MENU
klinika

Deklarata e plotë

Ndryshim kufijsh në Maqedoninë e Veriut? Zaev i prerë

16.02.2019 - 18:50

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev në një intervistë me Deutsche Welle komentoi debatin për ndryshim kufijsh mes Kosovës e Serbisë.

Lidhur me këtë çështje, Zaev theksoi se problemet që kanë mbetur për t’u zgjidhur pas zgjidhjes së problemit të Maqedonisë së Veriut me Greqinë është çështja e Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.

I pyetur nëse çështja e ndryshimit të kufijve mund të ketë pasoja edhe për Maqedoninë, Zaev tha qartë se ata vetëm mund të ëndërrojnë për ndryshimin e kufijve të Maqedonisë Veriore.

“Ja pse ne e mbështesim çdo zgjidhje dhe do të promovojmë bashkëpunimin, të garantojmë paqen dhe çojmë përpara axhendën tonë dhe ajo është integrimi në BE. Dhe kjo është e mundur të arrihet. Nuk po hyj në detaje, sepse nëse dikush nga vendet fqinjë komenton detajet, kjo mund të kthehet në një problem.

Kjo është çështje mes Beogradit dhe Prishtinës, unë besoj, se ata do ta gjejnë një zgjidhje. Shpresoj për një zgjidhje pozitive dhe miqësore, dhe dua t’i ndihmoj të dy presidentët dhe qeveritë e tyre.

Tani ata vetëm mund të ëndërrojnë për ndryshimin e kufijve të Maqedonisë Veriore. Ne jemi anëtar i NATO-s. Nuk do të ketë ndryshim kufijsh në Maqedoninë Veriore. Ne jemi të sigurtë dhe (anëtarësia në NATO) na e jep këtë siguri.

Qëllimi ynë i përbashkët është integrimi në BE, në zonën Shengen dhe hapja e kufijve. Të jemi në një kufi të përbashkët europian, kjo është gjëja më e rëndësishme. Nëse mendojmë në këtë drejtim, duhet të veprojmë në këtë mënyrë. Më në fund duhet të ndalim të mendojmë, se bota ka filluar të ekzistojë me kombet tona. Jo.

Ne mund të jemi të gjithë më ambiciozë, të tregojmë më shumë solidaritet, të ndihmojmë më shumë njëri-tjetrin për një jetë më të mirë, ne kemi të gjithë vetëm një jetë. Dhe shumë varet nga politikanët. Nëse e lëmë mënjanë nacionalizmin, do të jemi më europianë dhe do të jetojmë më shumë një jetë europiane“, u shpreh Zaev për Deutsche ëelle.