MENU

Kanti e ka fjalën

Pyetja që nxiti debatin politik e përgjigjia aktuale e Kantit

10.02.2019 - 15:53

E përmuajshmja berlineze “Berlinische Monatsschrift” u shtroi këtë pyetje intelektualëve gjermanë: “Çfarë është iluminizmi?” (Was ist Aufklärung?) dhe në vazhdim pasoi një debat politik, që mbizotëroi krejt epokën iluministe.

Ajo pyetje nxiti së pari Mose Mendelssohnin për një përgjigje. Në dhjetor të vitit 1784 u bë publike përgjigja e famshëm e Immanuel Kantit në të njëjtën revistë, e cila edhe sot është aktuale, si edhe atëherë.

Immanuel Kant

“Përgjigje pyetjes: Çfarë është iluminizmi?”

ILUMINIZMI-  është dalja e njeriut nga gjendja e miturisë, që i ka shkaktuar vetes me fajin e vet. Mituri është paaftësia për t’u shërbyer me mendjen vetjake pa drejtimin e një tjetri. Me fajin e vet është shkaktuar kjo mituri, kur shkaku i saj nuk gjendet në mungesën e mendjes, por te mungesa e vendimit dhe guximit për ta vënë në përdorim atë pa u drejtuar nga një tjetër. Saper aude! Ki guxim të shërbehesh me mendjen vetjake! Kjo është motoja e iluminizmit!

immanuel-kant-konica.al

Përtacia dhe burracakëria janë shkaqet, pse një numër kaq i madh i njerëzve, edhe pse natyra qysh moti i ka shpallur të lirë nga drejtimi i huaj (naturaliter majorennes), megjithatë pëlqejnë të mbeten të mitur gjatë gjithë jetës dhe kjo është arsyeja pse të tjerët e kanë aq të lehtë të ngrenë veten në tutorë të tyre.

Është shumë komode me qenë njeriu i i mitur. Nëse unë kam një libër, që ka intelekt për mua, një klerik, që ka ndërgjegje për mua, një mjek që gjykon për mua dhe regjimin që më përshtatet, e kështu me radhë, atëherë unë nuk do të kem më nevojë të përpiqem vetë. Thjesht, nëse unë mund të paguaj, unë nuk do të kem nevojë të mendojë; të tjerët do të marrin përsipër për mua këtë detyrë të mërzitshme.

Pastaj pjesa dërmuese njerëzimit (duke përfshirë këtu krejt gjininë e bukur) hapin drejt pjekurisë (moshës madhore) konsiderojnë jo vetëm të mundimshëm, por edhe të rrezikshëm dhe për këtë kujdesen tutorët e lartpërmendur, të cilët kanë marrë përsipër mbikëqyrjen me aq dashamirësi. Ata pasi të kenë budallosur bagëtinë e tyre dhe pasi ta kenë ruajtur me kujdes të madh, në mënyrë që këto qenie të urta të mos kenë guxim të bëjnë një hap jashtë ecores (foto majtas, pajisje plastike, metali apo druri, ku futen fëmijët për të mësuar ecjen, fjala u desh të shpiket, shënim im) në të cilën i kanë mbyllur, ata u tregojnë pastaj atyre rrezikun, i cili u kanoset, nëse provojnë të ecin vetë.

Natyrisht rreziku nuk është edhe aq i madh dhe pas disa rrëzimeve, në fund, do të mësonin të ecnin vetë, por edhe vetëm një shembull i kësaj natyre, i bën ata të druajtur dhe në përgjithësi, i tremb nga të gjitha provat e mëtejshme.

Prandaj për çdo njeri veç e veç është e vështirë dalja nga kjo mituri, e cila është bërë pothuajse natyra e tij. Ai madje e dëshiron atë me gjithë zemër dhe tani për tani është realisht i paaftë për të përdorur intelektin e tij, sepse atij kurrë nuk i është lejuar të provojë vetë. Rregullat dhe formulat, këto mjete mekanike të përdorimit racional, ose më mirë të keqpërdorimit të aftësive të tija natyrore, janë pranga në këmbët e tij, që e mbajnë atë në këtë mituri të vazhdueshme. Kush do t’i hidhte ato, edhe mbi hendekun më të vogël, do të bënte një kërcim të pasigurt, sepse ai për kërcime të tilla të lira, nuk është mësuar. Prandaj ka vetëm pak veta, që i kanë dalë me vetedukimin e shpirtit të çlirohen nga mituria, madje edhe të ecin me hap të sigurt.

immanuel-kant-konica.al

Në anën tjetër, një shoqëri mund të ndriçohet (kthjellohet, vetëdijesohet, iluminohet), nga vetvetja, madje është pothuajse e pashmangshme, nëse asaj i lejohet liria.

Për shkak se do të gjenden gjithmonë disa që mendojnë vetë, madje edhe nga turma e madhe e atyre të paravënë si tutorë zyrtar, të cilët pasi të heqin qafe vetë zgjedhën e miturisë, do të përpiqen të përhapin frymën e një vlerësimi racional të vlerave të veta dhe të prirjes së çdo njeriu për të menduar vetë për vete.

