MENU
klinika

Nëna e Rita Orës

Nga kanceri i gjirit, te beteja e fituar

14.02.2019 - 12:17

Rita Ora i ka dhënë një famë të madhe edhe nënës së saj Verës, e cila tashmë është nga nënat më të famshme në Britani.

Së fundmi, Vera ka folur për kancerin e gjirit dhe të shkuarën e saj. Vera Ora ka treguar me anë të një postimi në rrjetet sociale se ajo kishte rritur fëmijët e saj me anë të ushqimit të gjirit, ndërsa ka treguar se disa vite më vonë ajo ishte diagnostikuar me kancerin e gjirit.

“Ky është një kujtim i çmuar ku ushqeja më gji fëmijën më të vogël. Jeta është e paparashikueshme pasi u diagnostikova pak vite më vonë me kancer të gjirit, ndërsa iu nënshtrova edhe një operacioni. Një ndjenjë e hidhur, por ndihem krenare pasi që gjinjtë e mi shërbyen për qëllimin e tyre të vërtetë”, ka shkruar ajo.

Vera, po ashtu në këtë postim ka bërë të ditur se është e përfshirë në një projekt që ka për qëllim rritjen e vetëdijes te gratë për këtë sëmundje.

“E shoh të ardhmen me qëndrime pozitive dhe gjithmonë dëshiroj të rris ndërgjegjësimin e grave të cilat duhet të ndjekin hapat e njëjtë. Të qenit i vetëdijshëm dhe të kontrolloni gjoksin është kryesore dhe jam krenare që do të jem ambasadore e ‘Future Dream”-një organizate që është afër zemrës sime dhe rrit ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, vetëdijen dhe kërkimet për këtë sëmundje”, tha Vera Ora.