ANKTH
Asgjë prej teje s’më magjeps, natyrë,
As fushat, as siçilianet jehona pastorale,
As ojnat e agimit përmbi male,
As madhështia e muzgjeve të mpirë.
Qesh me artin, me Njeriun, varg i lirë,
Me tempujt grekë dhe kullat plot spirale,
Që në qiell avitin katedralet
Dhe s’di kush është i lig e kush i mirë.
Nuk besoj në Perëndi dhe kam tejflakur
Çdo mendim, kurse shakaja e mplakur,
Dashuria, më mirë për të mos dija.
Nga jeta braktisur, s’guxoj të shkoj përfare,
Në baticë e zbaticë si ajo anija
Shpirti im pret mbytjen mes llahtare.
Pavarësisht polimorfizmit dhe transformimet, pavarësisht nga të gjitha ndikimet që pësoi, Verleni ka mbetur krejt origjinal para së gjithash nga individualiteti i frymëzimit të tij.
Nuk shkroi asgjë që kishte të bënte me veçantitë e jetës personale. Mirëpo, ky trashëgimtar i romantikëve ndryshon nga paraardhësit e tij nga “edukimi” parnasian. Armik i ekzagjerimit dhe elokuencës, ai është partizan i shprehjes së pasionit dhe dhimbjes me një naivitet të dlirë që të habit dhe të tërheq.
Pol Verleni është një nga poetët më të mëdhenj të shekullit XIX, pasardhës i drejtpërdrejtë i artit të Bodëlerit, ndër të parët përfaqësues të poezisë moderne, që zuri fill në Francë me të ashtuquajturën rrymë simboliste.
Lindi në Metz, më 30 mars 1844, fëmijë i vetëm i ushtarakut Nicolas dhe znj. Dehée. Prej nënës, Paul trashëgoi gjallërinë, por në vijim duket t’i ketë ngjarë më tepër gjyshit nga i ati, njeri ky i paqetë, rebel e alkoolist. Me këtë kohë përkojnë edhe shkrimet e tij të para. Në moshën 18-vjeçare shkon të jetojë në shtëpinë e kushërirës, Elisa Moncomble dhe këtu shfaqen shenjat e para të çrregullimeve të tij shpirtërore, teksa dashurohet me kushërirën e martuar dhe tetë vjet më të madhe.
Elisa, e cila vdiq në moshë të re, la gjurmë të thella në ndërgjegjen e djaloshit Verlen dhe tiparet e saj, së bashku me natyrën e marrëdhënieve të ndërmjetme, janë skicuar te disa prej poezive të tij.
Ajo, përveçse e ndihmon të ndjekë studimet për drejtësi, financon edhe përmbledhjen e parë poetike të Verlenit, me titull “Poezi saturniane” (1866), libër që bëri bujë dhe shpallet nga buletini “Libraria” ndër përmbledhjet më të mira të vitit. “Poezitë saturniane” për nga zymtësia rivalizon “Lulet e së keqes” dhe, vërtet, në të ndikimi i Bodëlerit është i dukshëm. Poezi si “Përgjëratë”, “Ëndrra ime e përnatshme”, “Ankth”, “Çavitri”, tërheqin edhe vëmendjen e Malarmesë, që nuk nguron ta përshëndesë. Boton përmbledhjet “Miqtë” (1867) dhe “Festat galante” (1869).
Më 1869, në mars, njihet me Matilde Motenë, që do të bëhet pas një viti gruaja e tij. Mirëpo, as martesa nuk e shpëton dot Verlenin nga pija; ajo vetëm e qetëson pak, për ta flakur mandej në krahët e shthurjes. Përmbledhja “Kënga e mbarë”, e botuar në vitin 1870, përmban kryesisht poezi autobiografike, por shquhen edhe ato të mëparshmet për stilin tashmë të kristalizuar verlenian. Gjatë kohës që vuan dënimin, botohet “Romancat pa fjalë” (1874), ku Verlen pasqyron poetikisht çaste nga peripecitë e sipërpërmendura.
“Urtësi” (1881) shënon në njëfarë mënyre kulmin e veprës poetike të Pol Verlenit, ku mbizotëron fryma fetare; poetit, pas zhgënjimeve, i mbetet të kërkojë shpëtimin te Zoti. Nëpërmjet një bashkëbisedimi të vazhdueshëm me hyjnoren, Verlen duket sikur arrin në katarsis. Në nëntor të vitit 1892 e ftojnë në Holandë e pastaj në Belgjikë e Angli, ku jep konferenca rreth poezisë bashkëkohore. Më 1894, nderohet me çmimin “Princ i Poetëve”. Më 1895 boton përmbledhjen e fundit në gjallje, të titulluar “Rrëfime”. Vdes në vetmi, mbëmjen e 8 janarit 1896, megjithëse në funeralin e tij morën pjesë me mijëra vetë dhe ishte Mallarme ai që mbajti fjalën e lamtumirës.
Tipari ndoshta më spikatës i poezisë së Verlenit është muzikaliteti.
Asnjë poet para tij nuk kishte ngulmuar ta shndërronte vargun në një harmoni të përkryer tingullore. Verlen nuk është fanatik i “poezisë së kulluar”. Këtë lloj poezie ai, sikurse ka ndodhur edhe me gjithë simbolistët, vetëm sa e çik ngadonjëherë. Po kështu, larminë e strofave nuk mund ta gjejmë tek asnjë poet i mëparshëm apo bashkëkohës.
Janë të shumë ata që e vlerësojnë si poet naiv, për të kundërtën flet Valeri: “Poezia e tij është shumë larg të qenit naive, sepse nuk ka mundësi që një poet i vërtetë të jetë naiv”.
La edhe disa vepra në prozë, si: “Poetët e mallkuar” (1884), “Kujtimet e një vejani” (1886), “Spitalet e mi” (1891), “Burgjet e mi” (1893) etj.
Vepra e Verlenit, e dashur për shumë poetë të mëdhenj, hyn tek ato vepra që koha nuk i bjerr dot lehtë.