MENU
klinika

Kundërshtojnë Gjykatën e Hagës

Mos ekstradimi i Frrokut/ Deputetët Holandezë: Rrezikon të lirohet

25.02.2019 - 19:52

Disa ditë pasi Gjykata e Hagës refuzoi ekstradimin e Arben Frrokut në Shqipëri, deputetët e 4 forcave politike në Holandë, kërkojnë të shqyrtohet çdo mundësi, që sëpaku ai të mos lirohet.

E përditshmja holandeze “De Telegraf”, disa ditë pasi Gjykata e Hagës refuzoi ekstradimin e Arben Frrokut në Shqipëri, shkruan se ky i fundit, rrezikon të shmmangë dënimin e tij.

“Një vrasës shqiptar, i cili është i ndaluar në Holandë, rrezikon të shmangë dënimin e tij dhe të jetë i lirë këtu. Avokati i personit që vrau një shef të Policisë në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, sfidoi me sukses ekstradimin e tij”.

Sipas kësaj gazete, Prokurori Publik dhe avokati i Frrokut, Gerald Roethof, e kanë konfirmuar tashmë mundësinë e lirimit të tij. Edhe përfaqësuesit e disa partive politike në Holandë janë kundër vendimit të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Hagë, për refuzimin e ekstradimit të Arben Frrokut.

Deputetët e 4 forcave politike atje kërkojnë që të shikohet çdo mundësi, që në rast mosekstradimi, ai të paktën të vuajë dënimin në vendin e tyre dhe të mos lirohet.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që ky vrasës i dënuar të mos lirohet. Unë them: Ose jashtë vendit tonë, ose pas hekurave”, deklaroi Jeroen Van Wijngaarden, anëtar i Partisë për Liri dhe Demokraci (VVD).

“Dua që së shpejti të bëhet një debat për këtë çështje. Nuk mund të kthehemi në një parajsë për këta lloj kriminelësh”, është shprehur deputetja kristiandemokrate, Madeleine Van Toorenburg.

Kreu i Partisë së Lirisë (PVV), Gidi Markuszoëer, kërkon që Holanda të denoncojë “të tmerrshmen”, siç e quan ai, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

“Pas përfundimit të traktatit, ne duhet ta kthejmë atë në Shqipëri, kështu që, ta kalojë jetën pas hekurave”, tha ai.

Anëtari i Parlamentit, deputet i Partisë Socialiste atje, Van Nispen, shprehet se për Holandën ky është rezultat veçanërisht i padëshirueshëm.

“Në qoftë se ekstradimi nuk është i mundur, duhet të merren parasysh mundësitë nëse është e nevojshme, që ai të vuajë dënimin”, shprehet ai.