MENU
klinika

Tensionet para Kuvendit

Përfundon protesta e opozitës, pas tre orësh përleshje me Policinë

26.02.2019 - 20:10

Situatë e tensionuar tek parlamenti, ku pas shtyrjeve dhe tentativave nga protestuesit për të çarë radhët e policisë është hedhur gazi lotsjellës.

Policët e rendit janë larguar dhe në radhë të parë është gati për ndërhyrje FNSH. Gazi lotsjellës ka arritur të shpërndajë turmën e protestuesve, një pjesë e të cilëve janë tërhequr drejt rrugës së Elbasanit. Policia hedh vazhdimisht gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Madje kryetares së LSI-së i hedhur tek këmbët por ka arritur të largohet në kohë.

Sheshi para parlamentit është boshatisur disa minuta por sërsh protestuesit kanë nisur të mblidhen. Policia me megafon iu bën thirrje protestuesve të ndërpresin veprimet e dhunshme.

Por pas gazit lotsjellës janë bërë gati botet e ujit për të larguar protestuesit.

Protestuesit kanë tentuar të çajnë radhët e policisë sërish dhe kanë hedhur herë pas here tymuese e bidona drejt policisë. Qytetarë të shumtë e mbështetës të opozitës janë vendosur në dy hyrjet e parlamentit, ku kanë kaluar deputetët e maxhorancës. Ata kanë lëshuar thirrje “Parlament i krimit”, “Rama ik!”, “Liri demokraci”, “Këtu vendosim ne”.

Mes protestuesve janë edhe kreu i PD-së Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi si dhe përfaqësues të tjerë politikë të opozitës. Ndërkohë brenda parlamentit vijon seanca plenare.

Ndonëse nuk ka tel me gjemba, masa të shumta sigurie janë marrë nga forcat e rendit të cilat janë vendosur në disa radhë.

Opozita vendosi të protestojë sot sapo Konferenca e Kryetarëve mori vendim të zhvillonte seancën e së enjtes së kaluar pasdite në orën 17:00.

Megjithëse është një protestë e paparalajmëruar dhe pa marrë leje Policia e Tiranës ka marrë gjithë masat për mbarëvajtjen e saj dhe sigurinë e institucionit të parlamentit.