MENU
klinika

Propozimi i platformës

Reforma zgjedhore/ Qëndrimi që do të mbajnë aleatët me Bashën

12.02.2019 - 16:59

Aleatët e Lulzim Bashës mbështesin propozimin për një platformë bashkëpunimi për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi vlerësojnë platformën, por kërkojnë që në një fazë të dytë të negociohet në detaje, kryesisht për reformën zgjedhore.

Aletatë e Lulzim Bashës, paltformën e bashkëpunimit e shohin si një dokument parimesh dhe listë sfidash që kërkojnë përgjigje.

Kryetari i republikanëve, Fatmir Mediu, thotë se marrëveshja, krijon një hapësirë institucionale që përcakton qëllimet e qarta politike për çdo forcë opozitare.

“Padyshim marrëdhënie elektorale të qenësishme për të garantuar një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm dhe e dyta për të garantuar një ndryshim politik që është i domosdoshëm në Shqipëri përballë një situate të papranueshme që ka të bëjë jo vetëm me varfërinë por me kontrollin që ka krimi dhe korrupsioni i lidhur me qeverinë në këtë vend.”

basha me aleatët-konica.al

Edhe Dashamir Shehi i LZHK-së vlerëson platformën, ndërsa thotë se opozita objektiv të qartë duhet të ketë largimin e Ramës.

“Shërben si një bazë mbi të cilat nesër. Pasnesër do të negociojmë të gjithë palët.”

Të gjitha pikat e platformës kërkojnë një zhvillim të mëtejshëm, mes forcave politike opozitare.

Më tej Mediu shton:

“Për një parlament kushtetues në radhë të parë, që të jetë përfaqësues i qytetarëve, një parlament të përgjegjshëm që tu japë llogari qytetarëve dhe njëkohësisht për të shmangur manipulimin e zgjedhjeve. Një sistem zgjedhor me lista të hapura për gjykimin tim është sistemi më i drejtë.Kjo mbetet për tu diskutuar dhe analizuar dhe me kolegë të tjerë të opozitës.”

Lidhur e çështjet e kodit zgjedhor Shehi thotë:

“Kur të vijë puna për çështjet e kodit zgjedhor këtu mundet që nuk jemi të gjithë dakord por kjo është një temë që sigurisht do të diskutohet më vonë.”

Platforma është një marrëveshje parimore mes forcave politike, ndërkohë Partia Demokratike si forca kryesore në opozitë ngarkohet të negociojë në mënyrë individuale me çdo forcë nënshkruese.

Lulzim Basha është i angazhuar në biseda individuale me gjithë aleatët me qëllim që platforma të firmoset para protestës së 16 shkurtit.