Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ka reaguar pas deklaratës së Presidentit të Greqisë, Prokopis Pavlopoulos, i cili i quajti çamët si ‘kriminelë’.
PDIU i cilësoi deklaratat e Pavlopoulos si deklarata të përsëritura të një njeriu që, sipas tyre për shkak të moshës dhe pozicionit duhet të ishte më i matur nga politika greke. Në reagim, PDIU thekson më tej se çështja çame nuk është “monedhë shkëmbimi”.
Reagimi i PDIU:
Deklarata të përsëritura të një njeriu që për shkak të moshës dhe pozicjonit duhet të ishte më i matur nga politika greke. Po na shfaqet së bashku me Agimin e Artë si një minishencë e qarqeve nacionaliste dhe pasardhës i Napolon Zervës. Presidenti grek qëllimisht ngatërron pjesën më të tërën dhe rolet në histori.
Së pari duhet ti kujtojmë Presidentit Grek se atë deklaratë po e bën në një tokë shqiptare, në Konicë dhe i referohet pikërisht vitit të mbrapshtë 1913, ku trupat greke pushtuan Çamërinë, Follorinë e Kosturin. Arritën deri në Hormovë dhe më pas bënë masakrën e Panaritit.
Sigurisht që është për të ardhur keq që Pavlopulos po shfaqet si përfaqësus i shekullit të kaluar, ku shqiptarët nëpërkëmbeshin, por ky nuk është shekulli i tij, por i shqiptarëve.Sigurisht ai mund të flasë me nostalgji për një epokë të kaluar që nuk kthehet më.
Presidenti grek është përfaqësuesi më tipik i hipokrizisë dhe i standarteve të dyfishta të një shteti shovinist me shqiptarët. Kur ndërsa flet për të drejtën evropiane, vendi i tij është i vetmi vend në botë që nuk njeh asnjë minoritet dhe nuk ka nënshkruar as Konvetën e Këshillit të Evropës për të drejtat e minoriteteve.
Nuk është hera e parë që ky pinjoll dhe trashgimtar i Napolon Zervës bën deklarata të tilla, të papërgjegjshme për çështjen çame. Ai para disa kohësh bënte deklarata arrogante dhe kërcënuese për çështjen çame dhe shqiptarët, nga Paramithia. Pikërisht në vendin ku filloi Masakra e Genocidi Etnik mbi shqiptarët e Çamërisë. Ku u shfarrosën 20% e popullsisë dhe u larguan me dhunë 90% e shqiptarëve të Çamërisë nga krimineli Napolon Zerva, njeriut që Greqia i ka bërë monument në Gumenic.
Sigurisht që Presidenti Grek do të donte që të ishin shfarrosur të gjithë shqiptarët e Çamërisë. Acarimi i tij është dëshmi që e vërteta djeg. Pavlopulos e di që është çëshjte kohe që e vërteta do të triumfojë dhe e drejta do të realizohet.
Shqiptarët e Çamërisë janë krenar që iu bashkuan me 10 mijë partizanë forca të Ellas, me batalionin “Ali Demi” në Çamëri dhe batalionin “Çamëria” në Shqipëri.
Pavlopulos, ka ikur koha kur e coptuat Shqipërinë dhe masakruat Çamërinë.
Ky është shekulli i shqiptarëve dhe Çamëria ka zot.
Është çështje kohe që e drejta të triumfojë. Siç kapërdinë dhe pranuan Marrëveshjen e Prespës pas 20 vitesh, ashtu dhe herët ose vonë do të pranojnë zbatimin e vlerave europiane për liritë e të drejtat e njeriut dhe ato pronësore për shqiptarët e Çamërisë.
Gjithsesi Pavlopulos, me këtë deklaratë arogante tenton të futet e të ndikojë në politikën zgjedhore greke.
Çështja çame nuk është monedhë shkëmbimi, ku ndërsa bëhen varrezat e ushtarëve grek, marrëveshja për toponimet dhe ligji për minoritetet, ku e nxorrën Shqipërinë me 9 minoritete dhe në shkëmbim nuk morën as ligjin e luftës, aq shumë të trumbetuar, nga e cila fillon dhe zgjidhja e çëshjtes çame, por morën vetëm vulën apostile”, nënvizon PDIU.