Vlen të theksohet kjo: shoqëria e cila është futur prej tyre nën këtë zgjedhë, detyron vetveten për të mos dalë nëse disa nga tutorët e nxisin, që vetë janë të paaftë për kthjellim (iluminim.) Është shumë e rrezikshme mbjellja e paragjykimeve. Ato në të vërtetë në fund u hakmerren atyre vetë, ose pasardhësve të atyre që ishin autor të tyre. Prandaj një shoqëri mund të arrijë te iluminizmi vetëm dalëngadalë. Me një revolucion ndoshta mund të shkaktohet rënia e despotizmit personal, si dhe t’i sjellë fundin shtypjes së zymtë për fitim dhe pushtet, por kurrë nuk mund të arrihet në reforma, që do të ndryshonin mënyrën e të menduarit, ndërkaq paragjykimet e reja, do të shërbenin, si edhe të vjetrat, për të drejtuar verbërisht morinë e madhe, e cila nuk mendon vetë.

Për këtë iluminizëm nuk kërkohet asgjë tjetër pos lirisë. E asaj më të padëmshmes nga të gjitha liritë, domethënë liri për përdorimin publik të intelektit vetjak në të gjitha fushat.

Mirëpo, unë dëgjoj nga të gjitha anët thirrjen: mos mendoni (rezononi). Oficeri ushtarak thotë: mos mendoni, por stërvituni! Nëpunësi i taksave thotë: Mos mendoni, por paguani! Kleriku thotë: Mos mendoni, por besoni! (Vetëm një Zot i vetëm në botë thotë: mendoni sa të doni dhe për atë që doni, por jini të ngueshëm (dëgjueshëm!) Pra këtu kemi kudo kufizime të lirisë. E tani, cili kufizim është pengues për iluminizmin, cili jo dhe cili është i volitshëm për të? Unë përgjigjem: përdorimi publik i intelektit duhet të jetë gjithmonë i lirë dhe vetëm ai intelekt mund të sjellë iluminizmin në mesin e njerëzve, ndërkaq, përdorimi privat i të njëjtit, duhet megjithatë, të jetë shpesh shumë i kufizuar, por pa e dëmtuar në mënyrë të veçantë përparimin e iluminizmit.

Me përdorimin publik të intelektit vetjak kuptoj dikë, i cili si dijetar, e bën para botës së lexuesve. Përdorim privat quaj unë përdorimin që atij i lejohet të bëjë nga intelekti i tij në një post, ose në zyrën civile, që i është besuar atij.

Tani, për disa veprimtari, të cilat kryhen për shoqërinë, është i domosdoshëm një mekanizëm, sepse disa anëtarë të bashkësisë, duhet të sillen plotësisht pasiv në mënyrë që të mund të drejtohen nga qeveria me një marrëveshje të sajuar për qëllime publike, ose së paku, të pengohen në shkatërrimin e atyre qëllimeve.

Natyrisht se aty nuk është e lejuar të mendohet, por njeriu duhet të jetë i dëgjueshëm. Por, në qoftë se ky anëtar i aparatit shtetëror konsiderohet njëkohësisht edhe pjesëtar i bashkësie së tërë, madje edhe i qytetarisë botërore, vijimisht në cilësinë e një dijetari, natyrisht se ai mund të mendojë (rezonojë) duke iu drejtuar një publiku me intelektin e vet nëpërmjet shkrimeve, edhe atë, pa shkaktuar dëme në aktivitetin, për të cilin ai pjesërisht është caktuar si anëtar pasiv.

 

Kështu që do të ishte shumë e kobshme, nëse një oficer, të cili i është urdhëruar gjatë shërbimit diçka nga sipërori, të logjikojë për nevojën dhe dobinë e urdhrit: ai duhet të jetë i dëgjueshëm! Por, nuk është e drejtë në cilësinë e dijetarit t’i ndalohet për të bërë vërejtjet e veta mbi gabimet e bëra gjatë operacioneve luftarake dhe t’ia parashtrojë atë publikut të vetë për gjykim.

Qytetari nuk mund të refuzojë pagesën e taksave që i janë ngarkuar. Madje edhe një qortim zhurmëmadh kundër detyrimeve të tilla, që duhet të kryhen prej tij, mund ndëshkohet si një skandal (pasi ai mund të çojë në një refuzim të përgjithshëm).

Megjithatë, ai nuk vepron kundër obligimit të qytetarit, kur si dijetar, shpreh publikisht mendimet e tij kundër imponimeve të pavend, ose dhe padrejtësisë së tyre.

Immanuel Kant 1724 – 1804, filozof në Königsberg (Kënihsberg). »Berlinische Monatsschrift«, dhjetor 1784, faqe. 481-494. Përkthyer dhe shqipëruar nga gjermanishtja/ Lis Bukuroca