MENU
klinika

Deklarata e Përbashkët

Protesta në vëmendjen e ndërkombëtarëve, reagojnë Mogherini dhe Hahn

21.02.2019 - 10:47

Protesta e sotme e opozitës nuk i ka shpëtuar as vëmendjes së ndërkombëtarëve.

Përmes një deklarate të përbashkët, shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Frederica Mogherini dhe komisioneri Johannes Hahn kanë reaguar për zhvillimet në Shqipëri.

Ata shprehen se janë pro protestës së sotme, por dënojnë çdo akt dhune.

Gjithashtu ata shprehen edhe kundër çdo deklarate që nxit dhunë nga liderët politikë.

DEKLARATA E PËRBASHKËT

Duke pasur parasysh protestat në Shqipëri sot, ne riafirmojmë të drejtën e qytetarëve për t’u angazhuar në demonstrata paqësore si një tipar thelbësor dhe një vlerë thelbësore e demokracisë, por ne fuqimisht denoncojmë çdo retorikë nga udhëheqësit politikë që bëjnë thirrje për dhunë.

Për më tepër, vendimi i opozitës për heqjen dorë nga mandatet e tyre pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Parlamenti është vendi ku reformat dhe zhvillimet përkatëse duhet të diskutohen dhe të zhvillohen, e jo të bojkotohen.

Këto vendime dhe akte janë kundërproduktive, shkojnë kundër zgjedhjes demokratike të shtetasve shqiptarë dhe minojnë progresin që vendi ka bërë në rrugën e Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian pret që të gjithë anëtarët e Parlamentit shqiptar të mbrojnë idealet dhe parimet e demokracisë, të vazhdojnë të shërbejnë në Kuvend dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të shmangur aktet e dhunshme dhe deklaratat nxitëse.

Ne po ashtu presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive me qëllim tejkalimin e situatës aktuale politike në të mirë të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.