MENU
klinika

Vendimi

Ministria publikon rregulloren e re: Ndalohet reklamimi i ilaçeve

15.02.2019 - 10:35

Në rregulloren e re të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bëhet me dije se nuk do të ketë më reklamim të barnave që jepen me recetë mjeku.

Sipas kësaj rregulloreje, tanimë reklamimi do të jetë i ndaluar.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka miratuar rregulloren për mënyrën e kryerjes së publicitet të barnave në Republikën e Shqipërisë. Publiciteti i barnave përfshin çdo mënyrë informimi, lidhur me barin, pavarësisht llojit të medias me anë të së cilës do të zhvillohet, me qëllim promovimin e përshkrimit, shpërndarjes, shitjes dhe përdorimit të tij.

Në rregulloren e miratuar saktësohet se publiciteti drejtuar popullatës, lejohet vetëm për barnat që janë pjesë e listës së barnave pa recetë (barnat OTC). Publiciteti drejtuar popullatës është i ndaluar për barnat që shpërndahen kundrejt recetës së mjekut, dhe për të gjitha barnat narkotike dhe psikotrope, sipas ligjeve në fuqi në RSH”, shkruhet në rregulloren e re.

ilace uje-konica.al

Rregullorja e re:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka miratuar rregulloren për mënyrën e kryerjes së publicitet të barnave në Republikën e Shqipërisë.

Publiciteti i barnave përfshin çdo mënyrë informimi, lidhur me barin, pavarësisht llojit të medias me anë të së cilës do të zhvillohet, me qëllim promovimin e përshkrimit, shpërndarjes, shitjes dhe përdorimit të tij.

Në rregulloren e miratuar saktësohet se publiciteti drejtuar popullatës, lejohet vetëm për barnat që janë pjesë e listës së barnave pa recetë (barnat OTC). Publiciteti drejtuar popullatës është i ndaluar për barnat që shpërndahen kundrejt recetës së mjekut, dhe për të gjitha barnat narkotike dhe psikotrope, sipas ligjeve në fuqi në RSH.

Publiciteti i barnave për të cilat është e lejuar t’i drejtohet popullatës, duhet të përmbajë të paktën një nga informacionet më poshtë:
a) Emrin tregtar të barit dhe emrin EPN të lëndës aktive, kur bari përmban vetëm një lëndë aktive;
b) Informacionin e nevojshëm lidhur me mënyrën e duhur të përdorimit të barit,
c) Informimin e pacientëve lidhur me leximin e kujdesshëm të fletudhëzuesit ose të udhëzimeve në paketimin e jashtëm ose në paketimin parësor të barit

Rregullorja e re e miratuar përcakton gjithashtu edhe mënyrën e publicitetit të barnave përmes internetit. Përmbajtja e faqes së internetit duhet të ndahet, sipas kategorive të përdoruesve, në një seksion të destinuar për popullatën dhe në një seksion për profesionistët e kujdesit shëndetësor. Faqet e destinuara për profesionistët e kujdesit shëndetësor duhet të mbrohen nga një emër përdoruesi dhe fjalëkalimi.

Publiciteti i barit duhet të sigurojë që informacioni i transmetuar të jetë i vërtetë, shkencërisht i provuar, dhe në përputhje me kriteret etike, me qëllim që pacienti të trajtohet në mënyrën e duhur dhe racionale, pa keqorientuar profesionistët e shëndetit kur të rekomandojnë, përshkruajnë ose shpërndajnë barin, por edhe pacientët (përdoruesit e barit), në rastet kur publiciteti i drejtohet popullatës.

Spoti publicitar i cili do të aprovohet nga autoriteti shëndetësor përkatës (AKBPM), të ketë gjuhë të pastër shqipe dhe të jetë lehtësisht i kuptueshëm nga popullata të cilës i drejtohet.

Këto janë vetëm disa nga përcaktimet e bëra në rregulloren për publicitetin e barnave e publikuar në fletoren zyrtare më datë 12/02/2019 dhe mban Urdhrin Nr.25, datë 17.1.2019.