Artistët, thuhet se janë gjithmonë disa vite përpara kohës në të cilën jetojnë dhe për këtë arsye puna e tyre vlerësohet nga të gjithë brezat.
Por, ka pasur edhe artistë që nuk janë vlerësuar kurrë nga bashkëkohësit, madje janë përbuzur kur kanë qenë gjallë, ndërsa sot vlerësohen më shumë se kushdo tjetër. Vinsent Van Gogh është një nga ata…
Gjatë jetës ishte një piktor i dështuar dhe i varfër. Shiti vetëm 2 nga 2000 pikturat e tij, ndërsa sot veprat e tij kushtojnë miliona dollarë dhe besohet se një nga pikturat që shiti ishte “Vreshti i kuq në Arles”.
Van Gogh e pikturoi “Vreshti i kuq në Arles” në fillim të nëntorit 1888 dhe Anna Boch, një artiste belge dhe koleksioniste arti, e bleu pikturën në fillim të vitit 1890 për 400 franga belge. Ndoshta e bleu sepse ajo pëlqente pikturën dhe donte të tregonte mbështetjen e saj për van Gogh, puna e të cilit po kritikohej atë kohë, ndoshta për ta ndihmuar atë financiarisht, ose ndoshta për të kënaqur vëllain e saj, Eugène, të cilin e dinte se ishte një mik i Vinsentit.
Vinsent van Gogh lindi më 30 mars të vitit 1853 në Groot-Zundest, një fshat i vogël në jug të Holandës. I ati ishte pastor dhe xhaxhallarët e tij shitës veprash të artit. Edhe ai vetë nisi të punojë që në moshën 16-vjeçare në Hagë si një shitës i veprave të artit. Pikturat e tij patën qenë gjithnjë të errëta, por kohë pas kohe nisën të përkeqësoheshin deri më 1886, kur nisi sërish studimet në Cormon dhe u takua me piktorët impresionistë, mes të cilëve edhe Camille Pissarro, Claude Monet, Henri de Toulouse-Lautrec dhe Paul Gauguin.
Van Gogh e kaloi të gjithë jetën e tij të shkurtër duke pikturuar e duke luftuar me vetveten. Çrregullimet nervore, një kompleks i fëmijës së zëvendësuar, që e ndoqi pas gjithë jetën dhe absurditeti i epokës së artit, ku veprat e tij nuk shiteshin dhe aq shumë, e shtynë shpesh drejt akteve skizofrenike.
Në 1876-ën e lë punën përfundimisht dhe niset në një vend afër Londrës, në Ramsgate, ku punoi si mësues i përkohshëm, duke marrë si shpërblim vetëm ushqim dhe strehim. Aty u bë edhe ndihmës predikues dhe dëshironte që t’ia dedikonte jetën fesë, por gjatë një vizitë tek prindërit e tij këta të fundit ngelen të tronditur nga kushtet në të cilat jetonte i biri dhe nuk pranuan që ai të niset sërish për në Londër.
Xhaxhai i Vinsentit i gjeti një tjetër punë, kësaj radhe si shitës në një librari të Dordrecht-it. Van Gogh filloi të jetonte sërish vetëm, Në 1879-ën punoi si predikues në minierat e karbonit, dhe atëherë realizoi edhe skicat e para. Jetonte në një varfëri të skajshme, dhe vëllai Teo e kritikonte për mënyrën se si ishte katandisur jeta e tij. Pasi nuk folën me njëri-tjetrin për një vit të tërë, Teo e ndihmoi financiarisht dhe e nxiti të vazhdonte me pikturën. Kështu, Vinsent shkoi në Bruksel dhe frekuentoi shkollën e artit, ku njihet me shumë piktorë dhe duke u bërë në vitin 1880 mik i piktorit Anton van Rappard.
Në vitin 1881 ra në dashuri me Kejt, një vejushë prej pak kohësh dhe me një fëmijë, po pa arritur të ketë një lidhje me të. Pas një kërkese për martesë, ai mori refuzimin e saj, dhe u nis për në Aja.
Në këtë periudhë Vinsent njohu një prostitutë rrobalarëse të alkoolizuar, Sien Hoornik dhe nga ky pasion i parë u ngjiz piktura e mrekullueshme “Sorroë”. Xhaxhi i tij e porositi të bënte njëzet piktura peizazhesh, e vetmja punë me porosi që bëri gjithë jetën e tij.
Nga viti 1883 deri në 1885 jetoi me prindërit në Nuenen dhe në harkun e këtyre viteve pikturoi dyqind tablo, dhe mori leksione muzike dhe kantoje, sepse mendonte se ekzistonte një lidhje midis ngjyrës dhe muzikës.
Vitin tjetër Van Gogh u sëmur rëndë për shkak të mosushqyerjes dhe duhanit. Ndërkohë, një agjent shitjesh i bleu një seri pikturash, por shiti vetëm njërën prej tyre për disa qindarka, duke i hedhur të tjerat në zjarr.
Më pas, piktorit iu desh të linte Parisin dhe të transferohej në Arles, ku gjeti një shtëpi dhe vendosi të pikturonte fasadat e verdha. Në qytetin francez pikturoi mes të tjerash disa prej kryeveprave të tij kryesore, ndër të cilat “Vazoja me 12 luledielli”, “Ura e Langlois”, “Kafja e natës” dhe “Shtëpia e verdhë”.
Pikërisht gjatë qëndrimit në Arles ndodh një nga episodet më të diskutuara dhe dramatike të jetës së Van Goghh. Natën e 23 dhjetorit piktori pret veshin e majtë dhe e çon në një shtëpi publike, për t’ia dhuruar një prostitute me të cilën ishte dashuruar. Ndërkohë shtrohet në spital me diagnozën e epilepsisë, alkoolizmit dhe skizofrenisë dhe pikturon “Autoportretin” me veshin e fashuar.
Që nga ai moment Van Gogh pati gjithmonë e më shumë kriza haluçinacionesh dhe shtrohej herë pas here në spital për t’u kuruar nga sëmundjet mendore. Pikturat e kësaj periudhe përshkohen nga një ndjenjë e fortë depresioni.
Më 27 korrik të vitit 1890 ai shkoi në një fushë me grurë dhe qëlloi veten me armë në kraharor, më pas u kthye në dhomë, ku vdiq dy ditë më pas.
Vdiq më 29 korrik dhe u varros një ditë më pas në po atë vend ku u qëllua. Në funeralin e tij, arkivoli mbulohet i gjithi me luledielli.
Megjithatë post-impersionisti nga Holanda, ka mbetur legjendë në mesin e artistëve dhe puna e tij ka ndikuar shumë në artin e shekullit 20-të. Sot, shumë prej pikturave të Van Gogh-ut renditen në mesin e pikturave më të shtrenjta në botë, e sa keq që ai nuk mund ta shijonte suksesin për aq kohë sa ishte gjallë…