MENU
klinika

The Guardian

Pse të pasurit mbështesin Trumpin dhe May?

07.02.2019 - 11:51

Nacionalizmi është shitur si ‘një luftë për njerëzit e vegjël, njerëzit e thjeshtë’, por Brooke Harrington argumenton se ai i shërben interesave të elitave.

Ne e dimë se politika sjell shpeshherë “martesa” të çuditshme, por çfarë mund t’i lidhë ultra-të pasurit me ultranacionalistët? Siç kam zbuluar në më shumë se një dekadë hulumti mbi elitat globale dhe parajsat e taksave, diçka i bashkon ato: të dy grupet përpiqen të dobësojnë ose të shkatërrojnë aleancat ndërkombëtare.

Për ultranacionalistët, kjo nënkupton “marrjen përsëri kontrollit” të qeverive të tyre nga të huajt. Për ultra të pasurit, kjo do të thotë eliminim i kontrolleve nga organizatat dhe aleancat ndërkombëtare.

Këto që mediat i kanë trajtuar si dy lajme të ndara janë në të vërtetë manifestime të një historie të vetme, Letrat e Panamasë, Letrat e Parajsës, Brexit dhe zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA.

Është një ironi e përkryer që ultranacionalizmi është shfaqur si një përpjekje për të rifituar kontrollin lokal, për të mbrojtur kufijtë kombëtarë dhe për të rivendosur dominimin e grupeve etnike vendore. Kur në fakt është realisht një listë dëshirash e ultra- të pasurve në mbarë botën.

Kur Steve Bannon, i cili shërbeu Trump si strateg i Shtëpisë së Bardhë dhe tani po nxit revolucionin populist në të gjithë Evropën, bëri thirrje për “dekonstruktim të shtetit administrativ”, ai vuri në shënjestër veçanërisht sistemet e taksimit, mbikëqyrjen financiare dhe llogaridhënien publike që kufizojnë ultra- të pasurit.

Edhe më e përkryer është ironia që fushatat ultra-nacionaliste janë financuar nga pasuria e e elitave të njëjta botërore të demonizuar nga Bannon dhe nacionalistë të tjerë.

Ultranacionalizmi populist është një projekt i blerë dhe paguar nga elitat botërore dhe pasuria e tyre.

Lidhjet e para filluan të bëhen të dukshme në rrjedhën e Panamasë të majit 2016, gjë që tregoi se disa nga mbështetësit më të shquar të Brexit kishin pasuri të konsiderueshme “offshore”, që janë pjesë përbërëse e parajsave fiskale, e vendeve që nuk kanë kontrolle mbi kapitalin, origjinën apo destinacionin e tij.

Kjo pasuri ndihmoi në financimin e fushatës Brexit, e cila shpalli rëndësinë e kontrollit lokal dhe marrjen e kontrollit nga “elitat e huaja”.

Nëpërmjet këtyre dokumenteve ne gjithashtu mësuam se Donald Trump, i cili bëri fushatë kundër “globalizmit të korruptuar” të Hillary Clinton dhe me krenari e shpalli veten një “nacionalist”, rrethohej nga anëtarë të kabinetit, pasuritë e mëdha të të cilave ishin fshehur në “parajsat fiskale” anembanë botës. Disa prej këtyre skemave i lidhin ata me kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara.

Kështu, ultra-të pasurit dobësojnë aktorët e autorizuar për të imponuar kufizime ndaj tyre, duke çliruar veten për të bërë edhe më shumë para duke shkelur rregulloret, detyrimet tatimore, embargot tregtare dhe vështirësitë e tjera.

Këto prirje politike të individëve të pasur mund të duken si relativisht të padëmshme, derisa të kuptohet se çfarë duhet që ata t’i realizojnë ambiciet e tyre.

Një menaxher pasurish në Cyrih, tha se klientët e tij mendonin se ishin “mbi kombin dhe ligjet”.

Një menaxher pasurie në Londër bëri një vëzhgim të ngjashëm. “Kush mendoni se është më i fuqishëm: Procter & Gamble apo qeveria e Francës? P & G, natyrisht. Ata mund të vendosin biznesin e tyre kudo në botë” tha ai. “Problemi është se qeveritë veçanërisht në Evropë dhe Amerikën e Veriut, nuk e kanë kuptuar ende vendin e tyre në këtë hierarki të re”.

Për elitën globale, mbështetja pë lëvizjet ultranacionaliste është fitimprurëse. Këto elita nuk kanë dëshirë të shkatërrojnë shtetin; ata thjesht duan të dobësojnë fuqinë e shteteve për t’i kontrolluar ata.

Dhe kjo fuqi nuk qëndron në duart e asnjë qeverie të vetme, por në aleancat ndërshtetërore, të cilat kanë qenë e vetmja pengesë efektive kundër njerëzve me pasaporta të shumta dhe llogaritë bankare të shpërndara në të gjithë botën.

Ndërsa Britania furnizohet me ushqime dhe ilaçe për tu mbrojtur nga kriza e ardhshme e Brexit pa marrëveshje, një nga miliarderët që ka financuar Brexit, e shpëtoi veten dhe familjen e tij duke blerë shtetësinë e BE. Përkrahësit miliarderë të Trump në SHBA blejnë pasaporta të Zelandës së Re.

Shkrimtari GK Chesterton një shekull më parë shkroi: “Të varfërit kanë kundërshtuar ndonjëherë që të qeverisen keq; të pasurit gjithmonë e kanë kundërshtuar qeverisjen. Aristokratët ishin gjithmonë anarkistë.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Project Syndicate

Amerika nuk është më e para…