MENU
klinika

Lajmet minutë pas minute

Përfundon protesta, Parlamenti zyrtarisht pa opozitë

21.02.2019 - 08:27

Ora 19:42- Rama për shit-blerjen e votave: Kryemadhi duhet të ishte në ferr

Rama kryemadhi-konica.al

Kryeministri Edi Rama tha se është i gatshëm të dialogojë me opozitën, por dialogu shtoi ai, duhet të bazohet në disa argumente që i shërbejnë demokracisë.

Rama deklaroi se argument et dhe idetë e opozitës janë sharjet dhe ofendimet pasi ndodhet përpara dëshpërimit dhe frikës për reformën në drejtësi.

“Kurrë s’më ka ardhur për shtat të flasë për kundërshtarët në gjuhë të huaj. Kjo opozitë e ka lënë prej kohësh rolin e sfidantit kryesor të qeverisë. Për program kanë sendet se si futen në Kuvend për të qëlluar dhe ide shpifjet e sharjet.

Siç ka ndodhur edhe njëherë të tërheq na batak dhe të bën si veten. Opozitën e pranojmë pa kushte, dhe tentojmë tua plotësojmë kushtet që të jenë më mirë. Opozita ka folur shumë më shumë se sa maxhoranca qeverisjes.

Kemi qenë dhe do të jemi gati të dialogojmë, për gjithçka që i shërben demokracisë në vend. Fatkeqësisht ata e dinë se humbjet në zgjedhjet vendore. Sovrani nuk është ai që del në rrugë, por ai që gjykon. Kjo logjikë nuk e pranon bota demokratike.

Nuk do lejoj që vendi i fëmijëve të tyre të behët një territor i pa qeverisur. Kanë humbur edhe arsyen nga dëshpërimi është edhe me drejtësinë e re që po vjen. Me asnjë fantazmë të rrëmujave të vjetra. Sa për blerjen e votave nuk e fsheh dot, që kur shoh Monikën që i thërret zotit që të mbrojnë nga blerësit e votave them se i plotfuqishmi nuk merret me zgjedhjet, sepse Monika do të ishte e para që do të shkonte në ferr për shitblerjen e votave.”  u shpreh kryeministri.

Ora 19:30- Mandatet/ Rama: Shqipërisë mund t’i bllokohen negociatat!

rama-konica.al

Në komunikimin e drejtpërdrejt me qytetarët nga Kryeministria, kryeministri Edi Rama renditi arritjet e qeverisë së tij, duke pranuar që nuk është e kulluar, por është qeveria që kanë zgjedhur shumica e shqiptarëve.

E ndryshe nga ata, Rama tha se opozitarët “sa herë e patën pushtetin prodhuan keqqeverisje me pasoja rrënuese, ndërsa sot prodhon vetëm lajme të këqija”.

Lënia e mandateve është lajm i keq për demokracinë, tha Kryeministri duke pranuar për herë të parë se kjo gjë mund të ndikojë në mos çeljen e negociatave me BE-në në qershor të 2019-ës.

“Është ditë e keqe për demokracinë shqiptare, e dëmshme për jetën politike, kjo është një zgjedhje destructive, fatkeqësia e këtij vendi që goditet nga bijtë e vetë. Kjo mund të rezultojë fatale për çeljen e negocatave këtë vit ashtu si pamjet e turpshme të së shtunëns që bënë xhiron e botës. Nuk jam për të fajësuar opozitën aspak, nuk jam i qetë që opozita sot është kthyer në shqetësim real për partnerët tanë SHBA dhe BE”,- tha kryeministri.

Rama tha ndër të tjera se arsyeja e vërtetë që opozitarët lanë mandatet ishte frik nga drejtësia e re.

“Lanë mandatet se s’kanë pas popullin, por frikë nga drejtësia e re që do ndajë politikanët e akuzuar që brenda politikës kanë bërë banjo për macen”.

Ora 19:05- Mandatet e opozitës/ Rama: Akt i panjohur në demokraci, duhet të reflektojmë!

rama-qeveria-kuvend-konica.al

Në kohën që Parlamenti ka mbetur pa opozitë, kryeministri Rama ka zgjedhur të komunikojë drejtpërdrejt me qytetarët përmes rrjeteve sociale, veprimin e opozitarëve për të djegur mandatet.

Ai tha se opozita ka vepruar në këtë mënyrë për interest vetjake, por jo shtoi ai duhet të sjellë reflektim të thellë, që për secilin duhet të nisë nga vetja.

“Kanë interesa partiake që synojnë përcarjen e zgjedhjeve. Duhet të përpiqemi, të shohim sa më qartë dhe të refletojmë sa më thellë, duke nisur nga vetja pastaj duke parë rreth e rrotull. Opozita ka konsumuar një akt të panjohur të vendeve me zgjedhje që nga demokracitë perëndimore deri tek regjimet hibride. Po e nis nga vetja, jam zgjedhur kryeministër i Shqipërisë 2 herë pas zgjedhjeve nën një qeveri të përbashkët me opozitën ju dhamë të gjitha portofolet që kërkoi”,- tha Rama.

Gjatë konferencës për mediat, më tej Rama shton:

“Unë nuk jam as i rënë nga qelli dhe as i pagabueshëm. Përkundrazi kam bërë gabim, edhe jam tërhequr edhe kam thënë më fal.

Jam tërhequr duke bërë hap prapa më shumë se njëherë, kur kam parë që ata që protestojnë kanë të drejtë. Kam bërë çmos tu gjendem atyre që më kontaktojnë

Shqipëria që unë dua dhe për të cilën kam besimin e kam bashke më PS mbështetjen e këtij populli nuk është kjo që kemi. Se po të ishte kjo unë nuk do të bëjë këtë detyrë. Kjo Shqipëri që kemi, jo nuk është ajo që kishim, por nuk krahasohet dot në asnjë zonë të territorit të Shqipërisë që kishim. Në kohën kur këta që sot kërkojnë kokën time ia futën këtij populli kokën në mes të këmbëve të keqqeverisjes së tyre.

Ora 17:18- Basha: Rama si Maduro, Shqipëria së shpejti europiane

basha-konica.al

Kreu i Partisë Demokratike, Luzim Basha pas protestës së sotme, e cila vulosi përfudnimisht edhe me djegien finale të mandateve, ka reaguar sërish në rrjetet sociale.

Basha shkruan se e ardhmja e Shqipërie është europiane dhe kjo sipas tij, do të jetë e fëmijëve të shqiptarëve.

Lideri i PD theksoi se në vend mungon demokracia dhe Parlamenti është kapur nga krimi ndërsa kryeministrin Rama e cilësoi si “Maduron e Ballkanit”.

