MENU
klinika

Nga Agron Tufa

Përkthimi, si gjest i rezistencës kulturore

13.02.2019 - 20:49

Nuk është e rastësishme që ky botim i Ferrit të Dantes vjen në përkthimin e një ish-të përndjekuri politik të diktaturës komuniste, tashmë të ndjerit, Hektor Shënepremte (1921-1997).

Në fakt, të gjitha përkthimet e Komedisë hyjnore që kemi në shqip janë përkthyer/ shqipëruar nga ish-të dënuar dhe të internuar politikë të regjimit komunist. Dy përkthyesit e Komedisë së plotë të Aligerit – mjeshtrat e mëdhenj – Pashko Gjeçi dhe Mark Ndoja, që të dy njohës të thellë të poezisë klasike romano-latine, ishin ish-të dënuar të regjimit.

Që të dy e patën përmbushur përkthimin integral të Komedisë hyjnore në tercina të rimuara, në një gegërishte të pasur leksikore e idiomatike, plot kumbe e jone muzikore, pra në përkthim poetik. Ndërsa përkthimi i Pashko Gjeçit mbeti i vetmi botim (dhe ribotim) deri në rënien e komunizmit, përkthimi (gjithashtu i plotë) i Mark Ndojës e pa dritën e botimit pas rënies së komunizmit, pra postmortum.

perkthimet-konica.al

Përvojat e para të përkthimit të Dantes në shqip kanë zanafillë të hershme, qysh në vitin 1900 me Kangën V të Ferrit nga Kola i Sokol Bacit (Sokol Baci) botuar në shtypin italo-arbëresh (“Nazione Albanese”), një përkthim poetik me tercina të rimuara në gegërisht. Në përkthimin poetik gegërisht janë dhe përvojat përkthimore të suksesshme të disa këngëve të shqipëruara nga Ernest Koliqi në antologjinë Poetët e mëdhej t’Italis (“Nikaj”, Tiranë, 1932). Një përvojë tjetër të përkthimit në gegërisht sjell shqipërimi poetik i rimuar i Atë Vinçens Prenushit nga Kanga XI e Parajsës, që gjendet i përfshirë në fund të vëllimit të tij me poezi Gjeth e lule (1921).

Fragmente të tjera nga Komedia hyjnore janë përkthyer nga disa pena të viteve ’30 të shek. XX, ku dallohen përkthimet e Basho Jonës vs. Nikollë Dakajt.

Dihet, sigurisht, që jo vetëm në shqip, por edhe në gjuhët e tjera, për përkthyesit ka qenë më tundues përkthimi i Ferrit. Për herë të parë, tashmë jo në idiomën gege, Ferri i plotë është përkthyer gjatë viteve të burgut dhe internimit të tij nga përkthyesi i njohur Çezar Kurti, por i botuar vetëm në vitin 1996. Pra, kemi për herë të parë një përkthim në shqipen standarde, edhe ky nga një ish-i dënuar i komunizmit. Përkthimi i Çezar Kurtit është përmbushur në tercina të rimuara monokolonë, në traditën e përkthimeve poetike me shënime e komentarë të hollësishëm.

Përkthimi i dytë në shqipen standarde dhe i vetmi në llojin e vet i pjesës së parë të Komedisë, pra Ferri-t, është ky përkthim i Hektor Shënepremtes, gjithashtu, edhe ky, pa e prishur traditën e të dënuarve dhe të dëbuarve të mëparshëm nga regjimi. Është i vetmi në llojin e vet ky variant, sepse është sjellë në llojin e përkthimit ad literam (përkthim i fjalëpërfjalshëm), domethënë i parimuar, jopoetik. Në fakt, në traditën tonë përkthimore tipi i përkthimit të fjalëpërfjalshëm ndeshet rrallë, por në kulturat e huaja letrare është shpeshherë një lloj përkthimi me rëndësi të madhe, për të kuptuar sa më saktë e besnikërisht idetë, mendimin dhe imazhet strikte të origjinalit. Dihet sentenca e famshme e Ciceronit, sipas të cilit “përkthimi është si femra: nëse është e bukur, është e pabesë; nëse nuk është e bukur, është besnike”.

perkthimet-konica.al

Përkthimi poetik dhe i rimuar shpesh çon vullnetshëm apo pavullnetshëm në shmangien prej origjinalit, nuk e ka bukurinë, harmoninë, jonet e magjinë muzikore të përkthimit jopoetik. Por pikërisht për të ruajtur një besnikëri të origjinalit është këmbëngulur vazhdimisht, në të gjitha traditat përkthimore të poetikave kombëtare, në një traditë të përkthimeve të fjalëpërfjalshme. Këtë element të besnikërisë, kuptimit të saktë dhe didaktik ka pasë parasysh Hektor Shënepremte kur ka ndërmarrë përkthimin ad literam të Ferrit dantesk.

