Në Kosovë po mbahet seanca solemne në kuadër të 11-vjetorit të Pavarësisë, ku në mesin e të ftuarve në Kuvend është i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Gjatë fjalimit, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se shqiptarët kanë paguar çmim në Ballkan si dhe shprehu interesin për një marrëveshje me Serbinë.
“Kemi pas të drejtë më 17 shkurt 2008. Shqiptarët në Ballkan kanë kontribuar, janë popull po ashtu që kanë paguar çmim për të gjitha proceset që ka kaluar kontinenti ynë. Por sot janë kontribues të paqes. Jemi të interesuar për një marrëveshje tani obligative për njohjen me Serbinë në kufijtë ekzistues”, tha Haradinaj.
Pas tij fjalën e mori, kreu i Kuvendit Kadri Veseli, i cili theksoi se pavarësisht atyre që kaluan si shtet, ëndrra e tyre është bërë realitet.
“Të nderuar të pranishëm, sot është dita më e vecantë për popullin tonë. Është ditëlindja e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Ne njohëm dhe përjetuam vuajtjet e pararadhësve tanë, por ia dolëm të bëjmë realitet ëndrrën. Kemi pasur fëmijëri të vështirë. Edhe shtetet kalojnë nëpër trauma të vështira. Jam i sigurtë se këto suksese e nesërmja ka për t’i gjykuar si pozitive. Kur ne festojmë ditëlindjen sipas zakonit rreth nesh mblidhen njerëzit më të mirë. Duam trajtim të dinjitetshëm për ne. Askush nuk ka të drejtë të na nëpërkëmbë”, tha ndër të tjera Veseli.