“Zemrat tona janë të mbushura me shpresë dhe kurajo që buron nga shpirti e një populli të bashkuar. Shqipëria do të ketë një të ardhme europiane dhe kjo do të jetë e ardhmja juaj, e familjeve tuaja, e fëmijëve tuaj, e njerëzve të ndershëm të këtij vendi që duan t’i japin fund padrejtësisë, që duan t’i japin fund pandëshkueshmërisë.

Dua t’u them të gjithë atyre që akoma nuk e dinë se këtu nuk ka demokraci, nuk ka Parlament, nuk ka drejtësi dhe se shteti është kapur nga krimi i organizuar, se njeriu që ju del përpara dhe ju shitet si Kryeministër është Maduro i Ballkanit. Ne nuk do të pranojmë më një kryeministër bandit, të kapur në flagrancë duke vjedhur votat e popullit në bashkëpunim me mafiozët, trafikantët, bandat e krimit të organizuar, duke vjedhur qindra miliona nga xhepat e shqiptarëve që nuk paguajnë dot bukën e gojës për fëmijët e tyre.

Sytë e Europës janë sot tek ky shesh: ne kërkojmë për shqiptarët vlerat dhe parimet që ata kanë për popujt e vet, liri, demokraci dhe ligjin e barabartë për të gjithë!”, shkruan Basha.

Ora 16:50- E djathta ‘mbyll’ bashkitë, protestë në orarin zyrtar

administrata ne proteste-konica.al

Këtë të enjte, teksa opozita kishte paralajmëruar zhvillimin e protestës para Kuvendit të Shqipërisë, disa prej Bashkive të djathta kanë mbyllur dyert.

Ndër to ishin edhe Bashkitë e Klosit dhe e Matit, ku që nga kryetaret Basir Çupa dhe Nezir Rizvani e deri tek administrata e dy bashkive të së djathtës, të gjithë siç raportohet nga qytetarë kanë qenë në Tiranë në protestë.

Më në jug në një bashki të djathtë, atë të Mallakastrës, mësohet se kryetari ishte me punë në terren, ku më vonë u pa se edhe Agron Kapllanaj nga radhët e PD, gjatë kësaj kohe ishte në Tiranë.

Edhe në Pogradec, kryetari i bashkisë Eduart Kapri ndodhej në Tiranë bashkë me zyrtarë të tjerë.

Po ashtu edhe Fran Frrokaj kryetari i bashkisë Lezhë ishte në Tiranë.

Edhe pse zyrtarisht në bashkitë e tjera me kryetare nga radhët e opozitës thuhet se puna gjatë së enjtes vijoi normalisht, bëhet me dije se pjesë të stafit nga bashkitë Shkodër, Lezhë, Skrapar kanë qenë në Tiranë në protestë gjatë orarit zyrtar.

Ora 16:27- DASH bisedë telefonike me Bashën e Kryemadhin, thirrje për mandatet

Departamenti i Shtetit i bën thirrje opozitës në Shqipëri të mos i dorëzojë në masë mandatet dhe të dënojë publikisht dhunën e ushtruar gjatë protestave.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Matthew Palmer ka zhvilluar mbrëmë dy biseda të veçanta telefonike me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi.

Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, zoti Palmer u bëri thirrje të dy udhëheqësve të opozitës të qëndrojnë të angazhuar në mënyrë konstruktive në proceset demokratike, duke theksuar rolin jetik, që partitë e opozitës duhet të luajnë në një shoqëri demokratike.

Diplomati i lartë amerikan, siç u shpreh zëdhënësi për Zërin e Amerikës, “i këshilloi” dy kryetarët e partive “kundër dorëheqjeve të koordinuara dhe në masë të deputetëve të opozitës nga parlamenti, pasi kjo do të dëmtonte përpjekjet për reforma dhe do të dëmtonte një institucion të rëndësishëm të demokracisë”.

Zoti Palmer, ndërsa theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për të drejtën e qytetarëve për të protestuar në paqe, u bëri thirrje si zotit Basha edhe zonjës Kryemadhi të hedhin poshtë dhe të dënojnë publikisht gjithë dhunën.

Ora 16:08- Protesta/ Basha: Opozita do të vijojë betejën civile!

basha-konica.al

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar për median prestigjioze “Associeted Press” se opozita e bashkuar do të vijojë betejën civile në mbrojtje të demokracisë shqiptare.

Ai këtë deklaratë e bëri para se të niste protesta para parlamentit, e cila më pas u zhvendos drejt Kryesisë së Kuvendit ku deputetët dorëzuan përfundimisht lënien e mandateve.

“Opozita parlamentare ka vendosur unanimisht të djegë mandatet parlamentare dhe sot është dita që do të depozitojmë këtë akt të paprecedent me qëllim ndarjen nga një parlament që nuk është produkt i votës së popullit, por është produkt, siç është ekspozuar nga biseda të përgjuara të publikuara nga media ndërkombëtare, i krimit të organizuar në bashkëpunim të hapur me qeverinë aktuale.

Ne tani do të udhëheqim një betejë civile, paqësore e demokratike për të rivendosur legjitimitetin dhe demokracinë në Shqipëri”, tha mes tjerash Basha

Ora 14:34-Sekretari i Përgjithshëm i KiE-opozitës: Mos braktisni Parlamentin

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland ka komentuar vendimin e opoziitës për djegien e mandateve të deputetit.

“Në një demokraci legjislatura është shkalla e parë ku çështjet politike që prekin të gjithë vendin duhet të debatohen dhe duhen kërkuar zgjidhje. Opozita shqiptare nuk duhet të braktisë parlamentin “. tha Jagland.

Duke u ndalur në protestën e opozitës së bashkuar në Tiranë, Jagland tha se palët duhet të përmbahen nga retorika e dhunshme dhe dhuna në rrugë.

“E drejta e tubimit dhe demonstrimit duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore “- u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës.

Ora 14:17-Djegia e mandateve, Kryemadhi flet pas takimit me Bashën


Menjëherë pas mbylljes së protestës, kryetari i Partisë Demokratike ka zhvilluar një takim me aleatët dhe anëtarët e Partisë Demokratike.

Pas përfundimit të këtij takimi, ka reaguar kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi se mesazhi nga protesta ishte i qartë dhe se duke nisur nga sot deputetët e opozitës janë të lirë nga kapja e zinxhirit politik që është i lidhur me krimin.

“Mesazhi është shumë i qartë. Sot qytetarët na dhanë më shumë energji dhe pozitivitet.

