MENU
klinika

Jeta zakonore shqiptare

Miqtë e mbarë, vishen së prapthi

25.02.2019 - 13:54

Traditat dhe veshja e shqiptarëve ndër shekuj, ka qenë ngushtimisht e lidhur me shumë tipare dalluese sipas zonave dhe trevave të caktuara. Si shumë e pasur në ngjyra, veshja popullore shqiptare ishte qartësisht e dallueshme në të gjitha krahinat. Nëse bëhet fjalë për banorët e veriut, asokohe mund të vëreje shumë kalimtarë, që veshjen tradicionale e mbanin së prapthi. Kjo, shpjeguar nga ata që i njohin traditat, për disa arsye.

Nëse dikush mbante një veshje të kthyer së prapthi, donte të tregonte se po përjetonte një ndjenjë të thellë hidhërimi, apo një gëzim të papërshkrueshëm.

Për shembull, në Mirditën e para shumë kohëve, veshja e gunës mbrapsht simbolizonte zinë e personit që e mbante dhe kishte të bënte me humbjen e një pjesëtari të familjes apo një personi të afërm, në mohë të re. Këtë zbrazëti të madhe shpirtërore për familjen dhe fisin, mirditorët e shprehin përmes kësaj mënyre të veshuri.

Kësaj i shtohej edhe portreti i ngrysur, që për zonën quhej ndryshe si “çehre e vrarë” për atë që vishte gunën mbrapsht.

Por, jo rrallëherë, nëpër rrugët e këtyre krahinave hasje edhe burra të veshur më së miri dhe të qeshur në fytyrë, që mbanin veshje së prapthi, si element ekspozues ky.
Kjo ndodhte në zonnën e Kelmendit dhe nëse një burrë vishte gunën së prapthi, donte të tregonte se ai kishte marrë përsipër rolin e shkuesit, për të kërkuar dorën e një vajze për të birin, apo ndonjë të afërm të tij ose mik.

Në këtë rast, një veshje e tillë mbahej për të shkuar punët “për së mbari”.

Kjo ishte një bestytni shumë e njohur në shoqërinë tradicionale shqiptare. Në raste gëzimi, si: lindja, fejesa, martesa etj., duhej kthyer diçka së prapthi. Duke bërë këtë verpim, personi në fjalë apo familjarët e tij, i prisnin rrugën mbrapshtësive që mund të kishin në jetë, në marrëdhëniet në çift, ato famijare etj.

Një tjetër tipar i veçantë i shoqërisë zakonore shqiptare, ishte edhe ai që vinte në shtëpi si mik. Nderimi për të, ishte i një rëndësie të veçantë, pasi ai kryente edhe shumë funksione të tjera shoqërore në jetën e përditshme. Prandaj, ai kishte një vend shumë të dallueshëm dhe shihej gati-gati si perëndi.

Ata që i hapin derën e shtëpisë mikut, ruajnë me kujdes jo vetëm armën e tij, por edhe këpucët e xhaketën kur ai t’i hiqte, për të qenë sa më rehat. Ndërsa në zonën e Dibrës, ky kujdes për miqtë tregohej edhe duke u kthyer këpucët përmbys.

Kjo mënyrë pritjeje, me këpucët e kthyera përmbys, ishte e vetmja mënyrë e lejueshme e “dhunimit” të mikut, e toleruar prej tij dhe banorëve të zonës.

Këpucët e kthyera përmbys shprehnin një mënyrë të thëni, se miku, sipas rregullave kanunore, nuk lejohej të të trokiste në derë nëse më parë kishte marrë pjesë në një ceremoni mortore.

Në Kanunin e Dibrës, mes të tjerash, thuhet: “Ata që kthehen nga varrimi nuk duhet me shkue askund tjetër, veçse në shtëpi të vetë, ku lajnë duert e pastrojnë ftyrën me ujë të ngrohtë. Atij që të vjen në shtëpi dret e nga varrimi i dikujt, duhet me ia kthye opingat përmbys, kur t’i heqë me u ulë në odë”.

Sipas besimit të shoqërisë së asaj kohe, përmbysja e këpucëve të mikut ishte si masë mbrojtëse, pra, kështu nuk do të lejohej mynxyra të shkonte nga varrezat në shtëpinë e mikpritësit. Kësisoj, normat kanunore dhe zakonore ia njihnin të drejtën e vetëmbrojtjes mikpritësit, prej ndonjë gabimi apo veprimi me qëllim të keq, nga ana e mikut të shtëpisë.