MENU
klinika

Para protestuesve

Opozita dorëzon publikisht mandatet

21.02.2019 - 11:03

Mijëra qytetarë, mbështetës të opozitës janë mbledhur tek Parlamenti dhe kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama. Protestuesve iu janë bashkuar liderët Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Sali Berisha etj.

Deputetët kanë dorëzuar publikisht mandatet e tyre. I pari ka qenë Ervin Salianji.

Ervin Salianji: Më datë 16 dëgjuam zërin e qytetarëve. Sot mandati im, mandati i Ervin Salianjit iu takon juve, fitore!

Nora Malaj: Mandati im për të gjitha gratë dhe vajzat që e duan Shqipërinë e lirë.

Luan Baçi: Mandati im është i juaji. Të gjithë bashkë “Rama ik!”.

Gent Strazimiri: Përshëndetje njerëz të lirë. Si sot 28 vjet më parë Gramoz Ruçi bëri veprimin e parë si ministër i brendshëm i diktaturës. Sot pas 28 vitesh kryetari i parlamentit rrethon me tela me gjemba parlamentin sepse ka frikë nga populli.

Kejdi Mehmetaj: Mandati i deputetes nuk është i imi, mandati është i juaji, është i të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. Ta bëjmë Shqipërinë shtëpine tonë!

Ndryshe nga protesta e kaluar policia ka forcuar radhët e saj. Janë 7 kordonë policësh para parlamentit. Mësohet se efektivët e FNSH-ve janë vendosur pas tre kordonëve së policisë së rendit dhe 3 kordonëve të forcave Shqiponja. Ndërkohë protestuesit janë mbledhur para parlamentit. Opozita e Bashkuar proteston sërish sot, por tubimi do të mbahet para parlamentit.