Sot opozita dhe deputetët e saj janë të lirë nga kapja e zinxhirit politik që është i lidhur me krimin. Më shumë se seç kushton liria nuk të kushtin gjë tjetër.

Sot opozita dhe deputetët e opozitës janë të lirë nga kapja e çdo zinxhiri politik, i cili është i lidhur me krimin më shumë se kurrë.

Ajo çfarë ndjejnë deputetët, edhe unë vetë personalisht, është që më shumë seç kushton liria nuk kushton asgjë tjetër.

Dhe liria është një nga gjërat më të mira, sepse në fund të fundit morali dhe përfaqësimi që kemi ne atë nuk është që të përfaqësojmë grupet e interesit, oligarkët apo kapjen e individëve të caktuar.

Qoftë kjo nga drejtësia, apo qoftë nga krimi i organizuar apo allishverishet e caktuara.”- tha Monika Kryemadhi.

Ora 14:10-Mandatet, Fleckenstein: Jam i zhgënjyer, mos prisni arbitrin nga Brukseli

“Mos prisni që gjithmonë të vijnë arbitër nga Brukseli për të sheshuar çdo grindje, thotë raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian dhe eurodeputeti gjerman, Knut Fleckenstein në intervistë për Deutsche Welle”.

Me gjithë këmbënguljen e gazetares së DW Lindita Arapi, Fleckenstein nuk ka preferuar të flasë për akuzat e opozitës se qeveria është e lidhur me bandat. Ai tha se këtë duhet ta faktojë prokuroria dhe gjykata.

Për sa i përket djegies së mandateve, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian u shpreh se “nuk di pse duhet të ndodhte kjo, por unë nuk jam qytetar shqiptar. Këtë duhet ta sqarojnë mes tyre partitë shqiptare”.

Deutsche Welle: Zoti Fleckenstein, Tirana po zien sërish nga protestat. Si i shikoni këto zhvillime?
Knut Fleckenstein: Protestat paqësore në një demokraci janë të zakonshme dhe të mundura. Edhe në Tiranë duhet të jenë të mundura, por e rëndësishme është që të mbeten paqësore, dhe që të mos e zëvendësojnë punën parlamentare.

Dje ju u takuat me ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakajn, çfarë ishte në qendër të bisedimeve?

Folëm se si ta bëjmë të mundur që të arrihet deri tek hapja e bisedimeve të anëtarësimit pa probleme, për procesin e reformave, por sigurisht edhe për efektin që mund të ketë situata e vështirë tani në Tiranë ndaj një procesi të tillë.

A kishit një këshillë për t’i dhënë me vete?

Po… është e vështirë për momentin, një këshillë mund t’ia japësh partive në opozitë, ndërsa këshilla për qeverinë është natyrisht, vazhdoni reformat, vazhdoni me procesin e vetingut.

Opozita ndërmori një hap të pashembullt, i pandërmarrë kurrë më parë, djegien e mandateve të deputetëve. Cili është vlerësimi juaj?

Kjo është një lloj prishjeje kontrate. Nuk mund të them, nëse kjo është e drejtë apo e gabuar, por di që parlamentarët duhet ta kryejnë punën e tyre në parlament. Jam i zhgënjyer që papushim na duhet të flasim për atë që deputetët t’i ushtrojnë apo jo mandatet e tyre. Por është e vështirë për mua të jap një përgjigje për atë, nëse opozita ia kthen vendet e deputetëve popullit apo nëse i ushtron detyrat e saj, këtë duhet ta vendosin vetë ata, nuk mund të jap një këshillë.

Opozita thotë, se ky nuk ishte një qëllim në vetvete, por “rekursi i fundit” për të arritur një qëlim të madh, rrëzimin e një qeverie të krimit. Kështu u shpreh kreu i saj, Lulzim Basha. Si e komentoni ju këtë?

Këtë nuk e komentoj aspak. Qeveria e krimit, si thuhet, është zgjedhur nga populli. E nëse është një qeveri e krimit, këtë e vendos një prokuror, një gjykatë, dhe jo një raportues nga Brukseli.

E pikërisht kur vjen fjala tek drejtësia, opozita nuk ka aspak besim tek vetingu, dhe e akuzon qeverinë Rama, se po e përdor atë për ta vënë drejtësinë nën kontroll…

Nga ato që dëgjoj nga amerikanët që e shoqërojnë këtë proces, nga ato që dëgjoj nga misioni i BE-së, ky proces po ecën i pastër dhe i rregullt dhe nuk mund ta konfirmoj këtë.

A i shikoni protestat si lajmëtare të këqija për proceset që priten në verë, zgjedhjet lokale dhe më e rëndësishmja hapja e negociatave të anëtarësimit me BE?

Le ta themi kështu…nuk i vlen hapjes së negociatave dhe është dëmtuese, sigurisht demonstratat janë tërësisht në rregull, sa kohë zhvillohen pa dhunë, e ata që e thërrasin një demonstratë janë edhe përgjegjëse që ato të zhvillohen në mënyrë paqësore.

Do ta ndikojnë ato procesin e hapjes së negociatave?

Po. Jo edhe aq protestat në rrugë për sa kohë ato janë paqësore, nëse janë të dhunshme është diçka tjetër pastaj, por një vend, ku opozita i dorëzon mandatet e saj, do të ketë më të vështirë “të shesë” reformat e veta pozitive, se sa kur parlamenti do të vazhdonte me punën e tij.

Opozita kërkon tani qeveri tranzitore dhe zgjedhje të reja. Si e shihni këtë?

Nuk di pse duhet të ndodhte kjo, por unë nuk jam qytetar shqiptar. Këtë duhet ta sqarojnë mes tyre partitë shqiptare.

Duket se opozita është e zhgënjyer edhe nga BE. Po ju përmend një reagim të kreut të opozitës, Lulzim Basha, kur i pyetur nga mediat në Tiranë pas deklaratave të zëdhënëses së KE, se djegia e mandateve është penguese për integrimin, tha se “pengesa kryesore për integrimin e Shqipërisë është qeveria e lidhur me bandat” e duket se Basha lëshoi një mesazh në drejtim të BE, kur tha se “kushdo tjetër që pretendon të kundërtën, ose nuk e njeh gjendjen, ose bën sikur nuk e njeh”. Nuk e njeh BE gjendjen vërtet në Shqipëri?

Po nuk e di se në cilën prokurori të Shqipërisë është deponuar kërkesa për këto akuza. Nëse zoti Basha është i mendimit, se kjo qeveri ka kyer veprime kriminale, atëherë për këtë është një gjykatë përgjegjëse.

Çfarë këshille do të kishit në këtë moment të ri të vështirë për politikën shqiptare?

