MENU
klinika

Formula 1

Prezantohen 3 makina të tjera, pritet Ferrari

13.02.2019 - 15:47

Shkon në 6 numri i skuderive që kanë prezantuar makinat e reja për kampionatin botëror të Formula 1 për vitin 2019.

Sot ka qenë radha e Mercedes, Red Bull dhe Renault, tre makinave që u ka dhënë tonin garave ndër vite. Ndërsa pritet që këto ditë të prezantohet edhe Ferarri.

Sezon i ri, pamje e re, objektiva të njëjtë. Mirësevjen W10”. Ka qenë ky mesazhi sot nga makina Mercedes gjatë prezantimit të njëvendëshes së saj.

Edhe këtë sezon, për të tretin vit me radhë, makina gjermane, kampione e botës në Formula 1, do të pilotohet nga britaniku Lewis Hamilton dhe Walteri Botas.

Mercedes ka publikuar në rrjetet sociale fotot e makinës së re, me të cilën synon të shkruajë historinë, për të fituar titullin e gjashtë kampion radhazi në Formula 1.

Pak orë pas prezantimit të Mercedes ka qenë radha e Red Bull për të zbuluar njëvendëshen e re, me të cilën do të garojë në Botërorin 2019 të Formula 1.

Makina e re do të quhet RB15 dhe do të pilotohet nga holandezi Max Verstappen e francezi Pierre Gasly. Ndryshimi kryesor i makinës austriake është padyshim motori i ri që do të përdorë këtë sezon, ai Honda.

Red Bull është divorcuar nga Renault, me të cilin fitoi 4 tituj kampion (2010-2013). Pavarësisht kësaj, enigma se si do të paraqitet motori i ri lë të gjithë në pritje të testeve të para dimërore.

Është prezantuar ditën e sotme edhe Renault, njëvendëshja franceze që këtë sezon synon të bëjë revolucion në sportin e Formula 1.

Makina franceze ka investuar shumë gjatë dimrit të fundit. Madje duke afruar edhe një pilot fitues si Daniel Ricciardo, me një objektiv të qartë: Të zërë vendin e tretë në renditjen për konstruktorë.

Makina e re Renault quhet RS19 dhe do të përdorë një “power unit E-Tech19”, e cila duhet të sjellë në pistë një makinë që është 1 sekondë më e shpejtë krahasuar me atë të vitit të kaluar.

Përveç Ricciardo, piloti i dytë i makinës franceze është gjermani Nico Hulkenberg, gjithashtu me përvojë në këtë sport. Një dyshe që premton shumë këtë sezon.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN