MENU
klinika

I keqarsimuar, por jashtëzakonisht i suksesshëm

Parashikoi vdekjen e tij, por i dha Amerikës një ‘thesar’

01.02.2019 - 17:18

Me siguri, secili prej nesh e kujton nga fëmijëria librin “Aventurat e Tom Sojerit”, me atë djalin e vogël çapkën, që jetonte anës lumit të Misisipit, dhe autorin Mark Tuein. Ai është një nga shkrimtarët më të famshëm, por me siguri do të ishte e vështirë të besohej se dikur ai braktisi shkollën, kur ishte vetëm 12 vjeç.

Ndoshta shkrimtari dhe humoristi më i dashur amerikan në histori, Mark Tuein, u bë i famshëm për krijimin e karaktereve klasike të Tom Sojerit dhe Hakëllberi Fin. Në fakt, libri i tij, konsiderohet nga shumë njerëz si “romani i madh amerikan”. Jo keq, për një djalosh që kishte një arsimim minimal. Tuein e la shkollën në moshën 12-vjeçare, menjëherë pas vdekjes së të atit. I vëllai i madh, Orioni, ishte tipograf dhe shkrimtari i ardhshëm nisi të punonte si ndihmës i tij.

Mark Tuein lindi në Florida, Missouri, më 30 nëntor dhe emri i vërtetë i tij ishte Samuel Langhorne Clemens.
Ditën kur lindi Twain u shfaq kometa Hallei. Ai parashikoi se do të vdiste kur kometa të kthehej. Është e çuditshme që shkrimtari lindi dhe vdiq në ditët kur pranë Tokës kaloi kometa Hallei, por më e çuditshme është që ai e parashikoi që ditën e fundit, pra ditën e vdekjes, do të ndodhte. Mendohet se Tuein ka thënë: “Erdha në jetë bashkë me kometën Hallei në vitin 1835. Do të kalojë sërish dhe pres që edhe unë të iki bashkë me të. Nëse nuk ndodh, do të jetë një zhgënjim i madh për mua”.

Ai ishte fëmija i gjashtë nga 7 fëmijët, prej të cilëve vetëm 3 mbijetuan. Dy vëllezër të tij dhe një motër, vdiqën në një shpërthim në anije. Motra e tij e quajtur Margaret vdiq kur ishte 3 vjeç, dhe vëllai i tij Benjamin vdiq 6 vite më vonë. Kur Tuein ishte 11 vjeç, më 1847, i vdiq babai nga pneumonia. Një vit më vonë ai u bë daktilograf. Në vitin 1851 kontribuoi në artikujt dhe skeçet humoristike për gazetën Hanibal, një gazetë që posedohej nga vëllai i tij.
Duke dashur të kërkonte fatin, Mark Tuein u transferua në Kaliforni dhe bëri punë nga më të ndryshmet, duke nisur që nga kërkues ari, minator, e deri tek puna si gazetar e reporter në San Francisko. Vizitoi Hawaiin dhe udhëtoi nëpër Afrikë, Francë dhe Itali.

Nga këto eksperienca lindi edhe libri i tij “Innocents Abroad”. Dhe jo vetëm kjo vepër. E gjithë krijimtaria e Mark Tuein frymëzohet nga ngjarje dhe vende ku jetoi apo vizitoi, ndaj konsiderohen si autobiografike.
I shëtituri Mark Tuein u martua me Olivia Langdon në vitin 1870, pasi i kishte shkruar asaj 189 letra dashurie, e pas kësaj nis një jetë të qetë familjare. Për 20 vite në qiellin e letërsisë botërore për fëmijë e të rinj, do të ndrisin plot yje, fryte të një krijimtarie të lavdishme. Në këtë periudhë kohore, ata të dy, Mark e Olivia, do të ndërmerrnin udhëtime, ndërkohë që Tueini shkruante pa pushim.

Shkruajti “Aventurat e Tom Sojerit”, një nga veprat e tij më të njohura në botë. Më pas edhe “Hakëllberi Fin”, një odise amerikane, që u konsiderua si roman për të rritur, por më pas nga popullariteti i madh, u bë libri më i preferuar i fëmijëve në të gjithë botën.

Edhe pse ishte karakter pesimist, Mark Twain njihet si shkrimtar me një humor të parezistueshëm. Jeta e tij ishte e mbushur me fatkeqësi, sepse në 1893 i vdes e bija Susan, në 1904 e shoqia dhe në 1909 vajza tjetër Xhejn. Madje thuhet se pas vdekjes së vajzës së parë, shkrimtari për disa kohë vuajti nga depresioni.

Mark Tueini vdiq më 21 prill 1910, në moshën 74-vjeçare, pas shumë peripecive financiare dhe fatkeqësive në familje. Megjithatë, ai mbetet pa dyshim një nga ikonat më të spikatur të letërsisë amerikane, dhe librat e tij sigurisht më të preferuarit e fëmijëve në të gjithë botën.