Do të thoja të ketë maturi, e të mos komplikohet me ekzagjerime më shumë se sa është i nevojshëm procesi i vështirë i reformave dhe perspektiva e anëtarësimit.

Ka muaj që në vend ekziston një atmosferë proteste, studentët, banorët për problemet e tyre…duket se edhe në një vend si Shqipëria që ishte kaq entuziaste po humb forca e rrezatimit të BE me procesin kaq të tejzgjatur të integrimit, njerëzit janë të lodhur dhe duan të largohen…

Sipas mendimit tim, Këshilli i BE duhet të kishte vendosur që në verë për të filluar hapjen e negociatave të anëtarësimit, për fat të keq kjo nuk ndodhi, e ka ardhur koha që kjo të bëhet tani, por BE edhe në të ardhmen nuk do t’i zgjidhë problemet që ekzistojnë brenda Shqipërisë, këtë duhet ta bëjnë vetë politikanët shqiptarë.

Do të ketë ndërmjetësim nga BE në këtë situatë, kur dihet se gjithmonë ndërkombëtarët e kanë zgjidhur situatën në raste krize?

Mos prisni që gjithmonë të vijnë arbitër nga Brukseli e të sheshojnë çdo sherr. Për këtë është edhe parlamenti, ku mund të grindesh, por me një shumicë pastaj gjen një zgjidhje se si do të vazhdohet. Ka ardhur koha që edhe shqiptarët ta bëjnë këtë vetë. Prandaj tani askush në Bruksel nuk po nxiton për të ndërmjetësuar, por nëse ndihma jonë është e nevojshme dhe të gjitha palët do pyesin për këtë, mund të flasim se ç’mund të bëjmë ne, por nuk mund të jetë gjithmonë kështu, që nga Brukseli të vijnë mediatorë, megjithatë, nëse qeveria dhe opozita e duan këtë, do të gjendet një rrugë. /DW/

Ora 13-49-Rama: Qytetarët i kam me vete, pas protestës pushteti i vjetër

Ashtu si për protestën e 16 shkurtit, kryeministri Edi Rama edhe këtë 21 shkurt ka zgjedhur të japë opinionet e tij për mediat italiane.

Në një intervistë për “Il Messaggero.it”, shpreh keqardhje që mediat italiane i kanë kushtuar kaq rëndësi zhvillimeve në Tiranë pasi sipas tij nuk kemi të bëjmë me protestë popullore por me një establishment që 5 vjet më parë u dëbua me 1 milion vota.

Rama: “Po çfarë proteste të popullit! Këtu nuk jemi ballafaquar me xhaketa të verdha ose me studentë, sindikata apo forca të tjera shoqërore. Kjo është protesta e organizuar e establishmentit që 5 vjet më parë është larguar me 1 milion votues. Më vjen keq që mediat italiane i kanë dhënë aq shumë rëndësi një manifestimi të opozitës në të cilën u nxit dhunë e padëgjuar. ”

Ndërsa intervistën Rama e dha para fillimit të protestës, ai foli dhe për masat e policisë.

Por sheshi do të jetë plot. Cilat janë udhëzimet që i keni dhënë policisë?

Rama: “Çfarë do të thuash, që kanë dalë 10-15 mijë persona në një vend, me 4.2 milionë banorë?Unë nuk jap udhëzime, unë nuk jam kreu i policisë apo Ministri i Brendshëm, nuk është kompetencë e imja të menaxhoj sipas ligjit një manifestim. Policia të shtunën ishte fantastike dhe nuk pati asnjë demonstrues të lënduar në vendin ku shumë vite më parë, në vitin 2011, katër demonstrues u qëlluan në rrugë nga dritaret e ndërtesës”.

Po i referoheni kohës kur Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike, ishte Ministër i Brendshëm?

Rama: “Unë kurrë nuk flas për kundërshtarët e mi në një gjuhë të huaj, edhe nëse është gjuha e gjyshes sime. Që kishte origjinë italiane “.

Opozita është larguar nga Parlamenti. Si do të vazhdojë?

Rama: “Ma thoni ju, edhe ju keni kaluar nëpër një fazë të re të një opozite ndryshe dhe që tani është në qeveri, por kurrë nuk e kam dëgjuar të kërcënojë me djegien e mandateve parlamentare”.

Sali Berisha, lideri historik i Partisë Demokratike, ju akuzon për mashtrim zgjedhor.

Rama: «Para zgjedhjeve të një viti e gjysmë më parë, edhe pse kishim shumicën, pranuam një kompromis në mënyrë që opozitës ti jepnim gjysmën e qeverisë, përfshirë Ministrin e Brendshëm.Ai konfirmoi rezultatet pa asnjë kundërshtim.

Ora 13:12-Mbyllet protesta/ Basha: I vumë kyçin parlamentit të krimit

Kryedemokrati Lulzim Basha ka paralajmëruar protesta në të gjithë vendin. Në mbyllje të protestës së sotme, në selinë e PD para mijëra protestuesve Basha tha se Shqipëria do ketë një të ardhme dhe ky është mesazhi i popullit. Bëhuni gati, iu tha Basha shqiptarëve.

“Shqipëria do jetë e njerëzve të ndershëm të këtij vendi që duan ti japin fund padrejtësië. Duan t’i japin fund pandëshkueshmërisë. Duan t’i japin fund parlamentit të krimit.
Së bashku me vullnetin tuaj, me zgjedhje europiane do kemi një qeveri të popullit, për popullin dhe nga populli.
Shqipëria do ketë një të ardhme, ky është mesazhi i gjithë popullit. Bëhuni gati anembanë vendit. Zoti e bekoftë Shqipërinë fitore”, tha Basha.

Misionarë të shpresës opozita parlamentare sot dorëzoi mandatet dhe i vuri kuçin parlamentit të krimit. Prej ditës së sotme ne jemi qytetarë të thjeshtë në krahun tuaj, me ju dhe për ju. Nisëm sot një rrugëtim shprese që nuk do ndalet derisa të largojmë kryehajdutin. Në çdo cep të Shqipërisë le të nisim këtë rrugëtim shprese dhe force të pandalshme dhe popullore për rrëzimin e regjimit kriminal, largimin e Maduros dhe për të rikthyer në çdo vatër besimin se e nesërmja po vjen, po miq Shqipëria do të ketë të ardhme dhe kjo nuk i takon kriminaleve, Nicave, Shullzëve, narkotrafikantëve, oligarkëve hajdutë që u kanë hequr bukën e gojës fëmijëve tuaja, nuk i takon njeriut që e solli këtë të zezë, Ramës dhe bandës së tij hajdute.”- tha Basha.

Ai e ka mbyllur duke kënduar himnin kombëtar së bashku me protestuesit dhe simbolin e shqiponjës.

Ora 12:17- Berisha nën influencën ruse? Ish-nëndrejtori i FBI me deklaratë të fortë

Edhe nëndrejtori i FBI-së amerikane, Mark Rossini ka komentuar protestën e sotme të opozitës.

Ai ka dalë me një deklaratë të fortë për ish-kryeministrin Berisha, duke thënë se ky i fundit ka humbur fuqinë e nëse merr sërish pushtetin, Vladimir Putin do të ketë mundësinë të kontrollojë Shqipërinë dhe Kosovën.

Ai shkruan:

“Në Shqipëri po zhvillohen protesta të drejtuar nga Sali Berisha i cili është nën influencën ruse.

Ai dhe familja e tij ka humbur pushtetin.

Nëse SB rikthehet në pushtet Putin do të marrë në kontroll Kosovën dhe Shqipërinë.

Putin kërkon dalje direkte në portet e Adriatikut.

Pa mendojeni pak.

Shqipëria, vendi i fundit në Adriatik që do i bashkohet BE-së, është qëllimi i Merkelit dhe Ramës dhe ajo çfarë duan gjithë shqiptarët.

Putin dëshiron të shkatërrojë BE-në dhe Shqipëria në BE i mohon portin e tij në ujëra të ngrohta.

Pse është Berisha kukull e Putinit?”, shkruan Rossini në një postim në Twitter.

Ora 12:03-Protesta e opozitës, AKEP ndërpret sinjalin e të gjithë operatorëve

Partia Demokratike ka denoncuar ndërprerjen e paligjshme të sinjalit të gjithë operatorëve të telefonisë celulare në të gjithë bulevardin, përfshirë zonën e protestës dhe përreth Partisë Demokratike.

Por vetë AKEP në një deklaratë zyrtare njofton se ky veprim është ndërmarrë me kërkesën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

“Me qëllim marrjen të masave për zbatimin e detyrimeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e interesave të vendit dhe të sigurisë publike, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka udhëzuar operatorët celulare të bëjnë ndërpreje të shërbimeve të komunikimeve elektronike në disa zona të Tiranës, nga ora 11.00 deri në orën 16.00 të datës 21 shkurt 2019”.

kolana e librave

AKEP thotë se ka vepruar në zbatim të Ligjit 9918/2008, “Për komunikimet elektronike në RSH”, i cili autorizon bllokimin e shërbimeve per nevoja te sigurisë publike.

AKEP ju kërkon ndjesë qytetarëve lidhur me kufizimet e përkohëshme të shërbimeve dhe shpreson qe situata të tilla të mos jenë të nevojshme në të ardhmen.

Ora 11:45- Basha zhvendos protestuesit drejt Kryesisë së Kuvendit

basha-konica.al

Gjatë fjalës së tij para protestuesve, Basha ka dhënë edhe një mesazh të rëndësishëm për ndërkombëtarët, SHBA dhe BE-në.

Ai u shpreh se Shqipëria nuk është popull i dhunës, por i lirisë dhe demokracisë. Ndërkohë në fund të fjalës së tij, Basha u bëri thirrje protestueve të ndjekin vetë liderin e opozitës e të zhvendosen drejt Kryesisë së Kuvendit.

“Sytë e Evropës dhe të botës demokratike dhe demokracisë më të madhe të botës, SHBA janë te ky sheh dhe nga ky sheh ju them ne kërkojmë për shqiptarët vlerat dhe parimet që keni për popujt tuaj, Basha do të jetë në krahun tuaj në këtë betejë se besoj te demokracia evropiane, te demokracia amerikane, tek zgjedhjet e lira e të ndershme, te shteti i së drejtës që çon kriminelët dhe të korruptuarit para burgut, besoj te balancimi i pushteteve, te liria, demokracia dhe mundësi për çdo shqiptar dhe e di që njësoj si unë qytetari Lulzim Basha besojnë të gjithë qytetarët e ndershëm të Shqipërisë, u them atyre këtë mesazh të parë, ne nuk jemi popull i dhunës, por i lirisë, demokracisë”- tha Basha.

Ndërkohë Basha theksoi:

“Ligji dhe Kushtetua janë produkt i sovrantit. Dua tju them se këtu jemi bashkuar dhe ju them miqve të mi se këtu nuk ka drejtësi, nuk ka parlament. Se ai që ju del para si kryeministër është Maduro i Ballkanit, por me një ndryshim se këtu nuk jemi në Venzuelë, sepse kjo është Shqipëria.

Mos më kërkoni kurrë të pranoj për popullin tim atë që nuk do pranoni për popullin tuaj. Nuk pranoj kurrë që Kushtetuta të kthehet në letër higjienike. Nuk do pranoj kapjen e pushteteve dhe zgjedhje me ndihmën e krimit. Nuk pranoj kurrë që xhepat e shqiptarëve të vidhen.

Kurrë nuk do pranoj narko shtetin dhe narkoparlametin. Nuk ka më frikë në zemrat e shqiptarëve përveç frikës nga Perëndia. Hajdeni pas meje tek Selia e Kuvendit për të dorëzuar së bashku njëherë e mirë mandatet. Të gjithë pas meje për të finalizuar këtë akt final të dorëzimit të mandateve. Të gjithë pas meje”- tha Basha.

Ora 11:42- Kryemadhi: Mandatet tona janë të shqiptarëve

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka dalë para mijëra protestuesve duke mbrojtur policët dhe duke akuzuar qeverinë.

Kryemadhi tha se policët janë njësoj si gjithë shqiptarët, ndërsa theksoi se mandatet e opozitës nuk janë më fasadë e narkoshtetit por të shqiptarëve. Ajo deklaroi se nuk më kthim pas.

“Motra dhe vëllezër, të dashur vëllezërit tanë policë që sot i kanë vendosur përballë prindërve të tyre e motrave të tyre. Ata policë që rrogat e tyre janë vetëm 300 mijë lekë të vjetra sa kushton një kollare e Edi Ramës nuk mund të jenë ushtruesit e dhunës. Ata policë që janë njësoj si gjithë shqiptarët, që paguajnë faturën e energjisë si ju më shtrenjtë se ndonjëherë. Ata policë njësoj si ju kanë hedhur letra për legalizimet e shtëpive të tyre dhe Edi Rama përdor uniformën për t’i kërcënuar.

Motra dhe vëllezër sot mandatet tona nuk janë mandate të narkoshtetit, nuk janë më fasadë e narkoshtetit. Sot mandatet tona janë të shqiptarëve pavarësisht bindjeve. Sot mandatet tona janë për t’u kthyer edhe njëherë në 1990 për të thirrur ‘liri demokraci’”, deklaroi Kryemadhi.

Kryemadhi tha se mandatet digjen që të mos guxojë njeri të vijë në pushtet me paratë e drogës. Kryemadhi u shpreh se Rama është fshehur si miu.

“Mandatet tona sot nuk janë fasadë, por janë mandatet tona janë mandatet e naftëtarëve dhe të studentëve që në mënyrën më të bukur i nxorën bojën Edi Ramës. Nëse në çdo vend të Europës një kryeministër apo një deputet do faktohej se votat e tyre janë blerë me paratë 3 drogës të jeni të bindur se jo vetëm do ishin në burg, por do kishin djegur çdo cep të narkoshtetit. Djegia e mandatave tona nuk ka të bëjë me pozicionet politike, por me fundin e tranzicionit. Mandatet tona digjen që të mos vijë më njeri në pushtet me paratë e krimit. Nuk ka më kthim pas pasi do na mallkojnë fëmijët tanë. Rama ka ikur sepse po të ishte i fortë ai sot do ishte në atë sallë. Nuk do ikte si Arabati që nuk rri në një vend. Fshihet si miu mes vrimave të krimit dhe të drogës”- tha Kryemadhi.

Ora 11:30- Shënohen incidentet e para në protestë, shashka drejt Kuvendit

Mijëra qytetarë kanë dalë në protestë masive sot para parlamentit kundër qeverisë.

Ndërkohë teksa deputetët e opozitës flasin para protestuese, incidentet e para janë shënuar.

Deputetët e opozitës kanë dorëzuar publikisht mandatet duke thënë se ia dorëzojnë popullit dhe qytetarëve.

Ndërkohë protestuesit kanë dalë me thirrje “Rama ik” dhe kanë hedhur shashka e flakadanë ndaj parlamentit.

Ora 11:23-Kryemadhi për protestën: Shansi i fundit drejt BE-së

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka folur për mediat para nisjes së protestës së thirrur nga opozita e bashkuar.

Ajo tha se në çdo vend të botës nëse do të faktohet blerja e votave, pushtetarët do ishin larguar. Kryemadhi deklaroi se ky është shansi i fundit për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian.

Kjo qeveri është faktuar botërisht dhe pak nga pak po e kuptojnë dhe ndërkombëtarët që është një qeveri , e cila është zgjedhur me mandate të blera nga vota e krimit. Mendoni çfarë do të ndodhte në çdo vend të Europës apo në Amerikë, një kongresmen, një senator, një ministër apo deputet, do të faktohej nga Gjykata dhe Prokuroria e vendit që krimi i organizuar, bandat, kriminelët kanë blerë vota në favor të tyre, tashmë kjo gjë ka marrë fund. Pavarësisht nga e gjithë situata që është krijuar, opozita është shumë e qartë për t’i dhënë Shqipërisë një shans të ri. Ky është shansi i fundit për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian.

Vetëm në këtë mënyrë, duke ofruar bashkëpunimin, duke marrë kosto politike si opozitë, duke marrë bashkëpunimin për të bërë rishikime të amendamenteve të ndryshe, qoftë në Kushtetutë, qoftë në çështjen e koncesioneve që janë kthyer në lavatriçe të pastrimit të parave të drogës.

Sot është shansi dhe mundësi e fundit që ne i japim jo vetëm politikës shqiptare, por edhe Partisë Socialiste, e cila të mos mbetet më peng i 10 vetave të cilët janë përfaqësues të krimit të organizuar në atë Parlament”, tha kryetarja e LSI-së.

Atjo theksoi se ‘ne bëmë veprimin ekstrem sepse dhe situata është në ekstrem’. “Nuk flasim më vetëm për politikë, por pyesni çdo shqiptar. Mos na u drejtoni më neve, por pyesni çdo qytetar nëse kanë mundësi për të jetuar, nëse kanë mundësi për të paguar energjinë elektrike. Nëse kanë mundësi për të paguar faturën e ujit të pijshëm, nëse kanë mundësi për të blerë libra për fëmijët e tyre. Nëse kanë mundësi për të blerë ilaçet për fëmijët e tyre. Kjo tashmë është shumë e qartë. Këtu nuk është më çështje politike, këtu është çështje e mbijetesës së një populli të tërë”, tha Kryemadhi.

Si e shikoni vendimin e Kryetarit të Kuvendit për të anuluar seancën dhe për të rrethuar Parlamentin me tela me gjemba?

Frikë. Sepse ai që ka bërë gabime ka frikë. Ai që është me të drejtën nuk ka frikë, por zhvillon seancën dhe përballet me opinionin publik. Por nëse opozita nuk do të kishte të drejtë, nuk do të kishte mbi 100 mijë shqiptarë në shesh në 16 shkurt. Protesta më e madhe në 27 vite në Shqipërinë më të rrudhur në gjithë historinë e shtetit të saj. Nëse kjo qeveri do të kishte të drejtë do të ishte sot në Parlament dhe do të merrnin guximin të përballeshin me qytetarët. Ose më e pakta do të merrnin guximin në kaq kohë të përballeshin me ne.

Dje firmosët djegien e mandatit, por njëri nga deputetët Lefter Koka nuk ka pranuar. Keni biseduar me të?

Është zgjedhja e tij. Prandaj ne kërkojmë demokraci. Ndryshe do të bënim atë që bën Edi Rama. Në demokraci çdo njeri është i lirë të bëjë atë që do.

Ndërkombëtarët kanë kërkuar që mos të ketë dhunë. Ju keni pasur dhe një takim me ambasadoren gjermane…

Jo vetëm me ambasadoren gjermane por dhe me shumë të tjera, kam pasur telefonata. Kanë qenë totalisht të dezinformuar sepse mos harroni që është një makineri propaganda e cila paguhet me taksat e shqiptarëve, një administratë e tërë në Kryeministri. Dhe pot ë shikoni dhe deklaratat e qeverisë janë që do digjet Kuvendi. Pse? Mos u çudisni që do të djegë Kuvendi Edi Rama që të ndërtojë kullën që nuk e ndërtoi dot te Teatri.

Do të lihen mandatet e Këshillit Bashkiak si deputetët?

Tani nuk ka asnjë lloj vlere asgjë. Ecim drejt protestës paqësore dhe qëndrestare të qytetarëve.