Ai e shpreh edhe vetë në shënimet e tij: “Ky përkthim i parimuar nuk mund të ketë bukurinë e origjinalit dhe merr vlerë më shumë didaskalike për ta kuptuar mirë veprën dhe domethënien e saj; një përkthim me rimën e tercinës do t’ishte i pamundur ose do t’i largohej shumë origjinalit; i lutem lexuesit të nderuar të më falë në qoftë se nuk ia kam arritur qëllimit për ta bërë më të kuptueshme kryeveprën e Dantes.”

Kësisoj, në repertorin përkthimor të Komedisë hyjnore në shqip, përkatësisht kantikut të parë – Ferri-t, – kjo vepër mbetet përkthimi i parë tekstual që përmbush një detyrë didaktike për t’u ambientuar më mirë me kontekstin dhe mendimin origjinal të autorit. Disa modele të përkthimit tekstual të Dantes i ndeshim dhe te Koliqi. Se sa ia ka dalë Shënepremte me përkthimin e tij, kjo mbetet të gjykohet nga lexuesi.

Në punën tonë redaktoriale ne jemi munduar të evitojmë paqartësitë me ndonjë ndryshim rendi të fjalëve apo saktësime të tjera leksikore, të bëjmë krahasime me tekstin origjinal dhe me përkthime të tjera në shqip nga kjo poemë e Dantes, meqenëse përkthyesi e ka lënë dorëshkrimin në një gjendje të paredaktuar e të pakorrektuar. Tek-tuk ndeshim edhe në ndonjë mungesë vargu ose tercine, që janë plotësuar. Gjuha, ndonëse në tërësi i përmbahet shqipes standarde, paraqet jo rrallë dialektizma funksionalë, kryesisht të leksikut gegë, por edhe forma e idioma gege, me çfarë mund të shpjegohet fuqia ndikuese e përkthimeve paraardhëse, sidomos me format e infinitivit (paskajores) kur kemi të bëjmë me imazhe abstrakte dhe nevojë për fuqizimin dhe saktësinë e mendimit.

Mendojmë se ky përkthim tekstual e zgjeron dhe bën më të larmishëm repertorin përkthimor të Dantes në shqip, përmbush nevojën e një njohjeje më të saktë të tekstit origjinal për analiza, krahasime e variacione të tjera kuptimore mbi tekstin.

perkthimet-konica.al

Nuk duhet të harrojmë as kushtet, as gjendjen shpirtërore e mendore të përkthyesit në internim dhe punë të rëndë, as mundësitë e pakta dhe as njohjen autodidakte të gjuhës. Më së pari, ky përkthim është një gjest rezistence i një njeriu të papërkulshëm të kulturës i cili, tok me poezitë dhe poemat e tij origjinale, e ka parë përkthimin e Ferrit si një “ngjërim përvoje” vetjake, të asaj përvoje që e vuante në lëkurë. Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK) ka qenë i ndjeshëm ndaj kësaj rezistence intelektuale dhe dorëshkrimet e veprave origjinale apo përkthimet e përmbushura në mungesën totale të lirisë (në burgje apo internim-dëbime) i ka botuar, duke ua kthyer lexuesve shqiptarë këtë akt e gjest qëndrese.

Dhe qëndresa më e lartë është ajo që bëhet në sferën e kulturës.

Kush më mirë se një i burgosur dhe një i internuar mund ta ndiente lëndën danteske si barrë shtypëse në shpirt e në ndërgjegje? Prandaj përftohet, jo rastësisht, që të gjithë përkthyesit e Dantes, përkatësisht Ferrit, në shqip, janë ata përkthyes, fati i të cilëve u vërtit nëpër rrathët e “ferrit komunist”, si të dënuar apo si të internuar, brenda apo jashtë atdheut (Prenushi, Koliqi, Gjeçi, Dakaj, Ndoja, Kurti, Shënepremte).

Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!