mjeshtri dhe Margarita”, ka në qendër vajzën bukuroshe Margarita, e cila për të gjetur njeriun që do, një shkrimtar të mallkuar, pranon t’ia dorëzojë shpirtin djallit. Versioni bashkëkohor i mitit të Faustit, i transpozuar në Moskën e viteve 1930. “Mjeshtri dhe Margarita” është gjithashtu një nga tregimet e dashurisë më mallëngjyese shkruar ndonjëherë. Mihail Bulgakov punoi gati dymbëdhjetë vjet nën diktaturën staliniste, i vetëdijshëm se nuk do të kishte shanse ta shihte të botuar në të gjallë të tij. Shkruar për lirinë e artistëve dhe kundër konformizmit, kjo vepër mjeshtërore u botua një çerek shekulli pas vdekjes së njeriut që sot konsiderohet i barabartë me Dostojevskin, Gogolin dhe Çehovin. Kryevepra konsiderohet roman kompleks, i ndërlikuar dhe tronditës. Përshkrimi alegorik deri në detaje i dramës njerëzore e zhvendos lexuesin mes dy botëve paralele. Pasi ka përjetuar emocione tronditëse, ai e ka të vështirë të bëjë dallimin mes të pavërtetës dhe të vërtetës.

Pas vdekjes së të ëmës shkroi “Garda e Bardhë”, shkurt 1922, duke ofruar bazën për dramën “Ditët e mundimshme”. Bulgakovi, i cili njihej për talentin e shkëlqyer, një mjeshtër duarartë, i censuruar, i pakënaqur, i uritur, i shpëtuar nga vdekja nga Stalini (e paparashikueshme!) çmendej pas teatrit. Shkrimtari arriti të paraqesë si roman jetën e Molierit, një punë e mirëfilltë që u shndërrua në shpirtin e shfaqjeve të shumta.

Mihail Bulgakov jetonte dhe punonte në një botë me transformim të shpejtë, me traditën dhe revolucionaren, tragjiken dhe komiken, të zakonshmen dhe fantastiken, ku laikët dhe besimtarët vazhdimisht përplaseshin. Shkrimi i tij pasqyron puqjen e këtyre të kundërtave, gjë e cila e bën të vështirë ta vendosësh në një kategori letrare. Shumë nga veprat e Bulgakovit shënjohen nga struktura komplekse të komplotit dhe teknika narrative që endin së bashku nivele të ndryshme tregimtarie.

Dramat, tregimet dhe romanet dhe esetë tregojnë po ashtu shumëplanshmërinë e ndikimeve të tij letrare. Madje, ato kombinojnë, në shkallë të ndryshme, satirën e zymtë të shekullit të nëntëmbëdhjetë të autorit rus Nikolai Gogol dhe realizmin moral të mjeshtrit të shekullit të nëntëmbëdhjetë Fjodor Dostojevski. Bulgakov ishte admirues i fantashkenës dhe bredhjet imagjinare u frymëzuan kryesisht nga autori anglez H. G. Wells. Mjedisi teologjik e çoi në sjelljen e temave biblike dhe koncepteve në punën e tij.

Praktikisht i përjashtuar nga jeta letrare e kohës së tij, Mihail Bulgakov është një nga shkrimtarët rusë më të mëdhenj të shekullit XX. Satirist therës, stilist i shkathët dhe i shkëlqyer, proza e të cilit bie në sy për pasionin që ka për teatrin, ai është pjesë e traditës së klasikëve të mëdhenj, që vazhdon me një origjinalitet të fuqishëm. Vdiq më 10 mars 1940 në Moskë në moshën 49-vjeçare.

Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!