Ora 11:03-Opozita dorëzon publikisht mandatet

Mijëra qytetarë, mbështetës të opozitës janë mbledhur tek Parlamenti dhe kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama. Protestuesve iu janë bashkuar liderët Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Sali Berisha etj.

Deputetët kanë dorëzuar publikisht mandatet e tyre. I pari ka qenë Ervin Salianji.

Ervin Salianji: Më datë 16 dëgjuam zërin e qytetarëve. Sot mandati im, mandati i Ervin Salianjit iu takon juve, fitore!

Nora Malaj: Mandati im për të gjitha gratë dhe vajzat që e duan Shqipërinë e lirë.

Luan Baçi: Mandati im është i juaji. Të gjithë bashkë “Rama ik!”.

Gent Strazimiri: Përshëndetje njerëz të lirë. Si sot 28 vjet më parë Gramoz Ruçi bëri veprimin e parë si ministër i brendshëm i diktaturës. Sot pas 28 vitesh kryetari i parlamentit rrethon me tela me gjemba parlamentin sepse ka frikë nga populli.

Kejdi Mehmetaj: Mandati i deputetes nuk është i imi, mandati është i juaji, është i të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. Ta bëjmë Shqipërinë shtëpine tonë!

Ndryshe nga protesta e kaluar policia ka forcuar radhët e saj. Janë 7 kordonë policësh para parlamentit. Mësohet se efektivët e FNSH-ve janë vendosur pas tre kordonëve së policisë së rendit dhe 3 kordonëve të forcave Shqiponja. Ndërkohë protestuesit janë mbledhur para parlamentit. Opozita e Bashkuar proteston sërish sot, por tubimi do të mbahet para parlamentit.

Ora 10:47- Kuvendi ‘vlon’ nga protestuesit, Rama bën lëvizjen e fundit

rama-ruci konica.al
rama-ruci konica.al

Protesta e opozitës para parlamentit ka nisur me thirrje e ovacione të shumta.

Ndërkohë që kjo protestë vijon, kryeministri Rama ka bërë lëvizjen e radhës.

Ai është parë teksa futej në ambjentet e kryesisë së Kuvendit.

Mësohet se kreu i qeverisë do të realizojë një takim me kryeparlamentarin Ruçi.

Ende nuk dihet se cili do të jetë fokusi i takimit dhe bisedës mes tyre, ndërkohë kujtojm këtu që ditën e djeshme kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi njoftoi përmes një deklarate për mediat anulimin e seancës së sotme parlamentare.

Ora 10:35-Protesta e opozitës në vëmendjen e ndërkombëtarëve, reagojnë Mogherini dhe Hahn

Protesta e sotme e opozitës nuk i ka shpëtuar as vëmendjes së ndërkombëtarëve.

Përmes një deklarate të përbashkët, shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Frederica Mogherini dhe komisioneri Johannes Hahn kanë reaguar për zhvillimet në Shqipëri.

Ata shprehen se janë pro protestës së sotme, por dënojnë çdo akt dhune.

Gjithashtu ata shprehen edhe kundër çdo deklarate që nxit dhunë nga liderët politikë.

DEKLARATA E PËRBASHKËT

Duke pasur parasysh protestat në Shqipëri sot, ne riafirmojmë të drejtën e qytetarëve për t’u angazhuar në demonstrata paqësore si një tipar thelbësor dhe një vlerë thelbësore e demokracisë, por ne fuqimisht denoncojmë çdo retorikë nga udhëheqësit politikë që bëjnë thirrje për dhunë.

Për më tepër, vendimi i opozitës për heqjen dorë nga mandatet e tyre pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Parlamenti është vendi ku reformat dhe zhvillimet përkatëse duhet të diskutohen dhe të zhvillohen, e jo të bojkotohen.

Këto vendime dhe akte janë kundërproduktive, shkojnë kundër zgjedhjes demokratike të shtetasve shqiptarë dhe minojnë progresin që vendi ka bërë në rrugën e Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian pret që të gjithë anëtarët e Parlamentit shqiptar të mbrojnë idealet dhe parimet e demokracisë, të vazhdojnë të shërbejnë në Kuvend dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të shmangur aktet e dhunshme dhe deklaratat nxitëse.

Ne po ashtu presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive me qëllim tejkalimin e situatës aktuale politike në të mirë të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.

Ora 10:32-Protesta e opozitës, vjen reagimi i parë nga qeveria

Protesta e opozitës ka nisur para parlamentit, ku përveç protestuesve ka edhe forca të shumta policie.

Në lidhje me këtë protestë ka ardhur edhe reagimi i parë nga qeveria.

Zv.kryeministri Braçe përmes një postimi në Facebook apelon për qetësi, durim dhe ligj.

Postimi i plotë:

Gjithcka per;
Demokracine, Lirine, Voten e Qytetareve dhe Ligjin ne kete vend!
Gjithcka per;
Drejtesine e Re, funksionale e te barabarte per te gjithe!

Ose te barabarte
si qytetare ne te drejta e para ligjit,
Ose pabarazia do vijoje te shkaterroje Demokracine.

Qetesi, Durim, Ligj sot!

Ora 10:18-Nis protesta, qytetarët krijojnë kordon para policëve

Me gjithë radhët e shtuara të policisë, një risi është parë në protestën e sotme të thirrur nga policia.

Protestues dhe mbështetës të opozitës janë rreshtuar kordon para efektivëve të policisë për të mos lejuar përplasjen mes protestuesve dhe policëve.

Ata mbajnë në krah një shirit të bardhë në shenjë paqeje, ndërsa janë vendosur gjatë gjithë rreshtit të policëve.

Ora 10:01- Opozita proteston, Parlamenti në shtetrrethim

Në orën 10:00 pritet të nisë protesta e opozitës së bashkuar para parlamentit.

Shqiptarët janë thirrur në protestë masive nga opozita dhe kjo protestë pason atë që u zhvillua më datën 16 shkurt para kryeministrisë.

Kujtojmë që protesta e së shtunës, u shoqërua me incidente të dhunshme.

Pak para nisjes së protestës, policia ka vënë nën kontroll godinën e parlamentit.

Forca të shumta policie kanë rrethuar godinën, ndërkohë që në oborrin e parlamentit ndodhen efektivët e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Në gadishmëri pranë godinës ndodhet edhe Garda e Republikës.

Policia ka bërë me dije se do të përdoret sërish gaz lotsjellës nëse do të ketë akte të dhunshme.

Ndërkohë mësohet se policia ka marrë masa sigurie edhe të kryeministria, pasi mund të ketë ndonjë ndryshim të skenarit të protestës së opozitës.

Të angazhuar janë rreth 1500 forca policie.

Ora 9:51-Mbërrin në selinë blu, Basha flet për mediat: Ditë historike!

basha-kryemadhi-proteste-konica.al

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbërritur në selinë e partisë.

Përpara selisë blu janë mbledhur të gjithë simpatizantët e Partisë Demokratike.

Teksa po hynte në seli, Basha foli për mediat duke e cilësuar ditën e sotme si një ditë historike.

“Është një mesazh që duhet ta dëgjojë mirë Edi Rama dhe pupacët e tij në ministrinë e Brendshme. Policia e Shtetit përbëhet nga burra e gra të keqpaguar. Shumë prej tyre kanë janë detyruar të paguajnë ryshfete të majme për të mbajtur vendin e punës.

Sot ditë historike, mandatet i kthehen popullit. Sot do të bëjmë realitet djegien e mandateve parlamentare. Efekti i parë është rrethimi i parlamentit me gjemba dhe arratia e Edi Ramës nga Tiranë.

Mandatet do të digjen sot, parlamenti ka mbyllur dyert në mënyrë antikushtetuese sepse nuk është më parlament dhe qeveria për sot është larguar. Ne përmes bashkimit qytetar do të bëjmë të mundur që këto mos të jenë ngjarje të vetëm një dite por të kthehen në zgjidhje politike”, është shprehur Basha.

Ora 9:44-Protesta e opozitës/ Kryemadhi në zyrë, Basha ende jo në seli, Rama…

Opozita ka thirrur sot qytetarët në një protestë kundër qeverisë, e dyta brenda pak ditës. Protesta do të mbahet para parlamentit ku që në orët e para janë stacionuar një numër i madh efektivësh policie.

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka mbërritur në zyrë në selinë e LSI-së që në orën 08:30.

Por nga ana tjetër mësohet se kryetari i PD Lulzim Basha nuk ka shkuar ende në seli ku janë mbledhur një numër i madh mbështetësish. 

Ajo që mbetet enigmë është vendndodhja e kryeministrit Edi Rama. Ndryshe nga protesta e shkuar, kur dihej se kreu i qeverisë do ishte në Vlorë, sot nuk ka asnjë njoftim se ku do të jetë.

Dje kryeparlamentari Gramoz Ruci, njoftoi anulimin e seancës plenare që do të niste sot në orën 10:00 duke renditur dhe arsyet e këtij vendimi.

Ora 9:29-Protestuesit drejt Tiranës/ Kreu i PD Elbasan: Shumë qytetarë janë shantazhuar

Dhjetëra autobusë dhe mjete private janë nisur sot për në kryeqytet ku do të mbahet protesta e opozitës së bashkuar, e dyta brena pak ditësh.

Kreu i PD-së së Fierit, tashmë ish-deputet Luan Baçi tha se protesta e sotme do të jetë më masive se ajo e 16 shkurtit.
“Sot është një protestë tjetër e fuqishme që vjen pas një lëvizjeje po aq të fortë që bëri PD. Protesta do të jetë më masive se ajo e 16 shkurtit”, deklaroi Baçi.

Ai tha se protesta e mëparshme nuk ka pasur dhune por ka qenë një revoltë e brendshme e qytetare. Sipas tij PD nuk ka dhunë, ndërsa bën thirrje që të pranohen kërkesat e opozitës.

Mësohet se nga Lezha, Kurbini dhe Mirdita si dhe njësite vendore përkatëse janë me dhjetëra automjete dhe autobusë që janë nisur në drejtim të Tiranës.

Sipas disa protestuesve, automjetet po kontrollohen ne dalje të Laçit nga policia por deri me tani nuk janë shënuar incidente.

Kryetari i degës së PD për Elbasanin Eugen Isai ka thënë se pjesëmarrja e elbasanasve në protestën e sotme para Parlamentit bën do jetë masive.

Sipas tij të paktën 1500 persona janë nisur me mjete private dhe 3 autobuzë. Eugen Isai tha se shumica e qytetarëve që duan të jenë pjesë e protestën janë shantazhuar nga segmente të ndryshme të pushtetit.

Isai u shpreh se elbasanasit nuk do dorëzohen para asnjë lloj presioni dhe do marrin pjesë masivisht në çdo protestë që ka për qëllim mbrojtjen e parimeve të lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor.

Protestues të shumtë janë nisur dhe nga Gramshi. Mësohet se për protestën e ditës së sotme para parlamentit nga rrethi i Gramshit janë nisur 30 makina të vogla, pasi edhe këtë herë opozita nuk ka pasur mundësi të prenotojë autobusë.

Sipas kreut të FRPD Erald Çarçiu protestuesit kanë qenë të shumtë por në pamundësi për transport janë kthyer.

Ora 8:58-Dhunë në protestë? Ambasada e SHBA thirrje protestuesve dhe qeverisë

ambasadaamerikane-konica.al

Në lidhje me protestën e sotme të opozitës së bashkuar para parlamentit ka ardhur edhe reagimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ambasada u bën thirrje protestuesve që të ushtrojnë paqësisht të drejtën e tyre dhe të refuzojnë dhunën.

“Shtetet e Bashkuara nxisin të gjithë pjesmarrësit në protestën e sotme që të ushtrojnë paqësisht të drejtën e tyre për t’u mbledhur dhe të refuzojnë dhunën, si dhe iu bëjnë thirrje qeverisë dhe forcave të sigurisë që të tregohen të përmbajtur”, njofton Ambasada e Amerikaneve.

Ora 8:30-Protesta e opozitës, policia forcon masat

Pas protestës së 16 shkurtit edhe ditën e sotme opozita e bashkuar do të protestojë në orën 10:00 para parlamentit.

Që në orët e para të mëngjesit protestuesit janë nisur nga rrethet drejt Tiranës.

Në njoftimin zyrtar policia bën me dije se ka të dhëna se synohet hyrja me forcë në Kuvend, si dhe për nxitje dhune e organizime me natyre kriminale.

Megjithatë, thotë se është tërësisht e angazhuar për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si dhe paprekshmërinë e institucioneve gjatë kohës së zhvillimit të protestës.

“Nga informacionet e mbledhura nga shërbimet përkatëse, ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale. Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë.

Për të parandaluar çdo mundësi të tillë, Policia e Shtetit u bën apel, në radhë të parë, organizatorëve që të distancohen hapur nga dhuna dhe të bëjnë thirrje për respektimin e ligjit nga çdo protestues”, tha Policia.

Kujtojmë se një ditë më parë, Basha firmosi edhe djegien e mandatit të tij si deputet dhe ftoi edhe njëherë të gjithë shqiptarët të bashkohen në protestën para Kuvendit.